Për 28 Nëntorin Skënderbejan

Nga Heral A. Saraçi

Po përkujtojmë 550 vjetorin Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut. Kjo ngjarje e shënuar mbarëkombëtare po festohet prej muajsh në atdheun tonë. Të gjithë jemi të gëzuar. Krenohemi me kryetrimin e gjindjes sonë. 

Ai është personaliteti qendror i kombit shqiptar. Skënderbeu i pamposhtur legjendar gati për beteja kundër pushtuesve turq. Luftëtari hundëshkabë, udhëheqësi, diplomati dhe shtetari. Kush mund të krahasohet me Skënderbeun nga figurat kombëtare? Askush. Vetë Rilindja Kombëtare është bazuar tek vepra dhe nami i tij. Ismail Qemali ishte i vetëdishëm që ngrinte flamurin kombëtar për herë të dytë pas tij. Mbreti Zog krenohej për prejardhjen nga motra e Skënderbeu.

Skënderbeu është Heroi ynë Kombëtar. Ai është mit për shqiptarët në trojet etnike e kudo në botë. Edhe bota me Skënderbeun na njeh. 

Skënderbeu, 28 Nëntori 1443, flamuri kombëtar dhe Kruja. Heroi kombëtar, data, shenja dhe kryeqyteti i arbërve. A ka nji simbolikë më të fuqishme kombëtare se kjo në historinë tonë?

Me interes dhe kureshtje për veprimtaritë që po zhvillohen me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skenderbeut shfletuam faqen e internetit “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, https://vitiiskenderbeut.al/.

Vendimi për organizimin dhe funksionimin e Sekretariatit Teknik të Komisionit Shtetëror për organizimin e Veprimtarive, në Kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, Vendimi për miratimin e Logos Kombëtare……., Vendimi për Miratimin e eventeve dhe Projekteve ………. 

Kryeministria dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare me Vendimin Nr. 1, datë 12.1.2018  festonin “Tre ditët e Yllit të Mëngjesit”, kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, nën shenjën e komunitetit Arbëresh.

Ministria e Kulturës festonte me një konkurs mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar për krijimtarinë e re muzikore me tematikë të dedikuar, ………. me koncert të Ansamblit Popullor në Diasporë, ………. me restaurimin e Kalasë së Shkodrës, me restaurimin e vendvarrimit të Skënderbeut, me Projekt restaurimin e muzealizimit vendlindja e Kastriotëve, Sine, Dibër, me restaurimin e shtëpisë së vllezërve Frashëri,……

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave festonte me përmirësimin e Laboratorit Qendror të Restaurimit në DPA …….

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë festonte me lançimin e një burse ekselence “Robert Else”.

Ministria e Mbrojtjes festonte me kompletim me uniformë të re për orkestrën frymore të forcave të armatosura ………

Kryeministria, Ministria e Kulturës, Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare festonin me organizimin dhe bashkërendimin e Konferencës Albanologjike kushtuar figurës së Skënderbeut, me veprimtari në kuadër të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe me veprimtari në kuadër të përkujtimit të 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit.

Kryeministria, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministri i Shtetit për Diasporë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare festonin me organizimin e Samitit II të Diasporës Shqiptare.

Kërkova për ndonjë veprimtari festive rreth Krujës legjendare por nuk gjeta.
Vizitova faqen e Bashkisë Krujë dhe lexova “Mirësevini në Krujë, Në vendin e historisë, kulturës dhe bukurisë shqiptare”. Pak më poshte shkruhej Kastrioti – Skënderbeu, ditën e djelë, 26 gusht 2018.

U ktheva tek faqja e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Kalendari shënonte:

105 vjetorin i Pavarësisë: Nëntor 2017. “Data kryesore e kalendarit përkujtimor kombëtar përkoi fort lumturisht, më 2017, me çeljen zyrtare të siparit të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në qytetin simbol të Vlorës, me një ceremoni të posaçme …..

