Pas Greqisë, Spanja? – Partitë e protestës rrisin popullaritetin

Në Spanjë "Podemos" një parti e të indinjuarve që kryeson në sondazhe, demonstroi në Madrid të shtunën (31.01) kundër politikës së kursimeve.  

Dhjetra mijëra përkrahës të partisë së re spanjolle "Podemos" – "Ne mundemi" dolën në rrugë ditën e shtunë për të protestuar kundër politikës europiane të kursimit. "Po është e mundur" thërrisnin demonstruesit në "Marshin e ndryshimit" në qendër të kryeqytetit spanjoll. Partia e themeluar para disa muajsh me profil populist të majtë synon në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në nëntor 2015 të imitojë suksesin e Syrizas dhe të arrijë të rrëzojë nga pushteti partitë tradicionale, njoftojnë agjencitë e lajmeve.

Demonstruesit dolën në rrugë me sllogane si "E ardhur bazë për të gjithë" dhe "Tik-tak, tik-tak ora e ndryshimit po vjen". Një mësuese 23 vjeç dhe e papunë nga Manovari e ardhur qëllimisht për demonstratën në Madrid, Dori Sanchez u shpreh për agjencinë e lajmeve, afp se "shumë vetë janë të një mendimi; kemi nevojë për ndryshim. Mjaft më me vjedhje, mjaft më me të korruptuarit që i marrin të gjitha dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë". Sipas Podemos u morën me qira 260 autobusë për të sjellë në kryeqytetin spanjoll përkrahësit e protestës. Qindra banorë të Madridit ishin të gatshëm të strehonin protestuesit në shtëpitë e tyre. Drejtuesi i Podemos, Pablo Iglesias kërkon një ndryshim radikal kursi në politikën spanjolle. Gjatë fushatës zgjedhore në Greqi, docenti i shkencave politike mbështeti politikën e kreut të Syrizas, Alexis Tsipras.

Swiss Digital Desktop Reklama

Premtime populiste

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas statistikave, Spanja ka dalë nga recesioni dhe ekonomia, sipas të dhënave të publikuara të premten, u rrit vitin e kaluar me 1,4%, por ndryshimi ende nuk i ka dhënë frytet e veta në uljen e papunësisë. Gati çdo i katërti spanjoll është i papunë. Papunësia e lartë ka prekur sidomos të rinjtë, që ndjehen pa perspektivë në vendin e tyre, shumë prej tyre emigrojnë. Po ashtu në vitet e krizës rrogat në Spanjë u zvogëluan, ndërkohë që numri i të punësuarve me kontrata afatshkurtër është rritur së tepërmi.

Podemos lindi në janar të vitit 2014 si një lëvizje proteste e të "indinjuarve -"Indignados" dhe në mesin e nëntorit u regjistrua si parti. Po ashtu si partia greke, Syria, Podemos refuzon në mënyrë strike politikën e kursimeve dhe reformave, për të cilën u angazhua qeveria spanjolle në Madrid dhe Athinë si përgjigje kundrejt ndihmave të kreditorëve ndërkombëtarë. Në zgjedhjet e majit për Parlamentin Europian, gati 1,2 milionë spanjollë votuan Podemos, e cila siguroi pesë mandate në PE.

Ndërkohë sondazhet e nxjerrin partinë e re Podemos si fituese të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të nëntorit, si para partisë qeverisëse konservatore të kryeministrit, Mariano Rajoy ashtu edhe para partisë socialiste në opozitë. Rajoy i paralajmëroi me urgjencë spanjollët nga loja e "ruletës ruse", nëse votojnë për Podemos. Kjo parti "premton të sjellë yjet në tokë, por nuk mund t'i mbajë këto premtime", është shprehur kryeministri spanjoll Rajoy për Podemos.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?