Pas vendimit të UEFA-s

I

Ta fillojmë me ndeshjen e futbollin të zhvilluar mes kombëtares shqiptare dhe asaj serbe. Ndeshja edhe pse ishte ndërkombëtare, ajo u zhvillua jashtë çdo rregulle të UEFA-s.

Ndeshja u përgatit dhe u zhvillua pa praninë e tifozëve të kombëtares shqiptare dhe pa praninë e asnjë simboli shqiptar (flamurit), çka nuk ka ndodhur në asnjë ndeshje të atij niveli në asnjë vend evropian. Shteti serb ishte përkujdesur që nga aeroporti i Beogradit (bile edhe më herët, kur është marrë vendimi që ndeshja të zhvillohej pa tifozët shqiptarë), të ushtronte një presion psikik për t’i frikësuar edhe ata pak njerëz (shqiptarë) që kishin shkuar për të përcjellë kombëtaren e tyre.

Ndërsa që me hyrjen në stadium, tifozët serbë kishin filluar thirrjet raciste për “vrasjen, therjen deri në zhdukje të shqiptarëve”, “Kosova është Serbi” dhe “kroatët t’i lëmë pa vëllezërit e tyre (shqiptarët)”. Deri edhe të fishkëllima e himnit kombëtar të Shqipërisë. Te gjitha këto thirrje raciste të ndaluara nga UEFA?! Si duket vetëm formalisht, gjatë gjithë kohës, për sa u zhvillua ndeshja, spektatorët gjuanin edhe me sende të forta në drejtim të lojtareve shqiptarë, gjuajtën edhe fishekzjarrë, për çka edhe u ndërpre ndeshja nga gjyqtari kryesor.

Të gjitha veprimet që u përmendën, nuk ka pasur shans të mos ishin të vërejtshme nga gjyqtarët e ndeshjes dhe delegati i UEFA-s i caktuar për të raportuar për ndeshjen.

Gjatë kësaj kohe mbi stadium u duk një fluturake (droni) që bartte një banderolë, që në fakt ishte më shumë se banderolë. Në banderolë ishin fotot e dy figurave të shquara të kombit, shqiponja në mesin e një harte që përfshinte trojet etnike të shqiptarëve, e cila mund të konsiderohet edhe si hartë e tifozëve te kombëtares shqiptare.

E cila u shfrytëzua nga tifozët e mllefosur serbë për të hyrë në fushë. Veprim ky i ndaluar rreptësisht nga rregullat e UEFA-s. Këtu me të drejtë, lojtarët e kombëtares shqiptare u vuan në mbrojtje të banderolës. Me atë gjest ata treguan një guxim të pashembullt, për çka ata u sulmuan nga të gjitha anët, nga lojtarë, tifozë dhe punëtorë të sigurisë serbe të stadiumit.

Pa marrë parasysh se ne shqiptarët lojtarët i trajtuam si heronj, në fakt ata ishin viktima të një sulmi të egër dhe jo vetëm nga ata që u futen në fushën e futbollit, por edhe nga ata që ishin jashtë fushës. Kushdo që i ka parë ata duke hyrë në kanalin e sigurisë, duke u mbrojtur nga një sulm i përgjithshëm, nuk ka mundur t’i trajtojë ndryshe futbollistët shqiptarë veçse si viktima të një sulmi të egër e të përgjithshëm.

Nuk ka dyshim se me vendimin e UEFA-s është vulosur viktimizimi i Shqipërisë i ndodhur pak ditë më parë në Beograd, aty ku sportistët shqiptarë ishin viktimë e racizmit serb.

Ne, shqiptarët, lojtarët e kombëtares i quajtëm heronj, por në të vërtetë ata ishin viktima të një sulmi të planifikuar e të organizuar mirë nga politika serbe.

Kjo që po e them, mund të shihet nga të gjitha fazat e përgatitjes së kësaj ndeshjeje futbolli, nga fazë e zhvillimit të saj në stadium dhe nga të gjitha zhvillimet që pasuan edhe nga zyrtarët më të lartë të shteti serb që u vuan me një sulm të koordinuar kundër shqiptarëve.

Për asnjë veprim pala serbe nuk ka treguar as më të voglën përgjegjësi?! Thua se pala shqiptare e ka pasur përgjegjësinë e organizimit të ndeshjes, pra sikur ndeshja të zhvillohej në Shqipëri e jo në Beograd.

