Pavarësia e Shqipërisë dhe ideja iluzioniste e daljes në Adriatik
Nga Skënder Latifi
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912 shënon fazën e re të ndryshimeve gjeopolitike të Ballkanit pasosman. Pavarësisht lindjes së shtetit shqiptar, krijimi i tij u pranua shumë vështirë nga fqinjët e shqiptarëve. Kështu, sovranitetin e Shqipërisë, qysh nga dita e 28 nëntorit të vitit 1912, e vuri në pikëpyetje Serbia fqinje, e cila në radhë të parë e kontestoi ekzistencën e vetë shtetit, më pastaj të kufijve shtetërorë, dhe së fundi në mendësinë serbe u rrënjos ideja e daljes në Detin Adriatik të shtetit serb, ide kjo e cila në shekullin e kaluar mori shumë jetë të shqiptarëve dhe të serbëve, por fatkeqësisht ajo ide ushqehet akoma me projekte famëkeqe, siç është ai i kohëve të fundi, pra i realizimit të “Botës serbe”. Lidhur me realizimin e idesë së daljes në bregdetin shqiptar, me interes është edhe “Memorandumi mbi Shqipërinë” dërguar kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson, nga ana e delegacionit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene në Konferencën e Paqes, në dhjetor të vitit 1919. Teksti i mëposhtëm është ndërtuar mbi lëndën arkivore të kohës, pjesë e së cilës është edhe teksti integral i memorandumit që po e sjellim para lexuesve. Dhe radhitet projekti i adjutantit të mbretit të Serbisë, gjeneralit Milisavleviq mbi luftimin e idesë së krijimit të Shqipërisë natyrore në Kosovë dhe Maqedoni
Shqipëria e ka shpallur pavarësinë, ndërsa Stambolli është neutral ndaj kryengritësit Ismail Qemali
“Ekselenca jonë, po shpejtoj që sa më parë t’ju informoj për një ngjarje të jashtëzakonshme dhe me rëndësi për jetën kombëtare të shqiptarëve. Përfaqësuesit e të gjitha krahinave shqiptare, pa dallime feje, janë tubuar sot në Vlorë, dhe si përfaqësues të Kuvendit Kombëtar e kanë shpallur Pavarësinë e Arbanisë. Me këtë rast është formuar edhe Qeveria e Përkohshme. Shqiptarët janë fatlumë që po hyjnë në familjen e kombeve të Gadishullit Ballkanik, që për nga origjina e tyre janë vëllezër të vjetër me kombet e tjera. Pasi nuk kanë qëllim tjetër përveçse të rrojnë në paqe me të gjitha shtetet fqinje, shqiptarët shpresojnë se mënyra e re e ndryshimit të jetesës, në radhë të parë Qeveria e Përkohshme e Arbanisë, do të pranohet nga Qeveria Mbretërore (e Serbisë), që armiqësitë mbi tokën e tyre nga ana e ushtrisë serbe do të pushojnë dhe se krahinat që janë pushtuar nga fuqitë e huaja do t’iu lihen atyre”, është telegrami i shkruar në frëngjisht dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Serbisë, më 29 nëntor të vitit 1912 nga Vlora. Është për t’u habitur se në fund nuk jepen emri dhe mbiemri i dërguesit, ndërsa gjykuar për nga niveli i manifestimit të urrejtjes ndaj vetë aktit, dyshohet se dërguesi i këtij telegrami të rëndësishëm do të ketë qenë ndonjë diplomat serb apo ndonjëri prej anëtarëve të Lëvizjes Çetnike që ato ditë u gjet në Vlorë.
Ndërsa në rrjedhën e përcjelljes së paraqitjes së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në shtypin ndërkombëtar nuk vërehet fryma e paraqitur në telegramin që është dërguar nga Vlora. Pa dyshim se qarqet politike të Serbisë acaroheshin sidomos kur publikoheshin harta të Shqipërisë dhe në territoret e shtetit të porsakrijuar përfshiheshin edhe qytete të Kosovës, por edhe të Maqedonisë.
