“PD si nja Kalifat, ani sulmon edhe humoristët”
Pas publikimit të një video humoristike, PD, Berisha bashkë me djalin e vet dhe mediet pranë saj, kanë sulmuar ashpër aktorin Bes Kallaku.
Për Ylli Manjanin, kjo tregon se sa fondamentaliste është PD si parti.
Madje, ai thotë se Berisha ka ngritur një Kalifat brenda saj.
“E vetmja gjë serioze që mund të merret nga java e shkuar, është një reagim fondamentalist, ekstrem, i papranueshëm në shoqërinë demokratike, të Kalifatit të zotit Berisha në PD, ndaj një humoristi.
Kjo është një ngjarje e ngjashme që ka ndodhur me të gjithë ekstremistët që ka rruzulli ndaj humoristëve dhe karikaturistëve të perëndimit, jo në ato ekstremitetet, por është e ngjashme.
Kjo është një ngjarje që duhet dënuar, sepse nuk bën dot politike me fondamentalizma dhe me reagime të tipit si ajo që bëri PD.
Sigurisht, të Kalifatit të Berishës brenda PD për të reaguar në një mënyrë hakmarrëse, primitive, aspak të këndshme dhe që duhet marrë seriozisht, sepse nëse reagime të kësaj natyre shtohen, duhet të merret seriozisht në konsideratë, sepse politikë nuk është.
Humoristi në fjalë bëri një gjest, parodi ku ironizoi të gjithë klasën politike dhe që zuri një audiencë të jashtëzakonshme, për të treguar se në çfarë bataku është zhytur përgjithësisht politika, sidomos opozita, e cila nuk përbën më lajm, por merret me trillimi dhe me histori të paqenë, që përpiqet ti shesë si të qena.
Një parodist në një mënyrë elegante ironizoi këtë histori dhe i vetmi reagim duhet të ishte përshëndetës dhe jo fyes apo atakues, siç zgjodhi të bëjë Kalifati i Berishës në PD”, shprehet Manjani për Ora News