Patozi: Endrra me ngjala vazhdon

NGA ASTRIT PATOZI*
Nëse qeveria do të kishte qenë një kompani private, seanca e sotme do te kishte vlerën e shpalljes së falimentit të saj në bordin e përfaqësuesve të aksionerëve. Ky është pak a shumë thelbi i debatit të sotëm, i cili përpiqet të mbulojë dhe gjoja të riparojë humneren e frikshme, që ka krijuar mungesa e rreth 250 milion dollarëve në arkën e përbashkët të shqiptarëve. Per mua kjo që po bëjmë sot është si të ndërtosh një urë me carcaf dhe të presësh që mbi të të kalojnë makinat. Për kryeministrin dhe për të tijët, kjo është një gjë normale, që ka ndodhur edhe më parë.

Natyrisht, mos prisni prej meje të krahasoj shifrat dhe të analizoj zërat më të prekur të buxhetit. Nuk është ndonjë modesti për tu krenuar nëse them se nuk jam ekspert i kësaj fushe dhe se nuk dua të përsëris kolegët që po e bëjnë me profesionalizëm punën e tyre. Por është fare e qartë për këdo se kjo gropë e madhe në buxhet ka vetëm dy shpjegime. E para, që qeveria vjedh. Madje, jo vetëm vjedh, por e ka dorën shumë të rëndë. Dhe e e dyta, që ajo është krejtësisht e paaftë.
Sipas meje meje, janë të dyja bashkë, por meqë ato që mendoj unë mund ta paragjykohen, po e lë kryeministrin të zgjedhë vetë se cila nga të dyja i intereson më shumë. Dhe unë jam i hapur të pranoj cfarëdo zgjedhje të tij.

Nuk besoj se ka nevojë të jesh financier për të kuptuar se ky krim me financat publike na është shkaktuar kryesisht prej tatimeve dhe doganave, por po të dëgjosh konsideratat e Edi Ramës për zonjushën e Tatimeve, i bie që të paftë dhe hajdutë janë ata që e kërkojnë mbledhjen e të ardhurave. Me pak fjalë të gjithë aksionerët e kësaj kompanie të falimentuar, shqiptarët, që vidhen dhe abuzohen nga qeveria e vet, por edhe ne si përfaqësues të tyre, që kërkojmë qiqra në hell. Në këtë pikë ka mbërritur absurdi në këtë vend.

Në cdo shtet serioz do të kishte mjaftuar vetëm ky argument që qeveria të shpallej publikisht e paftë, por pse jo edhe kleptokrate. Edhe në Shqipëri nuk është vetëm opozita që e shpreh pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe e pranon që ekonomia po lëngon, ndonëse pa i përmendur shkaqet. Nuk po flas këtu, as për njerëzit e thjeshtë që u është rënduar shumë jeta në këto dy vjet, as për biznesin, që është I gjithi në unison për këtë cështje. Ju e keni dëgjuar besoj Ilir Metën, por edhe të tjerë përfaqësues të mazhorancës që janë prononcuar për ngecjen ekonomisë. Natyrisht, arsyet e tij mund të jenë krejt të tjera me tonat, ai mund të ketë shqetësim për fitimin e munguar dhe kërkon rishpërndarjen e tij, por e rëndësishme është që ngecja e qerres së qeverisë pranohet botërisht, edhe nga ata që praktikisht gjenden brenda saj.

Pyetja që të vjen ndërmend pas kësaj është se përse duhet një qeveri, e cila, në rastin më të mirë, është e pazonja të bëjë minimalen, të mbledhë të ardhurat që vetë i ka planifikuar dhe që i ka zënë frymën ekonomisë së vendit? Sipas cdo standarti normal ajo duhet të largohej, edhe sikur të mos kishte asnjë të metë tjetër. Por a jemi ne te ky rast? Asolutisht jo. Madje, ne jemi katandisur, sa po të kishim vetëm këtë hall, ndoshta mund t’ia kishim falur qeverisë edhe vjedhjen e parave publike edhe pazotësinë e saj.