“Gazetat e sotme me entuziazëm e kanë përshëndetur Shqipërinë autonome. Gazeta ‘Budapesti’ e ka publikuar edhe hartën e Shqipërisë, në të cilën është përfshirë edhe një pjesë e Vilajetit të Kosovës, Mitrovica, Gjakova, Peja dhe Shkodra. Më pastaj, të gjitha gazetat me kënaqësi e kanë publikuar lajmin nga Sofja, gjegjësisht deklaratën e kryeministrit bullgar Ivan Geshov, se midis shteteve ballkanike para luftës nuk ka pasur biseda rreth ndarjes së territoreve të pushtuara. Nga publikimi i hartës duket qartë se Austria e ka për qëllim që ta përcaktojë hartën e ardhshme të Shqipërisë në dëm të Serbisë, ndërsa nga fjalimi i Geshovit shpresohet që bullgarët do të dalin me kërkesat e tyre të reja dhe territoret e pushtuara nga ana e ushtrisë serbe do t’i përkasin Bullgarisë. Pra, qëllimi është që të ngushtohet dhe të dëmtohet Serbia”, raportonte konsulli serb nga Budapesti më 1 dhjetor 1912.
Ndërsa ndër raportet diplomatike të shkurtra, që janë dërguar ato ditë nga Vlora është njëri që e paraqet qëndrimin që pushteti vendor, por edhe ai qendror turk, mbajti ndaj vetë Ismail Qemalit.
“Në pyetjen që iu drejtua mytesarifit të Vlorës se çfarë qëndrimi do të mbajë ai ndaj Ismail Qemalit si kryengritës, përgjigjja kishte ardhur nga Stambolli se mytesarifi duhej të mbahej neutral”.
Serbia dhe Pavarësia e Shqipërisë si punë e kryer
Qysh në javën e parë të dhjetorit të vitit 1912, duke e kuptuar si punë të kryer Pavarësinë e Shqipërisë, kryesuesi i Këshillit të Ministrave dhe ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, vllehu Nikola Pashiq, në telegramin dërguar misionit diplomatik të Serbisë në Greqi më 7 dhjetor 1912, ka shkruar se “tashmë kur të gjitha fuqitë e mëdha e kanë pranuar Shqipërinë autonome, ne duhet ta braktisim kërkesën tonë për ndarjen e Shqipërisë. Do ta pranojmë Shqipërinë autonome në kufijtë e ngushtë, që do të fillonin nën Durrësin dhe do të shkonin bregdetit drejt jugut deri te vija e pretendimeve greke, ndërsa në lindje deri në hinterlandin më të skajshëm jugor. Ne dëshirojmë ta fitojmë Durrësin me hinterlandin në lindje dhe prej Durrësit të gjithë vijën bregdetare deri në Lezhë. Mendimi ynë është që çdo mosmarrëveshje midis aleatëve duhet fshehur nga publiku dhe duhet të veprohet deri te arritja e paqes me Turqinë. Ndërsa ne do t’i kthehemi edhe një herë shtypit beogradas dhe paraqitjes së aktit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në faqet e tij”. Kështu gazeta “Pravda” e 29 nëntorit 1912 shkruante se “Ismail Qemali ka udhëtuar për në Vlorë, por krerët shqiptarët janë të përçarë, pasi ortodoksët janë kundër Pavarësisë së Shqipërisë!”. Ndërsa një ditë më vonë gjithashtu në faqet e gazetave beogradase u transmetua lajmi i agjencisë italiane “Stefani” se “më 28 nëntor flamuri shqiptar është ngritur në Vlorë. Ngritja e flamurit ishte përcjellë me gëzim të madh nga shqiptarët e tubuar që ishin në numër të madh”. Më tej thuhej se “kolonat e formuara prej njerëzve duke e kënduar himnin shqiptar kanë festuar para konsullatave të Italisë dhe të Austro-Hungarisë”.
Dalja e Serbisë në Detin Adriatik nëpërmjet luginës së lumit Drin
“Zgjidhjes së çështjes shqiptare po i vjen fundi. Kjo çështje është e lidhur ngushtë me çështjen e Adriatikut, dhe kjo tashmë ka ardhur në radhë dhe duhet kërkuar zgjidhje me të cilën do të pajtohej Qeveria amerikane, gjegjësisht kryetari Wilson dhe Italia. Më pastaj me këtë zgjidhje duhej të pajtoheshin aleatët tanë Franca dhe Anglia, të cilët me të vërtetë kujdesen për kërkesat tona, por ata, megjithatë, e vlerësojnë se ne duhet ta pranojmë atë zgjidhje, të cilën e miraton kryetari i SHBA-së, Wilson. Çështja shqiptare është e lidhur me atë të Adriatikut, pikë së pari, sepse është në lidhje natyrore me të dhe e dyta, pasi vlerësohet si çështje e kompensimit. Delegacioni i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, në notat që ia ka dërguar Konferencës së Paqes, ka marrë qëndrim se e pranon pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë që Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 i ka rregulluar me kusht që Italia ta braktisë Vlorën dhe me kusht që Italia t’i pranojë vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913”, thuhet në një raport të datës 23 dhjetor 1919 të nënshkruar nga Nikola Pashiq.
Në mbledhjen e radhës të datës 29 dhjetor të vitit 1919, të mbajtur në ora dhjetë e një çerek, kryeministri Pashiq e ka paraqitur “qëndrimin e deritanishëm në lidhje me Shqipërinë dhe çështjen e saj tani, duke pohuar me sigurinë më të madhe se çështja shqiptare do të zgjidhet bashkërisht me çështjen e Adriatikut. Ai e ka potencuar se nuk duhet lënë vend pesimizmit, pasi është i bindur se aleatët e shtetit serb, së paku do t’ia sigurojnë Serbisë daljen në det nëpërmes luginës së Drinit.
Memorandumi i Mbretërisë SKS dërguar kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson
Megjithatë, Qeveria e Mbretërisë Serbo – Kroato – Sllovene lidhur me kufijtë e Shqipërisë dhe daljen në Detin Adriatik të Serbisë ia ka drejtuar një memorandum kryetarit të 28-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodrow Wilson (1856-1924), përkundër qëndrimit të tij në favor të krijimit të shtetit të pavarur shqiptar.
Teksti integral i Memorandumit, që po e sjellim para lexuesve ruhet në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd.
“Duke e vlerësuar, me një falënderim të veçantë përkrahjen që në kontestin tonë me Italinë, çështja jonë e drejtë ka hasur te kryetari Wilson, delegacioni i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene ia lejon vetes që kryetarit t’ia paraqesë qëndrimin e lidhur me çështjen shqiptare. Në të gjitha rastet e deritanishme, delegacioni i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene gjithnjë e ka potencuar nevojën që Shqipëria të jetë shtet i pavarur në kufijtë e vitit 1913 dhe administrimi mbi të t’i besohet një qeverie popullore, pa asnjë përzierje nga ndonjë fuqi e huaj, dhe mu për këtë nuk ka vend për frikë, se mosmarrëveshja midis Italisë dhe Jugosllavisë do të mund të zgjidhej me anë të kompensimeve në llogari të kombit shqiptar. Çështja e Adriatikut ka fituar rëndësi të veçantë si çështje botërore, dhe sipas një gjykimi të përgjithshëm, prej zgjidhjes së kësaj çështjeje varet ardhmëria jo vetëm e palëve të interesuara, por edhe paqja në Evropë. Bile, ndoshta asnjë pjesë e kësaj çështjeje nuk përmban më vete aq rrethana për paqe, mu ashtu siç përmban çështja shqiptare. Duke i pasur parasysh imazhet e gjalla të ngjarjeve, që pas Kongresit të Berlinit e pasuan hyrjen e Austro-Hungarisë në Ballkan, duhet patjetër të vihet në përfundim se shkelja e parimit ‘Ballkani – popujve të Ballkanit’ e vë në pikëpyetje paqen ballkanike, por edhe paqen e përgjithshme. Mu për këtë, afrimi i çfarëdo privilegji pozitës së Italisë në atë pjesë të Gadishullit Ballkanik do të krijonte terren të ri për lindjen e sërishme të mosmarrëveshjeve midis Jugosllavisë dhe Italisë, e cila i ka rreth 500 kilometra vijë kufitare me Shqipërinë. Me vetë zonën e Vlorës, Italisë do t’i jepej mundësia që nëpërmjet këtij porti më të rëndësishëm shqiptar të fitojë rëndësi vendimtare ekonomike, por edhe rëndësi politike mbi vetë Shqipërinë. Pasojë e natyrshme e një gjendjeje të tillë do të ishte që një Shqipëri e tillë e varur nuk do të mund lirisht të merrte pjesë në jetën ekonomike dhe politike të Gadishullit Ballkanik, por edhe shteteve të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe Shqipërisë do t’iu pamundësohej vendosja e marrëdhënieve, në të cilat i shpien fqinjësia e drejtpërdrejtë dhe interesat e përbashkëta.
