“Pegida” Vs “Al-Qaeda”
Nga Halil Matoshi*
Dikush thotë se njeriu mundet pa një fe, madje pa një ideologji dhe pa një atdhe, por jo edhe pa një gjuhë. Gjithçka nis në gjuhë dhe nëse si ndërmjetës thirret një Zot, përfundon në dhunë. Terrorizmi gjuhësor është më i rrezikshëm se bomba atomike, ngase gjuha helmon shumë breza. Dymbëdhjetë njerëz (gazetarë satirikë e karikaturistë) të revistës “Charlie Hedbo” u vranë nga terroristë të “Al-Qaedas” – në emër të Zotit – por për hesape të fanatikëve që terrorin e kanë armën themelore, kurse të pafajshmit caqe.
Kur Samuel Hungtinton shkroi librin “Përplasja e qytetërimeve” shumëkush e kritikoi atë si paranojak që po i jepte botës një profeci të së keqes.
Mirëpo pas 11 shtatorit 2009 të gjithë iu rikthyen veprës së tij.
Përplasja u bë çështje globale, ngase terrorizmi i frymëzuar nga “Al-Qaeda” u cilësua si global. Përplasja e qytetërimeve në thelb ndodh për shkak të fanatizmit nacionalist qoftë dhe në formën më të butë të tij si patriotizëm, që kulturat e tyre i shohin si fondamente – të krijuara prej Zotit (nacionalizimi) – kurse kulturat e tjera i trajtojnë, të paktën, si të padenja (patriotizmi)!
Këtu duhet kërkuar çelësi për të dalë matanë përplasjes, në një botë që flet e komunikon, që debaton, por gjithnjë duke e respektuar tjetrin dhe kulturën e tij si të denjë.
Nacionalizmi është patologji shoqërore dhe kiç – pra ndrydhje – që rëndom i sheh të tjerët si shkaktarë të fatkeqësive ose mospërmbushjes vetjake dhe rëndom shtyp të pafajshmit!?
Terroristët në Paris kryen krimin e tmerrshëm për hir të politikës (fanatizmit nacionalist) e jo për hir të Zotit, as profetit Mohamed, sepse Zoti, sipas librave të shenjtë, nuk ia ka lënë në dorë njeriut ndëshkimin ndaj njeriut.
Një zë i brendshëm më thoshte se duhej të isha në Paris, me ata qindra e mijëra njerëz që solidarizoheshin me viktimat e sulmit terrorist, – por një zë tjetër më thoshte: A s’e sheh sa tipat bajatë e absolutistë, që shkelin përditë lirinë e shprehjes dhe ua mbyllin gojën gazetarëve po marshojnë atje, kinse për ta “nënshkruar” lirinë e shprehjes, si të drejtë universale?.
Ndër ta ishte edhe një Davutogllu apo një Thaç!
Por duhej të isha me ta. Duhej. Sepse jam një luftëtar i lirisë.
I të gjitha lirive. Sidomos i asaj të shprehjes.
Por jam kundër abuzimit të saj.
Nuk jam profet dhe nuk besoj te profecitë.
Por as nuk i ngas profetët. Nuk i tall ata.
E me logjikën dhe përvojën e një gazetari veteran them: Kujdes, pra, mos luani me emocionet e të tjerëve! Mos ua prekni profetët! Le t’i ndjekë ata secili që do!
Sepse e drejta e besimit është e patjetërsueshme.
Por a duhet të cilësohet si e tillë edhe e drejta e mosbesimit – një e drejtë e patjetërsueshme!
Them se po!
Isha shpirtërisht me ata njerëz në Paris, siç isha dje me ata që vuanin në Gaza!
Dhe jam kundër politizimit dhe përdorimit të fesë për qëllime politike, pra edhe islamit, sepse jam kundër çdo fanatizmi.
I respektoj fetë. Të gjitha fetë. Dhe njerëzit e mirë, kushdo qofshin…
Por jo për ata kosovarë që derdhin lot krokodili për kinse “kryqëzatat” e reja antiislame, në vendin më të mjerë në glob, ku ende fëmijët i hanë qentë!
E loti i një fëmije, kudo në botë, do të duhej të peshonte sa një tragjedi kombëtare.
Gjithçka është e lejueshme përderisa nuk e cenon lirinë e tjetrit.
Derisa në njërën anë liria e shprehjes nuk negociohet – sepse nëse e bëjmë këtë – ne sapo e kemi pranuar se tashmë ajo është humbur, mirëpo duhet pasur kujdes gjithnjë që të mos abuzohet me kufijtë e saj.
Dhe kjo nuk është autocensura, por vetëkontrolli.
Çfarëdo thirrjeje për dhunë ndaj kujtdo qoftë (që po ndodh dendur edhe në Kosovë në rrjetet sociale nga njerëz të identifikueshëm me emër e mbiemër) është thjesht abuzim me këtë liri, pra akt i dënueshëm sipas Kodit Penal kosovar.
Por a është ngritur padi ndaj dikujt që hedh plumba e mpreh shpata ndaj tjetrit/tjerëve?
Jo, asnjë, sepse në Kosovë edhe Prokuroria është përtace, ose thjesht njerëzit aty kanë shumë frikë e pak besim te liria!?
Lufta e Kosovës, tentim gjenocidi kundër shqiptarëve kosovarë ka nisur së këndejmi në RTS (Radiotelevizioni serb) e jo në Reçak!
Nëse unë e respektoj një njeri – e respektoj njerëzimin – pra edhe bindjet /besimin dhe idetë e njerëzve të tjerë, por s'do të thotë të pajtohemi gjithnjë; Uniformiteti i mendimit dhe të vërtetat zyrtare të cilësdo instancë politike a fetare shpijnë në totalitarizëm.
Nëse akëcilit ia respektoj bindjet, e di se secili ka të drejtë në një besim; në një Zot ose edhe ta ndjekë një profet, mirëpo ai/tjetri duhet të respektojë bindjet e akëcilit ateist ta zëmë, ose agnosticizmin tim.
Njeriun duhet dashur e respektuar si qenie komplekse.
Jo vetëm kur është i ngjashëm me ne, por edhe kur është krejtësisht i ndryshëm nga ne, pra edhe kur është kundërshtar i ideve ose bindjeve tona.
Së fundi, gjithandej në Perëndim (aktualisht në Gjermani) po rriten zërat islamofobë që përmes një fjale të koduar, “Pegida”, po duan që të përplasen edhe me parulla me “Al-Qaeda”-n.
E para, “Pegida” që d.m.th. “shtyp gënjeshtar” ose “tradhtar të popullit”, kurse e dyta, fjalë arabe “Al-Qaeda” që d.m.th. 'bazë'/themel, ose siç jemi mësuar të themi: “fondament”.
Që të dyja kanë të bëjnë me besimin fanatik për “popullin e zgjedhur” të Zotit, me nacionalizmin etnik, gjuhësor e kulturor dhe fare s’kanë të bëjnë me krishterimin apo islamin.
Sipas një shkrimi në http://panteres.com në Dresden gjatë protestave antiislame të ksenofobëve u tha se prapa tyre qëndron një organizatë e quajtur “Pegida”, që është një term i sajuar (slogan) që do të thotë: "Shtypi gënjeshtar", "tradhtarët", apo edhe "tjetërsimi".
Disa shprehje të “Pegidas” janë ideologjikisht të njëanshme – ato mund të gjenden në ligjet e nacionalsocializmit ose te fjalimet e Joseph Goebbels-it.
“Pegida” është një parullë që shpall luftë, një premtim apo edhe kushtrim, islamofobia fshihet pas retorikës së saj.
Dhe në këtë betejë të çarash ata kanë të bëjnë në mënyrë të ndërgjegjshme ose të paplanifikuar – me një fjalor i cili është i vlefshëm për të parë atë se çfarë historie kanë fjalët që ulërijnë folësit e demonstratave antiislame…
"Tradhtarët" për demonstruesit e Dresdenit janë udhëheqësit e Republikës Federale të Gjermanisë – sidomos kancelarja Angela Merkel, e cila thotë se “Pegida” ka shumë paragjykime, është e ftohtë, madje ka shumë urrejtje në zemrat e tyre.
