Pas 30 vitesh, askush nuk e kishte menduar frymëzimin anti-amerikan te populli!
Alban Daci
Shqipëria kishte fat e madh që të shpëtonte në Lidhjen e Kombeve nga presidenti Willson, i cili, në gjashtë pikat e tij, vendosi edhe të drejtën e vetëvendosjes së popujve dhe barazinë e tyre juridike, për të ekzistuar, pavarësisht madhësisë dhe rëndësisë gjeopolitike.
Shtetet e Bashkuara e bënë sepse ato ishin rezultat e kryengritjes kundër nocionit të kolonive europiane, sepse besonin fort në demokracinë e popujve, për të ekzistuar dhe ashtu me këtë parim amarikanët kërkonin të çlironin kolonitë nga Franca, Spanja, Portugalia, Anglia e duke ndjekur modelin e ekzistencës do të kishin mundësi të demokratizoheshin me perspektivën për t’u bërë, në të ardhmen, partner të SHBA.
Shqiptarët patën fatin të shpëtonin ndërkombëtarisht nga SHBA, po, thuajse, një shekull më parë mbetën larg SHBA! Kjo ndodhi për disa arsye:
1. SHBA nuk kishin dalë plotësisht nga protecionizmi dhe nuk kishin marrë rolin e liderit botëror. Pra, vëmendja e SHBA-ve pas Luftës I Botërore ishte, akoma, e vogël ose thuajse ineksistente e sidomos, në Europë, eksluzivitetin e kishte akoma Anglia.
2. Shqipëria ndoqi rrugën e monarkisë, e asaj forme qeverisje aq shumë të urruer nga Amerika, duke e konsideruar si formën qeverisë që pengonte më shumë se kushdo tjetër demokracinë dhe evolucionin e saj.
3. Shqipëria me modelin e saj monarkik dhe me realitetin gjeopolitik të rajonit, fragjile politikisht dhe ekonomikisht, provoi të bëhej pjesa e lojërave të rajonit për protagonizëm. Qëllimi kryesor i Monarkisë, në atë kohë, ishte ruajtja e pushtetit, mbrojtja e formës qeverisëse e po ashtu mbrojtja e sovranitetit, por, ky i fundit ishte në shërbim të pushtetit. Në këtë periudhë, ka vazhduar teoria që ekziston edhe sot, që sovraniteti i Shqipërisë ka qenë në shërbim të pushtetit dhe jo shtetit. Lideret shqiptarët, pas Monarkisë e deri ne ditët e sotme sovranitetin e kanë parë si mundësi për të mbrojtur pushtetin politik.
4. Monarkia u mbyll si cikël, ashtu si shumica monarkive të tjera, me rastin e mbarimit të Luftës II Botërore, mes të cilave ishte edhe ajo e Italisë. Pas Luftës, shumica e vendeve ju rikthyen Republikave, për të rigjetur formën demokratike të organizimit të vendit. Shqipëria, përsëri, e humbi këtë rast, sepse rruga që zgjodhi ishte vite larg dritë nga çdo lloj formë demokratike e në krahasim me atë amerikane as nuk kishte asnjë lloj lidhje. Shqipëria,përsëri, humbi takimin me historinë, duke u pozicionuar në anën e gabuar të saj. Ardhja e regjimit Enverist e frymëzoi aq shumë popullin me propagandë antiamerikane, sepse vetëm kështu do të mbrohej nga çdo lloj modeli demokratik, apo nga çdo frymëzim demokratik.
Fillimet e viteve ’90 kthyen shpresën për demokraci dhe po ashtu u rikthye fryma më e madhe pro amerikane. Personazhet e politikës shqiptare në fillim të viteve’ 90, për interesa të marrjes së pushtetit, përdorën demokracinë dhe dashurinë për Amerikën. Kjo funksionoi për aq kohë sa ata kishin pushtetin e me të humbur në ditët e sotme çdo formë apo lidhje me pushtetin, po frymëzojnë popullin me antiamerikanzëm me pretekstin e ndërtimit të një demokracie alternative.
Periudha e izolimit të Shqipërisë ishte edhe nje mundësi për të abuzuar me monopolin e informacionit, sepse ai kishte burim vetëm një formë, atë të kontrolluar e të dalë nga regjimi. Prandaj, mungesa e marrëdhënieve diplomatike me SHBA, kontrolli i informacionit, bënte që të flisnin në emrin e SHBA, pa pasur mundësi që këta të flisnin me zërin e tyre.
Sot, kemi një situatë krejt tjetër, sepse përmes Ambasadës në Tiranë, dhe jo vetëm, SHBA zyrtarisht kanë mbajtur qëndrime kundrejt individëve të caktuar, apo proceseve demokratike të Shqipërisë, por disa me mendësitë e tyre komuniste, duke sjellë persona shqiptarë anonim, që jetojnë në SHBA, që s’kanë asnjë lidhje me realitetin e institucioneve të SHBA-ve.
Kë duhet të besojnë shqiptarët, ambasadoren e SHBA apo personat anonim? Ky frymëzim antiamerikane në popull u shërben personave që pushtetin e kanë në shërbim të vetës e aspak të interesit kombëtar, apo të ardhmes demokratike të Shqipërisë.