Për ata që se njohin Dio Guardin
Hafiz Shala
Nuk e kam aspak të lehtë të shkruaj për personalitetin e zotit Dio Guardi, me përmasa botërore, i cili i pari i hapi dyert e Senatit dhe Kongresit për shqiptarët në Washington DC. Diplomati dhe kryeministri i Shqipërisë para ‘90 vjetëve Theofan Stelian Noli duhet të flinte në shkallët e Kongresit për t’u takuar me ndonjë kongresist, ndërsa sot shqiptarët i kanë dyert e hapura duke iu falënderuar këtij biri të arbrit, i lindur në fshatin Greqi të Kalabrisë (siç u thotë shpesh italianëve: Kalaja Arbëria), familja e të cilit u shpërngul qysh në shekullin 15, duke i dalë në ndihmë heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Për dijeni të të gjithëve në muajin e ardhshëm është viti jubilar i 25 vjetorit të veprimtarisë së Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA), e cila është organizata e vetme lobuese shqiptaro-amerikane e regjistruar pranë shtetit amerikan në Washington DC. Mëtimet e disa organizatave apo shoqatave për ta përvetësuar këtë titull është i pamundur sepse nuk ekzistont mundësia tjetër që të regjistrohet një lob, i cili shtetit amerikan i jep raportet financiare dhe të tjera çdo gjashtëmujor. Më poshtë renditen vetëm disa nga datat më të rëndësishme të LQSHA. Në fillim të vitit 1990 nën patronatin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane u organizua darka historike në hotelin e njohur "Sheraton" në Manhattan, në të cilin ishin ftuar intelektualë kosovarë në krye me Dr. Ibrahim Rugovën, e ashtuquajtura Alternativa e Kosovës që pastaj u shndërrua në parti politike më të madhe, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Dhe, aty nisën fillet e paraqitjes së çështjes së Kosovës para Kongresit, Senatit dhe administratës amerikane e cila në bazë të fakteve dhe dëshmive u përcaktua si përkrahje pa rezerva, e cila nuk mungon edhe në ditët e sotme.
Me të drejtë, LQSHA, Joe DioGuardi dhe bashkëshortja e tij Shirley Cloyes DioGuardi quhen pjesë e historisë së shqiptarëve në përgjithësi e të Kosovës në veçanti në tri dekadat e fundit dhe në vazhdim. Organizimi i demonstratave nëpër SHBA posaçërisht në Washington DC, New York, Chicago, Detroit ishin të paimagjinueshme pa Joe Dio Guardin, si organizator, ideator dhe udhëheqës, gjithmonë me praninë e kongresistëve dhe senatorëve me ndikim që në mënyrë të suksesshme sensibilizuan opinionin amerikan dhe rritën simpatinë ndaj kombit shqiptar. Diametri i veprimtarisë së zotit DioGuardi ishte që nga Alaska deri në Zelandën e Re duke mos lënë anash as shume shtete evropiane. Joe Dio Guardi ishte shumë i suksesshëm në dëshminë pranë Kongresit amerikan në duel me ish-kongresisten Helen Deliq Bentley në lidhje me intelektualët kosovarë kur ajo shprehej se shqiptarët kanë mjaft të drejta sepse ata mund të komunikojnë në gjuhën e tyre shqipe në familje. Joe DioGuardi iu përgjigj se Kosova dhe shqiptarët janë në Europë e jo në Afrikën e Jugut; ajo nga nervozizmi i drejtohej Joe Dio Guardit duke e pyetur: sa të paguajnë ty shqiptarët për këtë "propagandë" që e bën ti? Ky iu përgjigj: në damarët e mi rrjedh gjak shqiptari dhe unë do të punoj tërë jetën pa kurrfarë kompensimi sepse unë jam krenar që jam shqiptar.