II

Pas gjithë asaj që u tha, kësaj ngjarjeje “kapuçin me mangë” ia vendosi UEFA, e cila pa fije turpi e legjitimoi “turpin që ndodhi në Beograd”. Kështu ngjashëm, vendimin e UEFA-s e vlerësuan shumë medie evropiane dhe vetëm ajo që u tha nga mediet evropiane, mund të jetë në një masë satisfaksion për ne shqiptarët.

Pas ndërprerjes se ndeshjes në Beograd nga shumë anë u tha, se “ne nuk do të lejojmë që politika të ndërhyjë në futboll”. Por nuk u tha: kush bëri politikë në Beograd?

Mos në këtë rast politikë u konsiderua banderola që e barti droni? Po as sot e kësaj dite nuk dihet kush ishte autori i dronit? Madje, kush duhet të ishte përgjegjësi i sigurisë? Mos duhej Shqipëria me 22 lojtarë e pak tifozë, kryesisht zyrtarë e përfaqësues të medies ta siguronin stadiumin e Partizanit në Beograd?

Por, vendimi që u mor nga UEFA, tregoi se vendimi ishte kryekrejt politik, pasi nuk përfilli asnjë rregull të Rregullores se UEFA-s. E pra, kush bëri politikë me futbollin? Një vendim i tillë nuk mund të gjendet në arkivat e deritashme të UEFA-s!

Problemi kryesor nuk është këtu për ne shqiptarët, por kjo në një mënyrë a tjetër tregon për qëndrimin zyrtar jo vetëm të UEFA-s për Shqipërinë e shqiptarët, por edhe për vendet prej nga vijnë zyrtarët vendimmarrës të UEFA-s në ketë rast!

Te cilat vende, nuk mund të trajtohen ndryshe, veçse vende me një miqësi tradicionale për shqiptarët! Nuk ka asnjë dyshim se politika serbe dhe e përkrahësve të tyre ndikuan në atë vendim, por ku ishte Qeveria shqiptare? Qeveria shqiptare ishte në “Facebook”, komunikonte me opinionin e vendit.

Në vend se Qeveria shqiptare të merrte hapa (vendime) të fuqishëm politik/e, duke e thirrur ambasadorin serb në Tiranë, duke i dërguar notë proteste Beogradit dhe duke komunikuar me Brukselin për dhunimin e futbollistëve të kombëtares shqiptare, simboleve të shtetit dhe atyre pak qytetarëve të Shqipërisë që ishin atë ditë në Beograd, ajo mjaftohej me ndonjë postim në fb.

Ndërsa, mediet shqiptare u rrëmbyen me euforinë për trimërinë dhe guximin që shpërfaqen në Beograd lojtarët e kombëtares sonë. Kështu, Serbisë iu la terreni i lobimit krejtësisht i lirë. Madje, ata ishin në union me të gjitha institucionet e politikën e shtetit dhe mediet. Pra, ata nuk ishin të çakorduar si ne shqiptarët!?

Me gjithë qëndrimin e tyre burrëror, lojtarët e kombëtares ishin viktima të një sulmi primitiv të një shovinizmi të shfrenuar të gjithanshëm serb. Euforia jonë, ndoshta bëri që FFSH-ja e Shqipëria të ishte “fajtori”, ndërsa pala serbe (FFS), secilës i përkiste i tërë organizimi, të trajtohej nga UEFA si viktimë?!

Shqiptarët duhet ta nxjerrin mësimin e duhur nga kjo ngjarje. Pse ndodhi kjo? Mos është kjo se shqiptarët nuk janë të mirëpritur në BE? Pasi vendimi i UEFA-s është politik, mos ai vendim është rezultat i imazhit që ka politika shqiptare në Evropë? Apo pse shqiptarët veç mbështetjes amerikane, nuk mund të presin mbështetjen evropiane?!

Dikush në Shqipëri e në Kosovë apo ndonjë trupë profesionale e shqiptarëve në përgjithësi, duhet të merret më me seriozitet me ketë çështje (fenomen), për të nxjerrë mësimin e duhur nga ky vendim politik i UEFA-s dhe jo vetëm i saj.

Ne shqiptarët, e veçmas politika shqiptare e tri qendrave (Tirana, Prishtina dhe Shkupi), e kanë për obligim që ta ndryshojnë substancialisht imazhin e kombit, së pari, për vetën tonë e së dyti, për të tjerët (BE-në).

*Marrë nga Zëri

SHKARKO APP