Por në këto dy vjet, Shqipëria është shndërruar me shpejtësi në një vend të pashpresë, ku gjithkush rreket të largohet e të kërkojë azil nëpër Europë. Madje nuk e teproj po ta them se këtë gjë janë gati ta bëjnë edhe deputetët. Që të mos gëzohet njeri kot para kohe, unë vetë nuk bëj ende pjesë tek kjo kategori, por do të mirëkuptoja këdo tjetër që është lodhur nga zhgënjimi. Sigurisht, ata shqiptarë që nxitojnë të lënë vendin e tyre nuk ikin për shkak të gropës së buxhetit të shtetit. Shumica e tyre, as nuk e dinë, por ndoshta as e kuptojnë këtë që po realisht ndodh me financat tona, por që të gjithë ata e ndjejnë njësoj tatëpjetën, që nuk po ndalet.

Ata ikin edhe për faktin se nuk kanë më asnjë shpresë se prej kësaj salle mund të dalë ndonjë gjë e mirë për ta. Dhe të mendosh se këtu presupozohet të jetë zemra e kësaj republike të shëmtuar, që kemi ndërtuar. Dhe nuk e kanë gabim. Sepse ky parlament ka rënë, jo thjesht se Armando Prenga qiti pushkë në mes të mexhlisit. Por sepse në më pak se një vit janë të paktën 7 deputetë të shumicës që kanë dorëzuar imunitetin ose kanë lënë mandatin, për ngjarje të rënda, disa prej të cilëve kanë përfunduar në burg. Nëse do të bënim një karahasim, është njësoj si në Uashington të kishim 30 apo më shumë kongresmenë dhe senatorë të lidhur me krimin ose me probleme të rënda me ligjin. Mendoni që në Capitol Hill do të valëvitej njësoj i pashqetësuar flamuri amerikan? Këtu kemi mbërritur dhe jo për një ditë. Dhe jo rastësisht. Është fundi i pashmangshëm dhe krejtësisht i palavdishëm i një filozofie të shmëtuar ku “të fortët” janë ftuar për t’iu imponuar me dhunë popullit të vet, për t’i marrë me forcë votën, pastaj bukën, dhe në fund fare, pse jo, edhe shpirtin.

Dhe mos fërkojë njeri duart kot se mund t’ua quajë njeri si kontribut për dekriminalizimin faktin që “Revolucioni po ha bijtë e vet.” E morët edhe mesazhin e djeshëm të rrugës të Elbasanit, të ftohtë dhe të akullt. “I shkofshin prapa, të tjerët, po mos u mburrni shumë”. Sepse Edi Rama nuk ka bërë asnjë gjest me vullnetin e tij në këtë drejtim, por që të gjitha kanë qenë lëvizje të detyruara, që nga Tom Doshi e Mark Frroku, të cilët u larguan si kundërshtarë, dhe jo si problematikë me ligjin, e deri tek Armando Prenga, që u përjashtua nga PS vetëm pasi i kishte qëlluar gjysmës së Lacit.

Është jashtë cdo dyshimi se brenda kësaj salle ka plot burra dhe gra me një barrë dinjitet, edhe nga pjesa e mazhorancës, që nuk kanë asnjë lidhje me këtë femomen. Secili prej nesh, që nuk kemi dhunuar, vrarë, abuzuar apo grabitur ndonjëherë, nuk mund të ketë përgjegjësi kryesore për këtë histori të trishtuar. Është shumë e vërtetë se Edi Rama do të mbajë sa të jetë gjallë mbi shpinë barrën e përgjegjësisë për ngritjen e kultit të banditëve dhe të përfaqësimit më të lartë politik të kësaj race, duke i sjellë ata direkt e nga rruga në këtë sallë. Por mendoj se edhe ne të tjerët nuk mund të jemi fare fare dorëjashtë. Në mos kemi edhe ne nga një cikë përgjegjësi, të paktën duhet të ndjehemi pak të poshtëruar, pak të cënuar, pse jo edhe pak të përlyer, për kaq sa ka ndodhur deri tani. Dhëntë Zoti, e mbyllet me kaq, por asgjë nuk është e sigurt. Dhe a mund të ketë njeri prej nesh kurajon e t’u thotë që të mos ikin atyre që po lënë më shumë se sirianët atdheun e tyre?

