Pas retorikës Rama e Haradinaj, qëndrojnë dy vende të dobëta
Nga Ben Andoni
Vizita e kryeministrit të ri kosovar Ramush Haradinaj ka marrë ashtu si edhe i takon të gjithë nderin e protokollit shqiptar, lidhur me marrëdhëniet mes vendeve tona. Përkujtimi i përbashkët i Skënderbeut dhe fondi i përbashkët i ambasadave janë dy prej verdikteve që dolën nga takimi i dy primatëve të ekzekutiveve respektive të Kosovës dhe Shqipërisë. Që të dy e administruan mirë kohën e tyre para medias, duke mos lënë pas dhe batutën e zakonshme për kazanin mediatik. Si Rama, që është treguar i pamëshirë dhe madje stigmatizues nga medias shqiptare, njësoj kolegu i tij kosovar ka shkuar edhe më tej, madje qysh prej takimit të parë, i ka cilësuar të paditur gazetarët kosovarë, paçka se formimi i tij akademik, ashtu si edhe i kryeministrit Rama lënë shumë për të dëshiruar krahasuar me shumë nga gazetarët.
Të dy kanë treguar shumë vullnet në marrje të mandateve të tyre, ndërsa të dy janë në mandatet e dyta. Duke shfrytëzuar qoftë edhe ditët e pushimit ata kanë treguar se janë të lidhur shumë me pushtetin dhe premtimin se do të sjellin risi. Por edhe me dukjen.
Gjithsesi reformat e z.Rama po implementohen me shumë vështirësi dhe pa ndonjë predispozitë të madhe prej institucioneve të hallakatura prej strukturimeve, kurse Haradinaj e ka marrë ndryshe duke i zhbërë ato. Madje, Haradinaj është treguar shumë i afërt me Ramën për dërrmën që u ka dhënë disa institucioneve, si ato lidhur me arsimin, pa pasur asfare një sens bashkëpunimi.
Por megjithë angazhimin dhe përparimin që është bërë Kosova dhe Shqipëria janë shumë larg pritshmërive të shoqërisë shqiptare nga të dy anët e kufirit shqiptar, lidhur me një integrim më të thelluar ekonomik mes tyre. U tha nga ish-kryeministri Berisha se porti i Shëngjinit do të ishte dhe porti i Kosovës, por kjo nuk ndodhi në të gjithë këto vjet, ashtu si Rama, pak orë më parë premtoi portin e Durrësit, si portin e përbashkët shqiptar. Duket se institucionet respektive që kanë ngritur të dy vendet nuk i përgjigjen thënieve patetike të kryeministrave të tyre, që shpesh vetëm imitojnë njëri-tjetrin, por që kanë sjellë shumë pak ndryshime, sepse pjesën më të madhe e humbin me retorikë. Rezultati: si Shqipëria dhe Kosova konsiderohen si vende primare për azilkërkues në Evropë, për të mos thënë përpjekjen e madhe për braktisje të vendit, që tregon hapur mungesën e shpresës.
Në fakt, megjithë këto mbledhje qeverish, dikasteresh është pritur që Shqipëria dhe Kosova ta kishin sot të institucionalizuar bashkëpunimin. Por, ai për hir të së vërtetës nuk funksionon, ashtu si pritet. Fusha konsullore, që është eksperimentuar deri më tashmë, nuk është se ka dhënë ndonjë pritshmëri të madhe mes vendeve tona, kurse shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës, në mënyrën sesi janë të organizuar këto institucione diplomatike mbesin krejt të pakënaqur nga nepotizmi në to dhe ineficensën skajore të tyre. Fakt, që Edi Rama e vuri në pah, por që në fund ricikloi të njëjtin ministër!!!Kurse, Haradinaj, thjesht për llogaritë e tij politike vendosi për ministër Behgjet Pacollin, një personazh, që nuk i qëndron dot atij formati.
Ndoshta është më mirë për të folur edhe më shumë në terma konkretë. Prej vitesh flitet dhe stërflitet për tregun e përbashkët kombëtar, por deri më sot nuk është bërë asgjë, kurse prodhimet shqiptare dhe ato kosovare vuajnë për disa produkte stigmën e njëra-tjetrës. Vezët, patatet, mielli, qumështi, shpesh kanë mbuluar me ditë debatet e dy vendeve, që janë fashitur pas angazhimeve intensive.
Konkludimi madhor i hapjes së Rrugës së Kombit nuk e ka justifikuar asfare nivelin e marrëdhënieve mes të dy vendeve tona. Specialistët vërejnë se në mes janë handikapë, dhe ato lidhen me politikat respektive ekonomike. Sado mirë të zhvillohen, niveli ende i ulët i zhvillimit të Shqipërisë dhe Kosovës, referuar specialistëve, lidhet me kufizimet në tregti dhe mosmarrëveshjet që arrijnë edhe prej mundësive të kufizuara që bizneset e të dy vendeve mund t’i ofrojnë njeri-tjetrit. Por mos më keq akoma, sërish referuar specialistëve të ekonomisë, njësoj Shqipëria, ashtu dhe Kosova do të jenë të varura edhe në të ardhmen nga shkëmbimet tregtare me vendet e tjera, pasi ekonomitë nuk munden që të plotësojnë nevojat e njëra-tjetrës për pjesën dërrmuese të produkteve të tregtuara, referuar Monitor.
Dhe, pengesë për zhvillim dhe afrim nuk janë kufizimet, por politikat e ngritura për konkurrencën e ndershme dhe organizimi i tregut të brendshëm, që kufizojnë gjithçka. Ndërkohë që Edi Rama dhe Haradinaj, vazhdojnë të flasin për vitin e Skënderbeut dhe ambasadat, ndërsa mund ta linin disi më të sfumuar pjesën e propagandës për të ndihur zhvillimet mes vendeve tona dhe kthimin e shpresës në to. Megjithatë si Rama dhe Haradinaj harrojnë në retorikat e tyre se janë thjesht kryeministrat e dy vendeve më të dobëta në Ballkan. (Javanews)