550 vjetori i kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut: janar 2018 “Data kryesore jubilare e këtij viti u shënjua nga çelja për publikun e një itinerari muzeal dedikuar dhjetra veprave të artit dhe objekteve historike më së shumti të pashfaqura më pare ………

10 vjetori i pavarësisë së Kosovës: shkurt 2018 “Data kryesore jubilare e këtij viti u shënjua nga çelja për publikun e një itinerari muzeal dedikuar dhjetra veprave të artit dhe objekteve historike…..”

140 vjetori i Lidhjes shqiptare të Prizrenit: qershor 2018 “Moment kyç i ndërgjegjësimit të njësimit të shqiptarëve në një komb dhe në një truall të përbashkët, Lidhja shqiptare e Prizrenit është historia e një përpjekjeje mbresëlënëse për të mos ju nënshtruar fatalitetit të zhdukjes në indiferencën e të mëdhenjve……”

110 vjetori i Kongresit të Manastirit: nëntor 2018 “Nëse shqiptarët kudo që ndodhen sot rrezatojnë mes vedit dhe tek të tjerët nëpërmjet gjuhës së bukur shqipe, kjo i detyrohet 36 germave të sprovuara si ari në zjarr, që farkëtoi Kongresi i Manastirit …..”

Samiti  II i Diasporës shqiptare: nëntor 2018 “Me një konceptim krejt të ri, Samiti II i Diasporës shqiptare do të kurorëzojë mbylljen e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut ……”

Konferenca Ndërkombëtare Albanologjike për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun: prill-nëntor 2018. “Ideja e Konferencës Albanologjike kushtuar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në 550 vjetorin e vdekjes se tij lindi si mungesë e  një pikëtakimi madhor të hulumtuesve dhe të akademikëve, specialistë të Skënderbeut, në Shqipëri ……”

Mendova, a përfshihet 28 Nëntori 2018 ndër datat kryesore të kalendarit të vitit mbarëkombëtar skëndërbejan?

Me të vërtetë përkujtojmë heroin kombëtar në jubilarin e 550 të vdekjes por shqiptarët natyrshëm janë krenuar, krenohen dhe do të krenohen me veprën e tij flamurtare. Ishte princi i parë arbër që ngriti shenjën kombëtare më 28 Nëntor 1443, 575 vjet të shkuara …….. që është përvjetor kremtues i ngritjes së flamurit tonë dhe sivjet pas kaq motesh.

Viti 2018 është një jubilar i dyfishtë për Skëndërbeun sa për vdekjen e po ashtu për ngritjen e flamurit kombëtar në Krujë prej tij. Çuditërisht ky përkim përvjetorësh nuk shënohet në kalendarin e faqes së internetit të Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Ne shqiptarët e kujtojmë Heroin tonë Kombëtar në përvjetorin e 550 të vdekjes jo për fatkeqësinë e vdekjes por e nderojmë e përhirojmë për veprën e pashoqe, ngritjen e flamurit kombëtar dhe betejat fitimtare 25 vjeçare, shprehje e trimërisë arbërore e tregues i shpirtit liridashës gjithëshqipëtar.

Na ndajnë pak më shumë se 10 ditë nga 28 Nëntori 2018, festa kombëtare e shqiptarëve, dita e flamurit kuq e zi.

Kanë kaluar 575 vjet nga marrja e Krujës prej turqëve dhe ngritja e flamurit kombëtar në kryeqytetin e Arbërisë.

Kanë ka kaluar 550 vjet nga vdekja e kryetrimit kordhëtar  Skënderbeut. Kanë kaluar 106 vjet nga shpallja e pavarësisë pas pesë shekuj pushtim osman.

Ndër 100 e sa vjet shtet kombëtar sa herë është ngritur flamuri kombëtar vetëm për Skënderbeun më 28 Nëntor?