Nëse Italia do të hynte në Ballkan, pra nëse ajo do të instalohej në Vlorë definitivisht, atëherë do të krijohej situatë e njëjtë siç e potencuam më lart.
Por, kur ajo do ta fitonte edhe mandatin mbi Shqipërinë, përfshirë edhe Shkodrën, ashtu siç është paraparë me Memorandumin e 9 dhjetorit të vitit 1919, situata do të përkeqësohej edhe më tepër. Në këtë mënyrë kundrejt shtetit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, Italia do ta fitonte në duar një mjet të fuqishëm jo vetëm në pikëpamjen politike e ekonomike, por edhe në planin strategjik. Pikë së pari Italia ka interesa ekonomike të rendit të parë në Shqipërinë Veriore. Ashtu siç Rijeka (sot Kroaci) është dalje natyrore në det në viset veriore të Jugosllavisë, ashtu janë zonat jugore të Jugosllavisë, dhe ato e paraqesin të vetmen rrugë natyrore me dalje në det nëpërmjet luginës së Drinit dhe Shkodrës. Këto, pra, janë dy çështje të ndara, dhe as njëra e as tjetra nuk mund të shërbejnë për kompensim, prandaj Jugosllavia nuk do t’i bëjë kurrfarë lëshimi Italisë në kufirin e saj te Rijeka si këmbim për përmirësimin e kufirit të Shqipërisë dhe anasjelltas. Ashtu siç synohet që në pjesën veriore, që influencë italiane të mos ketë mbi hekurudha dhe Portin e Rijekës, njëjtë duhet vepruar edhe në pjesën jugore, pra për të njëjtat arsye do të duhej të përjashtohej administrata italiane në Shqipëri. Jugosllavët nuk mund ta lejojnë që një hekurudhë e tillë e rëndësishme, sikur që është hekurudha Danub – Adriatik, të jetë në varësi të Italisë, dhe kur zgjedhja përfundimtare do të ishte në kundërshtim me interesat e tyre, shteti i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene do të detyrohej që në dëm të saj dhe në dëm edhe më të madh të Shkodrës dhe rrethinës, të heqë dorë nga ndërtimi i hekurudhës, përderisa Italia administron krahinën e Shkodrës. Kështu, punët në Bunë, prej të cilave popullsia e Malit të Zi është duke e pritur zhvillimin ekonomik, do të ndalonin, pra punët rreth kthimit të tokave të përmbytura në një rrugë të vetme tregtare. Pra, do të ishte vendimtare sikurse do t’i lejohej Italisë që t’i zgjasë duart mbi Rijekën dhe Shkodrën, në dy pikat dalëse në det, që në fakt janë daljet kryesore jugosllave në det dhe aq më tepër që Italia tashmë e ka në dorë Triestën, ndërsa Vlora vetëm se i është premtuar”.
