Parimi i barazisë, mundësia e vetme për zgjidhjen e drejtë të ndarjes së detit me Greqinë
Nga Arben Braçe –
Sot, Ishministri i Jashtëm Bushati, foli pas kuvendit, duke vënë interesat e partisë, mbi ato të Shqipërisë, duke bërë në mënyrë vullnetare edhe ky avokatin e palës kundërshtare dhe duke evidentuar edhe një hërë, se zgjerimi me 12-milje, nga ana e Greqisë me anë të Dekretit të saj në ditët e krishlindjeve është i ligjshëm dhe në përputhje me nenin 3 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS).
Në kundërshtim me interesat e vendit të tij, ndaj të cilit është betuar përpara Kuvendit dhe Presidentit të Republikës, si dhe në kundërshtim me mendimin e të gjithë specialistëve dhe akademikëve shqiptarë, por dhe atyre asnjanës ndërkombëtarë, të cilët në mënyrë të përsëritur evidentojnë se ky zgjerim është i jashtëligjshëm dhe bie në kundërshtim taksativisht, por edhe me frymën e së njëjtës konventë ku jemi palë bashkarisht, ishministri i cili ka informacion të detajuar nga dosja e akumuluar nga grupi negociator të cilin mbikqyrte sa kohë drejtonte ministrinë e jashtme, duhet të ishte një nga stoikët e mbrojtjes së të drejtës sonë, për më tepër, edhe si profesionist i së drejtës ndërkombëtare. Përgjatë gjithë kësaj kohe, ai nuk ka folur as edhe një herë për këtë kryeçështje, megjithëse e ka pasur për detyrë dhe përgjegjësi, por edhe sepse ka informacion të bollshëm për këtë çështje. Po kështu përgjatë largimit nga detyra ai është evidentuar si një nga “kundërshtarët” politikë të Ramës, duke dalë me këtë rast padashje zbuluar, si një “kundërshtar” për karrige.
Duke rënë në një përsëritje, të superpërsëritur, zgjerimi me 12-milje bie në kundërshtim me paragrafin e parë të nenit 15-të, të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), thuhet: “Kur brigjet e dy shteteve janë të kundërta, ose ngjitur me njëra-tjetrën, asnjëri nga të dy shtetet nuk ka të drejtë, duke mos arritur marrëveshjen midis tyre në të kundërt, të zgjasë detin e tij territorial përtej vijës mesatare, çdo pikë e së cilës, është e barabartë nga pikat më të afërta, në pikat bazë, nga të cilat matet gjërësia e deteve territorial, të secilit prej dy shteteve. Dispozita e mësipërme nuk zbatohet, megjithatë, kur është e nevojshme, për shkak të titullit historik, ose rrethanave të tjera të veçanta, për të kufizuar detet terrritoriale të dy shteteve në një mënyrë që është në ndryshim prej tyre”
A nuk janë tërësisht të kundërta, brigjet detare, ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë? A nuk jemi para rastit klasik të nenit 15 të Konventës? Padyshim që në pozitat e cilitdo vendi aplikimi edhe nga vendi i ynë në vitin 1990 dhe depozitimi pranë OKB i këtij zgjerimi ndodhur në një pozicion të kundërt me njëri tjetrin është i jashtëligjshëm.
Një pozicion sikurse ky i yni ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, me një pozicion gjeografik pothuajse unikal, kërkon kohën e vet dhe mbi të gjitha një frymë dashamirëse dhe shumë profesionale negociatore, nën asistencën edhe të specialistëve ndërkombëtarë të cilën me vullnetin dhe ndërgjegjen e tij Kryeministri ia hoqi shqiptarëve si mundësi, duke kaluar në një pasivitet të ftohtë gjyqësor, ku do të aplikohet vija e mesit dhe precedentët ndërkombëtarë në raste të ngjashme.
Mos harrojmë se metodat e vijës së mesit (Median line), nuk aplikohen kur ekzistojnë rrethana të veçanta, apo të drejta historike. Në kushtet e Shqipërisë, jemi përpara rrethanave klasike të veçanta, sepse pjesa jonë jugut nuk mund të zhvillohet, nëqoftëse përdoret parimi i Vijës së Mesit, i cili e shtrin detin grek deri pranë Vlorës dhe mbull tërësisht Gjirin e Sarandës.
Po kështu edhe nga ana historike, gjeografike dhe demografike qyteti i Sarandës përbëhet nga një popullsi disa herë më e madhe se ajo e ishullit të Othonoit deri vonë i pabanuar dhe ai i Barketës i cili mbulohet nga baticat dhe në gjuhën e specialistëve konsiderohet shkëmb nënujor.
Gjithashtu, qyteti i Sarandës përbën një histori të tërë antike sidomos me Amfiteatrin e Butrintit, fakte historike që duhet të merren në konsideratë, sepse Vija e Mesit, duke mos u evidentuar çka thamë më lart, në shumë raste, krijon pabarazi për palë të caktuara.
Pikërisht, për të delimituar sa më drejtë kufijtë detarë, sipas praktiks së GJND-së, sugjerohet principi i barazisë (equitable principle) princip i konfirmuar edhe nga e drejta ndërkombëtare zakonore i trajtuar si i tillë edhe nga precedetët ndërkombëtarë, por edhe nga UNCLOS në nenin 15, 74(1), dhe 83 (1) ku trajtohet delimitimi i Zonave Ekonomike Eskluzive, por edhe Shelfit Kontinental, për të afruar një ndarje të drejtë dhe të kënaqshme për të dy palët.
Pra në rastet kur sugjerohet principi i barazisë (equitable principle) i cili merr në konsideratë kushtet historike, ato gjeografike që përmëndëm më sipër mbetet metoda e vetme për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Injorimi i negociatave dhe hartimi i një marrëveshjeje të përbashkët me palën greke, duke anashkaluar kushtet e sipërmendura, rënia dakort me palën kundërshtare për të dërguar çështjen në gjyq, dhe mungesa tërësisht e trasparencës përë këtë çështje të rëndësishme, ka brenda fakte të qarta dhe shkelje penale evidente, për lëshim sovraniteti dhe tradhëti të ndërgjegjshme.