Parashqevi Qiriazi, gruaja e madhe e interesave kombëtare shqiptare
Albert Vataj
Gratë e mëdha të interesave të mëdha të kombit janë të shumta, por Parashqevi Qiriazi ishte dhe mbeti një emër i veçuar i atyre përpjekjeve titanike, për gjuhën dhe mëvetësinë e shqiptarëve, për rolin e gruas dhe integritetin e saj, si vlerë e patjetërsueshme në prehrin e së cilës rriten dhe edukohen patriotë. Të shkruarit e abetares së parë të gjuhës shqipe fillon me të, siç nis me të rrugëtimi epik i gruas të tryezat e fateve të kombit.
Parashqevi Qiriazi (2 qershor 1880 – 17 dhjetor 1970) ishte mësuese shqiptare e cila ia dedikoi jetën e saj alfabetit shqip.
Parashqevi Qiriazi lindi në qytetin e Manastirit si motra e vogël e Gjerasim, Gjergj dhe Sevasti Qiriazit. Pas mbarimit të studimeve për letërsi në Kolegjin Femëror Amerikan (Womens College) në Stamboll (1904), u kthye në atdhe dhe iu kushtua mësuesisë. Shërbeu në Shkollën Shqipe të Vashave të Korçës.
Ajo ishte gruaja e parë që shkroi një libër shkollor në gjuhën shqipe dhe e vetmja grua që mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i cili kodifikoi alfabetin shqip në nëntor 1908.
Parashqevi Qiriazi ishte pjesëmarrëse e Kongresit të Manastirit dhe autore e abetares së parë shqipe sipas alfabetit të Manastirit. Ajo gjithashtu hartoi dhe botoi në Manastir tekstin “Abetare – për shkollat e para” me shkronjat e alfabetit të ri, duke hyrë kështu në historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe si femra e parë shqiptare autore e një abetareje.
Parashqevi Qiriazi kreu studimet pasuniversitare master në Fakultetin e Pedagogjisë (Edukimit) të Kolegjit të Oberlinit në Ohio, Shtetet e Bashkuara. Tema e saj për master ishte “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri”. Ajo ishte një figurë e rëndësishme në emancipimin e grave dhe kontribuoi ndjeshëm në arsimimin e femrave shqiptare.
Parashqevi Qiriazi është një shembull frymëzues i aftësisë së grave për të ndikuar në shoqëri dhe për të ndryshuar historinë.
Për më tepër, ajo ishte një “yll i mëngjesit” për emancipimin e grave. “Ishte 22 vjet më e vogël se Gjerasimi dhe 10 vjet më e vogël se Sevastia, e cila shkruan në jetëshkrimin e saj: “Të nesërmen në mëngjes ne të gjithë u ngritëm herët dhe mendova se cila ishte surpriza që na priste? Një anëtar i ri i ishte shtuar familjes sonë: një bebe, motra jonë e vogël. […] Motra jonë e vogël u pagëzua të dielën që pasoi. Gjithë të afërmit u mblodhën në shtëpinë tonë dhe foshnjën e çuan në kishë. Kumbara i vuri bebes emrin Parashqevi, që do të thotë e premte, dhe e mbajti atë në krahët e saj kur u kthyem në shtëpi. […] Kjo motra ime e vogël duhej shumë nga të gjithë ne. Atë e përkëdhelnim të gjithë dhe i vumë nofkën Hyll (Yll), por ajo nuk u llastua. Ishte e dashur dhe e butë. Ishte një vajzë jashtëzakonisht e shkëlqyer.” (shkëputur nga libri “Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919”, Teuta Toska, IAPS, 2020)
Gratë pionere të arsimit shqiptar padyshim që mbeten motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, dy intelektuale të cilat i dedikuan jetën e tyre arsimit, e sidomos arsimimit të vajzave të reja. Studiuesja Teuta Toska, autore e librit “Parashqevi Qiriazi dhe viti i saj 1919″ tregon më shumë për punën e tyre dhe misionin e pakohshëm të mësuesit: Edukimin e Brezave të rinj.
Motrat Qiriazi jetuan dhe vepruan në një moment shumë të vështirë për Shqipërinë, por këmbëngulja dhe patriotizmi i tyre bënë që më të hapej shkolla e parë e vashave në Shqipëri. Njëri nga qëllimet e shkollës ishte të stërvitnin të gjitha nxënëset që të ishin në gjendje të kryenin detyrën e mësueses. Në Shkollën e Vashave ishte arritur të ngrihej një sistem i një shkolle të mesme jo të plotë dhe që mund të nxirrte mësueset e para në një kohë kur nevoja për mësues ishte shumë shtrënguese.
Shkolla e Vashave, që nga tetori i vitit 1891 e vazhdoi procesin mësimor (me ndërprerje të pjesshme) deri në qershor të 1914-ës 12 , vit kur zjarri i Luftës Ballkanike përfshiu posaçërisht edhe Korçën dhe kështu motrat u detyruan ta mbyllnin shkollën dhe të largoheshin vetë fillimisht në Rumani e më pas në Amerikë, për të nisur një betejë politike e diplomatike për identitetin e kombit shqiptar një betejë po aq të fuqishme sa edhe ajo që kishin bërë për ruajtjen e Shkollës së Vashave deri më atë kohë.
Vitet kalojnë, njerëzit vdesin por veprat e tyre jetojnë gjithmonë, dhe është Parashqevi Qirjazi, ajo që bën pjesë në aradhën e atyre grave të mëdha që kontribuuan me mish e me shpirtë për interesat kombëtare, duke shkruar jo vetëm emrin e tyre në historinë e Shqipërisë, por duke lënë gjurmë përkushtimi me pasion për çfarë ajo kishte më të shenjtë, ndoshta edhe për të vijuar traditën e shkëlqyer të betejave patriotike që bënë familja e saj.