“Veriu i Shqipërisë duhet t’i besohet Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene”
Memorandumi i Mbretërisë SKS dërguar kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Woodroë Wilson, vazhdon edhe me kërkesën që “Veriu i Shqipërisë duhet t’i besohet Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene”
“Edhe nga pikëpamja e sigurisë së jashtme, pozita e Mbretërisë Serbo – Kroato – Sllovene do të vështirësohej bukur, nëse Italia në çfarëdo forme do t’iu afrohej kufijve jugorë jugosllavë, por veçmas kur mandati i Italisë do të shtrihej edhe mbi Shqipërinë e Veriut, me Shkodrën si qendër kryesore. E futur në dara, midis një Shqipërie të tillë dhe Bullgarisë, Mbretëria Serbo–Kroato–Sllovene do të ishte e ekspozuar ndaj rreziqeve të përhershme që do të sillnin pasoja të rënda. Me Memorandumin e 9 dhjetorit është i pamundur demilitarizimi i paraparë në vepër i Shqipërisë. Pasi që populli shqiptar nuk do të heqë dorë nga ideja e pavarësisë së plotë, që është plotësisht e natyrshme, dhe pasi çarmatosja e shqiptarëve thuajse do të ishte e pamundur, atëherë mandatari i caktuar do të merrte çdo vit leje nga Liga e Kombeve që trupat të mbaheshin në Shqipëri. Në anën tjetër, duke u shërbyer prej anash me Shkodrën dhe rrethinën e saj si bazën më të qëlluar kundër Mbretërisë Serbo–Kroato–Sllovene, agjitacioni italian për të cilin nuk mund të afrohen kurrfarë garancish, lehtësisht do t’u japë përkrahje intrigave në Mal të Zi dhe në ‘Serbi të Vjetër’. Kështu, pra, kufiri ynë jugor do të ishte në rrezik të jashtëm dhe të brendshëm, dhe së shpejti do të shpërthenin edhe konflikte të pashmangshme. Prandaj nëse Italia hyn në Shqipëri, atëherë është në interes të paqes që pozita e Mbretërisë Serbo–Kroato–Sllovene të paktën të përforcohej në Shqipërinë Veriore.
Për të gjitha këto probleme çështja shqiptare duhet të vendoset në baza të shëndosha. Delegacioni i Mbretërisë Serbo–Kroato–Sllovene ia ka potencuar Konferencës së Paqes se dhënia e mandatit në Shqipëri nuk është në harmoni me nenin 22, alinenë 4 të Paktit të Ligës së Kombeve, pasi qysh nga viti 1913 Shqipëria ka qenë shtet i pavarur dhe, megjithatë, nëse do të vinte deri te vendosja e mandatit ndërkombëtar mbi të, atëherë në bazë të të njëjtit nen do të duhej të merreshin parasysh dëshirat e vetë popullit me rastin e zgjidhjes së mandatarit. Mirëpo është i parëndësishëm fakti se shqiptarët nuk e dëshirojnë si mandatare Italinë, pasi ata kërkojnë që shteti i tyre të jetë plotësisht i pavarur dhe me të cilin qëndrim ata pajtohen me jugosllavët!
Dhe nëse krahas gjithë kësaj, qasja ndaj zgjidhjes së çështjes shqiptare do të ishte në frymën e Memorandumit të 9 dhjetorit, atëherë do të ishte në interes të paqes së përgjithshme, por edhe të popullit shqiptar, si në pikëpamjen ekonomike por edhe politike që e drejta e Italisë në asnjë mënyrë të mos shtrihet mbi zonat e Shkodrës dhe rrethinat e saj. Këto zona edhe ashtu e përbëjnë një tërësi të vetme gjeografike dhe ekonomike me zonat jugosllave përreth, ndërsa vetë vendbanimi (aludohet në Shkodrën – S. L.) me rreth 100.000 banorë në bazë të zakoneve, lidhjeve farefisnore dhe traditës, është ngushtë i lidhur me popullsinë e afërt të Malit të Zi”.