Pavarësia ekonomike dhe zhvillimi i tregut të lirë në Shqipëri!
Nga Alban Daci –
Ka një debat të madh për ekonomitë më treg të lirë, nëse duhet të ketë një model thuajse krejt të pavurur që rregullator i vetem është tregu, apo nëse duhet të ketë një model kur ndërhyrja e shtetit të jetë më e rëndësishme e domethënëse. Kriza e fundit ekonomike tek vendet me ekonomi tregu të vërtetë, ka rritur ndjeshëm rolin e ndërhyrjes së shtetit si rregullator sidomos sa u përket amortizatorëve social, taksave, inflacionit dhe politikave monetare.
Po në një vend si Shqipëria? Për të kuptuar pavarësinë e tregut dhe të zhvillimit ekonomik duhet të ndjekim historinë dhe sjelljen e sipërmarrësve në jetën publike dhe angazhimin e tyre politik. Duhet sqaruar fakti se zakonisht sipërmarrësit e suksesshëm refuzojnë angazhimin e tyre politik, identifikimin e tyre të drejtpërdrejtë me politikën dhe klasën politikës, sepse kanë mënyra të tjera që mund të ushtrojnë influencën e tyre për të diktuar politika të favorshme ose për të ndjekur interesa të caktuara.
Zakonisht sipërmarrësit në vende me treg të lirë ekonomie e ushtrojnë forcën e tyre mbi politikën përmes grupeve të interesit ose përmes aksioneve që ju mundëson po tregu, por rrall herë angazhohen në politik e nëse e bëjnë, preferojnë ta bëjnë në moshë madhore për të mbyllur ciklin e tyre jetësor. Në Amerikë ka pasur raste të tilla e këto kanë qenë për garën presidenciale siç ishte Ford, por nuk ja doli dhe i vetmi që erdhi nga bota e biznesit dhe ja doli ishte Trump.
Shqipëria është një vend i vogël në sipërfaqe në krahasim me vendet e tjera për sa i përket mundësisë së dominimit të tregjeve botërore. A është ky problemi kryesor që e bën ekonominë shqiptare kaq të varur nga politika? Unë, mendoj se ky është një ndër faktorët, por jo i vetmi! Nëse në vende me traditë të gjatë të ekonomisë së tregut, biznesi ka influencë mbi politikën e prodhon politikanë apo politika, në Shqipëri me bindje mund të themi se sipërmarrja është prodhim i politikës dhe peng i kësaj të fundit.
Vetëm në Shqipëri ndodh që një sipërmarrës të rrihet vetë personalisht për motive politike me një politikan me profesion dhe po ashtu vetëm në Shqipëri ndodh që një biznesmen të hyj në politikë duke lënë suksesin e sipërmarrjes për 2 mijë euro rrogë në muaj si deputet! Imagjinoni sikur Bill Gate të linte perandorinë e tij dhe të garonte për deputet?! Ose imagjinoni sikur Briatore të zihej me grushta në fushatë elektorale, sepse dikush me profesionin e politikainit bën fushatë në lagjen e tij. Dikush mund e thotë se ka edhe raste si Berluskoni që hyjnë në politikë! Ky rast, edhe pse nuk është objekt i këtij shkrimi është shumë i ndryshëm nëse do të krahasohej me realitetin shqiptar.
Po pse kaq shumë sipërmarrësit merren me politikë në Shqiperi? Pjesëmarrja masive e tyre në jetën politike, dëshmon qartë dominimin e politikës mbi sipërmarrjen dhe nënshtrimin e kësaj të fundit duke u vendosur në shërbimin e plotë të të parës! Pra, pjesëmarrja e tyre në jetën politike dëshmon qartë faktin, se Shqipëria ka dështuar në krijimin e ekonomisë së tregut të lirë, duke krijuar në fakt një model hibrid mes oligarkisë dhe oligopoleve. Vetëm në vende si Shqipëria ndodh të bëhesh ministër me profesionin e parë e sapo të lësh detyrën, të bëhesh menjëherë sipërmarrës! Pjesa më e madhe e sipërmarrjes në Shqipëri janë ish drejtor të përgjithshëm që kanë mbuluar sektor të rëndësishëm të ekonomisë ose ish ministra.
Ky model në fakt po e dëmton dhe e ka dëmtuar ekonominë shqiptare, sepse ka penguar konkurrencës, tregun e lirë, inovacionin dhe po ashtu stabilitetin apo garancinë për investime. Sa mundësi ka të shikojmë histori sieprmaresish që janë bërë suksesshëm falë talentit apo intuicionit të tij mbi tregu? Në kushtet aktuale është zero! Askush nuk është i interesuar për talentet e mund të themi se mundësia e ekzistencës së këtyre të fundi është një sinjal alarmi për oligarkët, që të vetmin talent që kanë është se mund të jenë “prestanome” të politikës ose prodhim i drejtpërdrejtë i saj!
Pra, ekonomia shqiptare nga sfera e nismës së lirë që duhet të jetë është kthyer sfera e dominues e, të përzgjedhurve dhe të suportuarve nga politika. Nëse në vende të tjera të Europës është ekonomia që dikton politikën duke ngritur e rrëzuar lider apo qeveri, në Shqipëri është politika që vendos kush do të jetë biznesmeni i suksesshëm, sa do të jetë jetëgjatë dhe në cilin sektor do të veproi. Është për të ardhur keq se si janë katandisur pseudo sipërmarrësit e ekonomisë shqiptare, të cilët në shumicën e rasteve nuk kanë as njohuritë bazë të aritmetikës dhe jo më të njohin e të zotërojnë politikat makroekonomike.