Ata ikin se Shqipëria e tyre është shndërruar në magazinë gjigande droge dhe se harta e hashashit nuk po kursen as lagjet e qyteteve kryesore të vendit. Se për zonat rurale, as që bëhet fjalë. Unë nuk jam aq naiv sa të besoj se e gjithë kjo dalldi kombëtare në kultivimin e kamabisit vjen për shkak të një lobimi gjysëm të marrë dhe gjysëm tinzar të deputetit Kokëdhima. Por kam gjithë të dhënat të besoj se ekziston një licencë e pashkruar që u është dhënë bandave me lidhje politike në gjithë vendin për të mbjellë dhe korrur drogë në territoret e tyre. Është një mënyrë për t’i shpërblyer pa kosto ata, por ndoshta edhe një ëndërr naive se hyja e parave të drogës në Shqipëri mund t’i japë pak oksigjen ekonomisë së cfilitur nga vjedhjet dhe zullumet e qeverisë.

Këto ditë kam ndjekur me keqardhje se, jo vetëm ministri i Brendshëm, por edhe e gjithë tifozeria rilindase rretull tij, gëzoheshin si fëmijë, ngaqë avioni i fundit që u kap me drogë shqiptare në Itali, nuk paska mbërritur direkt nga Shqipëria në Piemont, por paska bërë një ndalesë në Lecce për furnizim. Dhe kjo e shpëtomte atë nga përgjegjësia, e cila, për cudi, i kaloka opozitës. Kjo nuk është vetëm qesharake, por edhe tronditëse. Po të marrim për një cast se ia futi kot edhe policia italiane, edhe shtypi i huaj edhe Partia Demokratike, po deshët, për këtë rastin e fundit, ndonëse nuk është hic kështu. Po ta fal një avion mor zoti ministër, ndonëse nuk e kam këtë të drejtë. Se nuk kam ku ti coj ato 400 mijë euro për një rrugë. Nuk janë pak, apo jo? Po ai para një jave, po ai i Divjakës, po të tjerët, qe nuk mbarojnë, ku do t’i fusësh?

Me këtë që po ndodh në cdo cep të vendit, ne na takon sot t’i kërkojmë falje publike Lazaratit, sepse i bie qe e kemi përgojuar me vite të tëra, për një krim që nuk e paskësh kryer kurrë, sipas standarteve të reja të “Rilindjes”. E di që ju irriton kjo që po them, madje ju jep mundësi të përmendni kohën tonë, të përmendni Gërdecin, 21 janarin, dhe klishete e tjera, që i kini në majë të gjuhës, sa herë keni ndonjë siklet të madh, por kjo nuk ju ndihmon. Megjithëse kam një qasje krejt të ndryshme me ju për këto tema, ju siguroj që edhe sikur të kishit të drejtë për ato që thoni, cdo piruetë për ta rikthyer debatin tek e shkuara, as nuk justifikon, dhe as nuk ju ndihmon. Sepse me të mirat dhe me të këqijat tona, me të drejtë apo me të padrejtë, ne e kemi marrë një faturë më 23 qershor, dhe që prej mëse dy vjetësh koha rrjedh pa mëshirë për t’ju provuar ju. Dhe për të qenë realistë, ju nuk është se po rrini duarkryq. Po e shfrytëzoni cdo sekondë.

Po bëhem për një cast avokat i ministrit të Brendshëm dhe po bëj sikur po e besoj se ai dhe qeveria e kanë seriozisht aksionin për të ndalur drogën që po shkon nga Shqipëria drejt Europës. Po me kaq hashash sa është mbjellur këtu, edhe flotën e shtatë amerikane pot të sjellësh, nuk ia del dot ta pengosh. Është njësoj si të ndalësh lumin, që të mos derdhet në det. Le më në kushtet, që këtu oficerë të lartë policie kanë rezultuar hallka të rëndësishme të trafikut. Ndaj edhe droga nga Shqipëria vërshon nga deti, nga ajri dhe nga toka, me anije, me gomone, me maune, me makina, me mushka, me gomarë, me helikopterë, por edhe me avionë.