Sepse, ajo duke e kritikuar ashpër “Pegidan” ka deklaruar se “Islami i përket Gjermanisë.”
"Termi 'tradhtar' është një derivim i "Tradhti ndaj Popullit ", tha dr. Andrea Eva Ewels.
Vepra penale që është gjetur për herë të parë në ligjet e sistemit nazist.
Ewels është një gjuhëtar dhe drejtor i Shoqërisë për Gjuhën Gjermane (GfdS).
Ajo merret kryesisht me mirëmbajtjen e gjuhës dhe kritikat gjuhësore dhe ka analizuar retorikën e “Pegida”-s, që sipas saj ka edhe konotimin e “shtypit gënjeshtar” dhe me konsekuencë: "Mbylle gojën!”
“Shtypi gënjeshtar” është një term që është përdorur në fillim të shekullit të 20-të.
Prapa kësaj shprehjeje gjithmonë qëndronin shqetësimet etnike apo nacionaliste, të cilat ishin menduar për të maskuar mediet”, thotë Ewels.
Edhe pse “Shtypi gënjeshtar” nuk ishte shpikur nga nazistët, është ringjallur me sukses.
Joseph Goebbels, ministër i Iluminimit Publik dhe Propagandës, e kishte përdorur termin në një fjalim më 1932.
Ai i drejtoi shtizat ndaj “së kuqes”, (krahut të majtë) që sipas tij po bënin një fushatë të dëmshme kundër nazistëve. Termi nuk u atribuohet vetëm nazistëve – në RDGJ p.sh. përdorej për kapitalizmin, pra “shtypi gënjeshtar” i referohej shtypit të pjesës perëndimore të Gjermanisë.
Termi “tjetërsim” përdoret për të shënjestruar ata që kinse po lejojnë që Gjermania e krishterë t’u lihet në duar myslimanëve dhe e ka zanafillën nga antisemitizmi.
Islami politik e ka një kundërthënie brenda vetes, mospajtimin me secilën formë të demokracisë dhe sidomos me larinë e fjalës.
Sepse Zoti (Allahu) është fjala dhe ai që mendon ndryshe ose kritikon ndonjë postulat,
automatikisht bie ndesh me të pakritikueshmen, me idetë hyjnore.
Me Zotin, prandaj, duhet ndëshkuar.
Islami fondamental nuk i reziston së këndejmi modernizimit, globalizimit dhe jo veçmas pluralizmit të ideve dhe debatit, sepse postulatet apo vlerat mbi të cilat ai ngrihet janë të padiskutueshme.
Për të gjithë ata kosovarë që papandehur të thonë se islami është vetë demokracia, por i papërputhshëm me demokracinë perëndimore dhe se Sheriati është ligj hyjnor po sjellim një ilustrim se ky nuk është kurrfarëë ligji suprem, sepse njeriu rrihet publikisht me kamxhik vetëm pse mendon. Mendon ndryshe!
Arabia Saudite ka damkosur publikisht një aktivist të burgosur gjatë sesionit të parë të një dënimi, me 50 të rëna në javë, për 20 të premte rresht.
Raif Badawi u dënua me 10 vjet burg dhe një total prej 1.000 të rënash për një sërë veprash verbale që për autoritetet fetare cilësohen si fyese, pasi ai ngriti "Rrjetin Liberal Saudit", një faqe interneti tani jashtë përdorimit, që kishte për qëllim që të siguronte një forum për debat publik.
Amnesty International raportoi se Badawi ishte kamxhikosur publikisht pas lutjeve të së premtes para xhamisë “al-Jafali” në qytetin e Xhedës, në brigjet e Detit të Kuq.
Përveç dënimit të tij, aktivisti u urdhërua të paguante një gjobë prej 1 milion rijalësh (266.000 $).
Badawi qëndronte i heshtur si dëshmi se vendi i tij e lufton lirinë e shprehjes.
A nuk është ky fashizëm në kontekstin politik të fjalës?
A nuk shfaqet si barbari e fanatizëm në kontekstin e qytetërimit?
*Koha Ditore