“Pena më e fortë se shpata!” Kush e tha?

Alison Gee

Karikaturat e realizuara këto ditë, në nderim të gazetarëve të Charlie Hebdo bëjnë krahasim të lapsave me armët, shkrimtarëve me luftëtarët – kjo është arsyeja përse edhe disa demonstrues tundin lapsa në ajër. Në shumë prej karikaturave thuhet se “pena është më e fortë se shpata”. Po ku e ka origjinën kjo ide?
Fjalët në anglisht “pena është më e fortë se shpata” janë shkruajtur fillimisht nga shkrimtari dhe dramaturgu Edward Bulwer-Lytton në vitin 1839, në dramën e tij historike, “Cardinal Richelieu”.
Richelieu, i pari i ministrave i Mbretit Luigji XIII, zbulon një komplot për ta vrarë, por si prift që është ai e ka të pamundur që të ngrejë armët kundër armiqve të tij.
Sekretari i tij, François, i thotë: “Por tani, në komandën tënde, ke armë të tjera, Zoti im”.
Richelieu pohon: “Pena është më e fuqishme se sa shpata… Hiqe shpatën; Shtetet mund të shpëtohen pa të!”
Kjo shprehje fitoi shumë shpejt popullaritet, thotë Susan Ratcliffe, bashkëredaktore e Fjalorit të Citimeve të Oksfordit. “Në vitin 1840, përdorej në mënyrë të rregullt”.
Sot ajo përdoret në shumë gjuhë, kryesisht e përkthyer nga anglishtja. Versioni francez është: “La plume est plus forte que l’epee”.
Sipas faqes në internet të Fjalorëve të Kembrixhit, shprehja thekson që “mendimi dhe shkrimi kanë më shumë ndikim mbi njerëzit dhe ngjarjet, se sa përdorimi i forcës apo dhunës”.
Por Bulwer-Lytton nuk ishte domosdoshmërisht i pari që e shprehte këtë mendim. Ratcliffe flet edhe për dy tekste më të hershëm.
Robert Burtoni, tek “Anatomia e Melankolisë” botuar në fillim të shekullit 17, përshkruan se si shakatë e hidhura dhe satira mund të shkaktojnë ankth – dhe ai thotë se “Një goditje me fjalën shpon më thellë se sa një goditje me shpatën”, edhe në kohën e tij ishte një shprehje e vjetër.
Një shprehje e ngjashme shfaqet edhe në “Diskutimet Publikë” të George Whetstone, botuar në vitin 1582. “Goditja e penës është më e rëndë se sa përdorimi i një heshte”.
Duke shkuar më pas në kohë, poeti grek Euripidi, i cili vdiq diku rreth vitit 406 p.e.s., ndonjëherë citohet të ketë thënë: “Gjuha është më e mprehtë se sa tehu i shpatës”. Por profesori i klasikëve Armand D’Angour i Universitetit të Oksfordit ka dyshime për këtë. “Tek Euripidi, përdorimi i ‘gjuhës’ ka shpesh ngarkesë negative – gjuha (dmth fjalët) është më pak e besueshme se sa veprat”, thotë ai.
Poeti romak, Virgjili duket se ka patur një këndvështrim pesimist mbi fuqinë e fjalës, thotë D’Angour. “Përballë armëve të luftës, këngët e mia kanë po aq vlerë sa pëllumbat përballë shqiponjave”, shkruante ai.
Por në kohët e vjetra ka patur një besim se fjala e shkruar kishte fuqinë të mbijetonte “dhe të kapërcente edhe ngjarjet më të përgjakshme… edhe nëse ato nuk mbizotëronin kundër armëve në një kohë të shkurtër”, thotë D’Angour.
Një tjetër që ka krahasuar fjalën me armën thuhet se ka qenë Napoleoni. “Katër gazeta armiqësore duhen patur më shumë frikë se sa 1000 bajoneta”, thuhet se është shprehur ai.
Sërish, ka dyshime nëse këto fjalë kanë dalë vërtetë nga goja e tij, thotë Michael Broers, profesor i historisë së Europës Perëndimore në Universitetin e Oksfordit – por ai shton se ideja shkon fare mirë për shtat me pikëpamjet që kishte Napoleoni.
“Ai e respektonte shtypin dhe ia kishte frikën. Ai e kish kuptuar gjithë jetën e tij fuqinë e letërsisë dhe fuqinë e shtypit”, thotë Broers. Kur Napoleoni erdhi në pushtet kishte me dhjetëra gazeta në Francë, por ai i mbylli shumicën, duke lejuar vetëm një grusht botimesh.
Ai kuptoi se pena, në dorën e tij mund të ishte një armë, thotë Broers. “Ai e dinte se mund t’i dëmtonte aleatët përmes Kujtimeve që do të shkruante, dhe kështu bëri”.
Karikaturat e botuara pas ngjarjes në redaksinë e Charlie Hebdo bartin një sërë mesazhesh – që në fund lapsi do e mposhtë terroristin e armatosur, se një laps kur thyhet, nga një do të bëhet dy, apo që përballë çdo arme do të vendosen shumë lapsa. Ata mijëra demonstrues që kanë dalë me lapsa në duar janë duke “firmosur” për të mbështetur të njëjtën ide. /bbc/

Bulwer-Lytton është i famshëm edhe për fjalinë e hapjes së një libri: “Ishte një natë e errët dhe me stuhi”, ndërkohë që emrin e tij e ka përshtatur konkursi i përvitshëm i fjalive të para të shkruajtura më keq.
Kjo është fjalia e parë e romanit të tij të vitit 1830, “Paul Clifford”, e plotë:
“Ishte një natë e errët dhe me stuhi; binte shi me gjyma – përve Bulëer-Lytton se në intervale të herëpashershëm, kur një shkulm i fortë ere fshinte rrugët (sepse skena jonë është në Londër), duke përshkuar me vrull majat e çative dhe trazuar flakën e pakët të llambave që mundoheshin fort kundër errësirës”.(http://www.bota.al)

SHKARKO APP