PD humbi, por nisi fitoren e betejës me berishizmin

 

Nga Zef Shtjefni

Kur Lulzim Basha deklaroi se PD kishte fituar, se ishte rritur, se kishte dalë më e fortë në zgjedhjet e fundit, qesha me vete dhe thoja se si është e mundur që opozitarët tanë nuk duan të lexojnë verdiktin e popullit, i cili kësaj here ishte dhe më i rëndë se ai i 23 qershorit 2013. Nga 61 bashki, koalicioni i majtë fitoi 41, ndërsa PD-ja me ato pak aleatë që i mbetën, vetëm 13. Kjo është një nga humbjet më të mëdha, në mos më e madhja në historinë e PD-së. Nëse Lulzim Basha do dilte e të thoshte se është fitorja më e madhe e PD-së pa liderin e saj historik Sali Berisha, kjo do të kishte shumë sens dhe në fund të fundit është një realitet që ka ndodhur. Por për çudinë e të gjithëve, Berisha kësaj herë, si kurrë më parë u mbyll në zyrën e tij dhe ia la gjithë fushatën Kryetarit të ri Lulzim Basha. As doli ta kundrojë e as ta ndihmojë. Nuk dihet arsyeja që e shtyu Berishën të ndiqte një strategji të tillë: ishte i sëmurë, donte ta provonte Bashën se sa i vlen lëkura, apo kishte besim në suksesin e tij. Nuk kuptohet një lëvizje e tillë akoma. Ama, është e thjeshtë të lexohet se nuk kishte asgjë alla Berishë kjo fushatë zgjedhore. Ekipi i Lulzim Bashës u shfaq në këto zgjedhje më i qytetëruar, më demokratik, më i kujdesshëm në akuzat e fyerjet ndaj kundërshtarëve, si dhe me premtimet elektorale. Madje, Halim Kosova dhe Grida Duma u bënë për herë të parë shembuj të një risie respekti e qytetarie elektorale me kundërshtarët e tyre. Deklarimet publike për bashkëpunimin me Kryeministrin, përbëjnë një kthesë dhe emancipim për politikën tonë, edhe pse për çdo vënd europian kjo është abetare e demokracisë. Deri para dy vitesh me Berishën konsiderohej armik kundërshtari politik. Jo më të bëhej fjalë se një bashkiak i djathtë mund të bashkëpunonte me një Kryeministër të majtë. Shembullin e kemi me Shkodrën, ku bashkiakët e djathtë linin fondet të digjeshin dhe Shkodrën të kthehej në Kabul, sepse qeverinë e kishin të majtët. Në Shkodër u investua vetëm kur qeverisjen e vendit e mori e djathta. Jozefina Topalli, i priu punës për rinovimin e saj. Sot Shkodra është rikthyer në një qytet dinjitoz, siç ka qenë gjithmonë në historinë tonë.   

Pa filluar akoma numërimi i votave, mediat na njohën me një prenoncim skandaloz të Sali Berishës për to. Nxinte katran në çdo rresht. Ishte preludi i një humbje të rëndë që “ujku i vjetër i PD” e ndiente. Por, si gjithmonë, gjente mënyrën e përbaltjes së gjithçkaje që të mos e pranonte rezultatin dhe verdiktin popullor, të cilin e ka pasur tmerr gjithnjë. Kur e dëgjuam, zgurdulluam sytë e pyesnim njëri tjetrin, çfarë paska ndodhur vallë me zgjedhjet!? Por kur njerëzit panë se në kampin zyrtar të PD rezultati po pranohej dhe kundërshtarët konkurrues, po përgëzonin normalisht njëri-tjetrin për fitoren, atëherë kuptuam se tashmë Berisha, i lodhur dhe i plakur, nuk mund të shihte më me syze të tjera, veçse më të errëta çdo gjë në këtë vend, të cilin e mbajti peng për 25 vite. Kështu, në pak ditë, e bënë Bashën të ndërrojë qëndrim për zgjedhjet, të dalë nga vetja dhe e nisën nëpër kancelaritë e Europës për të përsëritur citatet e Berishës se zgjedhjet na qenkan vjedhur, blerë e rrënuar. Ndonjë kokëlakër atje u përpoq edhe t’i besojë. Por kur u kërkuan provat, u kthyen me gisht në gojë në Shqipëri, ku në fakt gjejnë pak shqiptarë që nuk e pranojnë se këto ishin zgjedhjet më të qytetëruara dhe më afër standardeve europiane që kemi bërë në këto 25 vite. Kjo i dedikohet qeverisjes se Edi Ramës, por dhe drejtimit të qetë e të drejtë të jetës parlamentare nga Ilir Meta. Në mesazhin e tij në Facebook Berisha kishte pasqyruar më saktësi gjithçka që ai kishte bërë vetë me zgjedhjet në këtë vend, por si donkishot i kohës sonë,mendonte se po i bënin dhe të tjerët.                                                                            

PD nisi të shkëputej nga berishizmi në këto zgjedhje. Është një risi e vështirë futja e një kulture të re politike europiane në jetën e kësaj partie rurale dhe anarkiste. Do kohën e vet gjithçka dhe nuk do ta ketë të lehtë Lulzim Basha. Por rruga e shkëputjes nga kultura politike berishiste është rruga e vetme që ka përpara PD-ja jonë, pasi rikthimi tek berishizmi,do të thotë shkatërrim përfundimtar i kësaj force politike shumë të rëndësishme për demokracinë tonë të re. Rezultati që ka korrur PD në këto zgjedhje nuk është pasojë e politikës se re qytetare të lidershipit të ri të saj, por vetëm e politikës së vjetër të konfliktit, kaosit, destabilizimit, hakmarrjes, primitivizmit që ka kultivuar e ndjekur Berisha për dy dekada. Lul Basha me ekipin e ri të PD duhet ta vazhdojnë me kurajo këtë punë, që faqen e berishizmit në PD ta lënë pas dhe të ringrenë në këmbë një opozitë reale e kostruktive, pasi vendi ka aq shumë nevojë për të. Koha e berishizmit ka përfunduar dhe koha e europianizimit ka mbërritur.

SHKARKO APP