Njerëzit tanë po ikin se këtu nuk ka asnjë shpresë se mund të bëhet drejtësi. Se këtu mund të kalbesh në burg për një faturë të energjisë, nëse je njeri i thjeshtë, dhe duhet të vrasësh mbi 5 vetë që të arrestohesh nga policia, nëse ke lidhje politike. Sepse shikojnë që pushteti, është i pangopur vetëm me nënshtrimin e gjyqësorit, i cili është sot tërësisht në gjunjë të mazhorancës, por do ta cojë bisturinë edhe më thellë. Janë shumë të trasha dhe anakronike ato thirrjet dhe ankesat tuaja për të cliruar drejtësinë, të cilën gjoja e kontrolloka opozita, ose më saktë, Saliu. Qofsha i gabuar, por instikti politik më thotë se një drejtësi kamikaze të duhet vetëm nëse ke ndërmend të asgjësosh kundërshtarin politik, sepse nuk e ke për halle të pushtetit. U bënë shumë muaj që në gjykatat tona nuk jepet më asnjë vendim kundër ekzekutivit, përfahirë këtu edhe pushimet e paligjshme nga puna.

Sot ne pretendojmë të bëjmë reformën e madhe në drejtësi me votat e atyre që edhe në ambjentet e këtij Kuvendi, por edhe kudo i është dhënë rasti, kanë provuar se janë kontigjente të policisë dhe problemi real i kësaj shoqërie. Dhe ku kryeministri kërcënon se mund ta bëjë reformën edhe pa opozitën, ndonëse me rezultatin e 2013-es i duhen plot 11 vota, pa llogaritur Doshin, Frrokun e ndonjë tjetër, që deri sot të paktën mungojnë në apelin zyrtar të mazhorancës.

Njerëzit ikin me nxitim edhe se këtu nuk bëhen zgjedhje, por votime. Se këtu votat blihen ose vidhen me të njëhtën lehtësi me të cilën mbillet hashash apo kalon një makinë pa doganë. Ata po ikin se nuk ishte nevoja të prisnin raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it për të kuptuar se sëmundjet më të këqija të zgjedhjeve të shkuara në këtë vend u kthyen me një shpejtësi të frikshme në vetëm dy vjet të kësaj qeverie dhe se nuk ka asnjë shenjë që nuk do të ndodhë si me zogjtë e korbi në të ardhmen.
Njerëzit po ikin, sepse kanë kuptuar që halli më i madh i kryeministrit të tyre nuk është as lulëzimi I krimit, as zgjedhjet, as plantacionet e hashashit, as droga me avion, as cmimi stratosferik i naftës, as korrupsioni, as grabitjet e zyrtarëve të shtetit, as ekonomia e vendit, as xhepi i tyre, madje as eksodi biblik i tyre, por hatërmbetja e Ilir Metës, prej së cilës me sa duket po e shpëton disi halli i përbashkët që i ka zënë pas ngjarjeve të papritura në Qarkun e Lezhës.

Shqiptarët po ikin edhe se lexojnë, ndoshta edhe me ndihmën e Ilir Metës, se kryeministri i tyre, ditën që shpreh admirimin për ministrin e Brendshëm apo drejtoreshën e Tatimeve, i ka dërguar Saimir Tahirit dhe të gjitha ministrave të tjerë një email, ku i thotë se janë, edhe të paaftë, edhe harbutë dhe se mund t’I fshijë nga faqja e dheut me një klikim.

Ndaj edhe ky problemi i sotëm i gropës së buxhetit nga babëzia dhe paaftësia e kësaj qeverie, që do të kishte shkundur cdo parlament tjetër në botë, ngjan si një ngjarje e zakonshme. Se kjo qeveri ka një meritë të pamohueshme. Ia ka dalë në një kohë fare të shkurtër që ta relativizojë të keqen. Ndaj edhe ta gezosh buxhetin e ri Edi Rama! Të bëftë mirë edhe kafja e së hënës me Ilirin! Endrra me ngjala vazhdon.

Fjala sot në Kuvendin e Shqipërisë

SHKARKO APP