Pas njerëzve, radha e pajisjeve për të komunikuar me njëra-tjetrën

Nga Lutfi Dervishi – 

Të kesh sot një telefon të mençur, do të thotë të kesh më shumë se një zyrë me vete. E-maili, mesazhet, fotot, videot, dokumentat, librat, informacionet dhe veprimet me bankën mund të shkëmbehen, ruhen, lexohen e të kryehen prej aty.

Mund të blejmë online, mund të paguajmë faturat, të dërgojmë para, mund të parkojmë makinën, (M- parking) mund të shohim trafikun në kohë reale, mund të përdorim biçikletat (Mobike tani e pranishme edhe në Tiranë) – hartat, radion – mund të shohim televizion, të dëgjojmë muzikë, të përkthejmë, të monitorojmë shëndetin, sa kemi ecur, sa kemi nevojë të ecim, kaloritë e konsumuara, mund të shohim si është koha, si do të jetë gjatë ditës apo për fundjavë. Mund të përdorim Facebook-un, Instagram-in, What’s app-in, Viber-in apo Snapchat-in etj. etj., dhe këto të gjitha në një telefon.

Kjo ndodh sot. Falë internetit. Interneti u shpik nga njerëzit dhe për njerëzit. Solli revolucionin në informacion. E si çdo revolucion solli ndryshime të shumta. Ndryshoi mënyrën si jetojmë, punojmë, mendojmë. Interneti bashkoi njerëzit dhe lehtësoi komunikimin mes tyre.

Tani është radha e pajisjeve për t’u “lidhur” dhe komunikuar me njëra-tjetrën. E reja sot është internet i gjërave/pajisjeve (Internet of Things).

E ardhmja do të jetë krejt ndryshe. Sot janë 10 miliardë “gjëra” në internet. Imagjino sikur ato të komunikonin mes tyre (të shkëmbenin të dhëna/informacion) e të përdoreshin përmes aplikacioneve nga kushdo përmes celularit.

Internet of Thing (IoT) nënkupton që pajisjet do të komunikojnë me njëra – tjetrën përmes sensorëve dhe këto pajisje do kontrollohen nga njerëzit me anë të celularit. Sa e lehtë është “t’i kontrollosh”? Jo shumë e vështirë.

Që sot telefoni e di ku je, çfarë po bën, di nivelin e dritës në zyrë apo dhomë. Di edhe nëse po ecën në makinë apo në këmbë… mund të komunikosh me të me anë të Sirit. Telefoni mund të të zgjojë nga gjumi, mund të të tregojë për takimet apo trafikun në rrugë.

E nesërmja vjen shpejt dhe me anë të celularit do të komandojmë pajisje të lidhura në rrjet me njëra-tjetrën. Termi “Internet of Things” nënkupton se pajisjet, mjetet fizike të lidhura në rrjet me njëra-tjetrën mund të komandohen nga celulari, sepse shkëmbejnë informacion/të dhëna me njëra-tjetrën.

Sot pyetja shtrohet për shpejtësinë e internetit. Sipas OoKLA-s, gjigandit botëror të testimit të internetit, Shqipëria renditet e 25-ta mes 130 vendeve të botës përsa i përket shpejtësisë së internetit në celular, duke lënë prapa vende të tjera si SHBA-ja, Britania Madhe, Gjermania e Portugalia.

Në terma praktikë, çdo gjë do ndryshojë. Pajisjet/gjërat që me anë të sensorëve do komunikojnë me njëra-tjetrën e do komandohen përmes celularit, janë e ardhmja.

Sot kemi smart phone, nesër synohet të kemi smart cities (qytetet), pasnesër ndoshta një smart planet.

Pyetja që nuk merr përgjigje është: a do kemi smart people (njerëz të zgjuar)? Nëse sot mund të zgjohemi nga celulari, nesër celulari (falë “Internet of Things) mund të na zgjojë/njoftojë para se të bie tërmet dhe kështu të paktën, postimin në Facebook nuk do ta bëjmë si sot, në kohë reale, por pak më herët.

E ardhmja ka ardhur.

SHKARKO APP