Më 28 Shkurt 1999 kur u sulmua Likoshani në Kosovë nga tërë arsenali ushtarak serb me artileri dhe aeroplanë, duke vrarë popullatën civile fëmijë, pleq e gra, të strehuar në ato bjeshkë, pas telefonatës që e morëm nga Kosova rreth orës katër të mëngjesit, e lajmëruam Joe Dio Guardin i cili menjëherë filloi t’i kontaktojë ambasadat e shteteve përkrahëse dhe mike të Kosovës duke i alarmuar për sulmet shkatërruese. Menjëherë u mbajt një dëshmi pranë Kongresit Amerikan ku me paraqitjen e fotografive nga gazeta Koha Ditore që ishin të trishtueshme, u alarmua administrata amerikane dhe filluan veprimet për të parandaluar masakrimet e mëtejme të popullatës. Me paraqitjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lobi shqiptaro-amerikan ishte i pari ndër subjektet e komunitetit që e njohu dhe e përkrahu dhe kërkoi që të armatoset për ta mbrojtur popullatën duarthatë. Në një dëshmi ku ambasadori Gilbard kërcënonte se UÇK mund të futet në listën grupeve terroriste, Shirley Cloyes DiGuardi iu drejtua: zoti ambasador, nëse UÇK është terroriste, atëherë më shiko mua, unë jam njëra ndër ata. LQSHA ka qenë përkrahëse e asaj ushtrie që u themelua nga qeveria e atëhershme respektivisht nga Presidenti Ibrahim Rugova. LQSHA ishte tërë kohën në kontakt me Kongresin dhe Senatin Amerikan. Përkushtimi i Joe DioGuardit u treguan me strategjinë e tij sepse për çështjen e Kosovës i angazhonte përfaqësuesit e të dy partive rivale, republikanë dhe demokratë sepse veprohet kur është interesi amerikan në pikëpyetje. Kur gjykohej Millosheviçi në Hagë, ai përmendi vetëm emrin e Joe DioGuardit dhe askënd tjetër, qoftë kongresist a senator, udhëheqës shtetëror a partiak nga Kosova, dhe tha se kongresisti me ndikim Josef Dio Guardi më solli këtu në Hagë dhe Serbia humbi përkrahjen në arenën ndërkombëtare. LQSHA nuk i është bashkangjitur ndonjë partie politike apo qeverie. Në të vërtetë LQSHA është gjithmonë opozitë e qeverive, qoftë edhe këtu në SHBA. Zërave se Joe Dio Guardi e përkrah Ramush Haradinajn apo AAK-në janë vetëm paranoja dhe Shirley Cloyes Dio Guardi nuk është këshilltare e Ramushit. E vërteta është se Joe Dio Guardi dhe Shirley Cloyes Dio Guardi e kanë ndihmuar Ramush Haradinajn gjatë gjykimit të tij siç janë angazhuar edhe për Fatmir Limajn, krejtësisht në interes të mbrojtjes së luftëtarëve të UÇK. LQSHA është e zhgënjyer me qeverinë Thaçi një dhe dy dhe Thaçi -Mustafa, aty nuk ka kurrfarë dileme dhe e vërteta është ajo që deklaroi Joe DioGuardi në seancën e fundit dëgjimore në Kongresin Amerikan më 29 Prill 2015 në Washington DC, sepse populli i Kosovës është në gjendje të mjerueshme, ndërsa krimi e korrupsioni janë përditshmëri përderisa qytetari është në kufij të ekzistencës. Sa i përket situatës politike, qeveria Thaçi një dhe dy, e ktheu Kosovën në pozitë shumë më të keqe se me Kushtetutën e vitit 1974, duke u kthyer prapa në Rezolutën 1244 dhe fusnotat e famshme që Kosova kurrë më parë nuk është paraqitur në këtë gjendje inferioriteti.
Sipas kësaj vihet në përfundim se ata që me gënjeshtra u paraqitën si luftëtarë të lirisë pa qenë fare në luftë, të cilën gjë e pohuan edhe vetë edhe me vrasjet politike të paraluftës, gjatë luftës dhe pas luftës, erdhën në pushtet. Lufta për pushtetin dhe jo shtetin, lufta për pasurim personal dhe moskujdesje për popullin e solli Kosovën në këtë gjendje të mjerueshme ku ishte edhe pasoja e eksodit dhe atë përmes shtetit që deri dje na kishte shfarosur, përdhunuar e masakruar. Çka mund t’i thuhet kësaj? Joe DioGuardi gjithmonë e ka thënë të vërtetën e hidhur që më së paku i shkon për shtati udhëheqjes të tanishme e më së shumti të vërtetës që populli nuk e di se për çfarë arsye nuk e thotë troç. Përderisa Thaçi me grupin e tij që ndodhet në të gjitha poret e shtetit të kosovar, Serbia do të jetë e pranishme në Kosovë në forma dhe metoda të ndryshme.
Të shantazhuarit nuk mund të bëjnë ndryshime sepse duhet të nisen nga ata që janë sot në pushtet, domethënë që ata të largohen që Kosova të çlirohet edhe nga ata, e edhe nga Serbia. Kosova është në krizë morale të udhëheqjes, sepse klasa politike e tanishme nuk është ajo që mund të bëjë ndryshime dhe të dalë nga kjo krizë që e ka kapluar Kosovën në të gjitha sferat.
*Anëtar i Bordit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane