PD-ja ka humbur bazën, Basha thjesht po e fundos
Nga Ben Andoni
Në momentin që PD-ja dhe lidershipi i saj i ngrirë pret nga Edi Rama ta vendosë në pushtet për një drejtim të smooth-uar të pushtetit bipolar, atëherë kjo parti me antagonizmin e saj natyral ndaj PS-së ka humbur edhe de facto 100% thelbin e saj. Jo më kot kauza e ish-të përndjekurve, pronarëve, e të persekutuarve, shtresa e mesme ka kohë që ka shtegtuar nga PD-ja. Për fat të keq, një pakicë njerëzish, nga ata syresh që presin gjithnjë të ndryshojnë konjukturat iu bashkuan në fushatën pakuptim të tre muajve që rezultoi me një katastrofë të paimagjinueshme për Partinë e të gjithë shqiptarëve, atë parti që frymëzoi në fillim të ’90-ës kthesën e madhe. Askush prej tyre nuk e ndihmoi dhe t’i tregonte plagën, por në vend të kësaj u kthyen në kukullat e Bashës, që në fund rezultoi edhe vetë një kukull.
Në fakt, partia e qendrës së djathtë, nuk ka mundur të çojë para asnjë nga aspiratat e masës besnike që e furnizoi përgjatë viteve me vota, përveç një pjese militante që voton verbazi, kryesisht falë interesave dhe një pjese tjetër që e voton për mungesë vizioni.
Paçka se PD-ja u asistua nga Konrad Adenhauer Stiftung në programin e saj ekonomik, ajo në të gjithë muajt e fundit ka folur me një gjuhë të drunjtë përmes kryetarit të saj, e asfare të kuptueshme, ndaj tashmë mbledh anatemën e të gjithë të pakënaqurve që nuk ngopen me disfatat dhe gabimet e tij minore.
Partia sot mbledh rreth vetes dy grupe njerëzish: të pakënaqurit dhe ata që do e kenë vendin e përcaktuar në kalkulimet e reja. Në vend që të diskutohet dhe të paraprihej me një shikim të realitetit, PD-ja po fundoset prej kapricove të Bashës dhe shpurës së tij, që duket se është krijuar bajagi mirë në këtë formacion dhe nuk lë rast pa baltosur. Duket se vetë Basha nuk po e ndjen paradoksin ku e ka plasur Partinë e vërtetë Demokratike që prej vitesh merr humbje pas humbjesh. Baza që iu tjetërsuan pronat, të përndjekurit që tashmë presin listat e qeverisë socialiste dhe klasa e mesme e nëpërkëmbur, nuk e gjejnë më veten te një parti që është tallur paq me ta dhe nuk diti njëherë t’u kërkojë falje. Mbase këtu është sfida e parë, kujt do t’i drejtohet në të ardhmen PD-ja?!
Në këto kushte, kandidatura e Eduart Selamit përballë Bashës është një nga mundësitë e vetme të pakta që kjo parti të reflektojë. Sesa do ia dalë mbetet të shihet, porse njerëz të njohur me mjedisin e PD-së e shikojnë një garë të pabarabartë të Selamit, një njeriu që gjithnjë ka folur thjesht dhe hapur para zërit kinse të fortë të Bashës, që po e bjerr partinë në një formacion pa identitet dhe me një të ardhme kërcënuese drejt fundosjes.
PD-ja po bjerret nga dita në ditë dhe ky është lajmi i trishtuar para këtyre zgjedhjeve të brendshme, që duket se po mbulon përkohësisht edhe rënien e formacionit krijuar 27 vite më parë mbi kinse triumfin mbi socialistët. (Javanews)