Sa herë vjen kjo ditë e shënuar në television shfaqet filmi Nëntori i Dytë. Në fakt nuk ka një nëntor me shkallë. Ai është vetëm nji, Nëntori kombëtar i Skënderbeut legjendar sa i Krujës, po aq i Tiranës, Durrësit, Peqinit, Kavajës, Lushnjës, Vlorës, Elbasanit, Shkodrës, Ulqinit, Tregut të Ri, Preshevës, Prishtinës, Shkupit, Manastirit, Janinës, Filatit, Leskovikut ………

Ne kemi ditën e shenjtë kombëtare të 28 Nëntorit, kemi një gjuhë, një flamur, një hero kombëtar dhe një atdhe. Çdo qytet i atdheut tonë është një pëllëmbë që pikon një gjak arbëror në çdo kënd të tij.

Pavarësisht kalendarëve a protokolleve zyrtare, a do të ngrihet flamuri kombëtar në Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut më 28 Nëntor 2018 për Skënderbeun? Ndoshta ende nuk është vendosur ku? Në sheshin e flamurit në Vlorë? Në sheshin Skënderbe në Tiranë? Në sheshin Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Prishtinë? Apo në kështjellën e Krujës legjendare tek sheshi para Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”?

Do të dëshiroja të organizohej një paradë MIG-ësh e tankesh si dikur sa të tundej bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë! E di se kanë mbetur pak ditë e vështirë se ndodhë. As buxheti i shtetit nuk na e lejon. Ndoshta po të kishte më shumë kohë mund të kishim lajmëruar ushtrinë e sapo themeluar të Kosovës për të parakaluar në Tiranë ….

Andërroj për nji 28 Nëntor kuq e zi qiellor!

Gegë, toskë e arbërorë, malësorë e fusharakë, qytetarë e katundarë nga çdo cep i Arbërisë prej Bularatit në Boletin nisen drejt Krujës historike. Njerëzit vërshojnë si lumi dhe rruga bllokohet aty ku shënon Albanopoli, qytet antik. Populli nuk ndalet parkon makina dhe i ngjitet përpjetë Malit të Skënderbeut. Janë tmerrësisht shumë. Mjaft kanë qeleshe të bardha në kokë. Më pak hijeshojnë prej veshjeve kombëtare. Të gjithë mbajnë flamuj kombëtarë në duar. Kur arrijnë në Krujë qyteti përmbytet nga njerëzit madje dhe ullishta mbulohet prej tyre. Gaz, hare dhe thirrje. Rroftë Shqipëria! Rroftë Skënderbeu! Këngët patriotike ushtojnë e vallet varg e varg nuk reshtin. Kur dielli shkëlqen shqiptarët sëbashku nisen drejt kështjellës, duket sikur shpresojnë në një mrekulli. Është ditë e shënuar. Diçka do të ndodhë. Duhet. Ndoshta legjendat bëhen realitet. Njerëzit hyjnë në kështjellë e pushtojnë atë, janë ngado, në rrugicat e qytetit të vjetër, në ballkonet e shtëpive dhe mbi bedenat e mureve. Në sheshin para Muzeut Kombëtar kreu i shtetit kërkon një minut heshtje për dëshmorët që jetën dhanë për atdhe. Ata janë aty të pavdekur sëbashku me ne. Dëgjohet komanda – Për nder armë. Nis himni kombëtar. Flamuri fillon të ngjitet ngadalë. Era e ledhaton. Ne të gjithë e ndjekim me mallëngjim. Një sy loton por gjindja qeshet. Ai arrin në majë të shtizës. Shkava e zezë dykrenore valon në fushën e kuqe. Rroftë Skënderbeu! Rroftë Shqipëria! Të gjithë përqafohen të njohur e të panjohur. Vazhdohet me këngë e valle kombëtare papushim. Kremtohet deri në agim.

Agjencitë e lajmeve njoftojnë në të katër anët e rruzullit për festën kombëtare të shqiptarëve në Krujën e Skënderbeut.

Në rrjetet virtuale shfaqet një foto e kështjellës më 28 Nëntor 2018. Me njerëzit e shumtë mbi mure gjithëflamurëmbuluar ajo ngjan si një anije e sapokthyer nga udhëtimi. Është atdheu i skënderbegasve të mijëvjeçarit të tretë. Atdheu i Lirisë, Bashkimit, Vllazënimit, Punës dhe Shpresës.

 

SHKARKO APP