Për çfarë po luftojnë Berisha me Bashën?

Nga: Enton Abilekaj

Argumentet që po hedh PD në publik për përjashtimin e Berishës, vetëm sa e rëndojnë pozitën e Lulzim Bashës. Në linjën e fjalimit që mbajti të enjtën në mbrëmje, Basha dhe PD, flasin për një vendim të dhimshëm, për shtegun e vetëm, për zgjidhje të detyruar nga amerikanët.

Nuk ka qëndrim ndaj Berishës, ka vetëm deklaratë dorëzimi që në fakt e zhvesh atë që quhet PD zyrtare nga çdo mundësi mbështetjeje. Kishte një mundësi tjetër për largimin e Berishës. Lulzim Basha mund t’i kërkonte dorëheqjen.

Atë që vetë ish- kryeministri duhet ta konsideronte që në 2013, por veçanërisht pas shpalljes “non grata” dhe pasi nisi një proces përplasjeje ligjore dhe politike me autoritetet e SHBA. Mundësia e dorëheqjes e shpëtonte dinjitetin e PD, eleminonte përçarjen, por nuk krijonte asnjë premisë për ndryshim.

Vetëm një qëndrim distancues i Bashës ndaj Berishës, një vrasje politike e mirëfilltë mund ta bënte këtë. Nëse kryetari i PD do të deklarohej për largimin e Berishës, jo për konjukturë diplomatike, as për frikë nga presionet, por sepse besonte tek ndryshimi i klasës politike, tek përfundimi i mandatit 30- vjecar të çdo politikani, përfshirë edhe Berishën, tek mbajtja e përgjegjësive politike për cdo politikan, përfshirë edhe Berishën, tek fundi i metodave të kapjes për fyti të vendit për interesa personale, atëherë do të kishte një premisë ndryshimi.

Ky do të ishte rasti kur Lulzim Basha do të bashkohej me atë shumicë të shoqërisë që i ka ardhur në majë të hundës kjo klasë politike dhe veçanërisht protagonistët 30 – vjecarë të saj, që janë pasuruar, kanë shpërdoruar dhe nuk janë ngopur akoma duke krijuar një kastë tjetër si ajo e diktaturës.

Ajo shumicë mund të mos jetë anëtare e PD, mund të mos jetë as votuese e PD-së, kalon me indiferencë pranë qendrave të votimit dhe e sheh votën vetëm si ndërrim të fytyrës së hajdutit. Nëse Basha do të qëndronte mbi këtë parim, do të mund të fillonte dicka të re, që e tejkalonte Partinë Demokratike.

Më këtë kartë morale do të mund të kërkonte nesër edhe largimin e Metës, edhe largimin e Ramës, do mund ta diferenconte veten nga klasa e vjetër politike dhe do të shihej më në fund si shpresë.

Në vend të kësaj ai zgjodhi të mbetej në mocalin e politikës tradicionale, me parimin e uljes së kokës përpara të huajve, për të marrë licencën e qeverisjes pa përgjegjësi të shqiptarëve kur të vijë radha. Vetëm se në rastin e Berishës, llogaritë duhet t’i bëjë më bazën e partisë, që në fund fare vazhdon të dominohet nga berishistët.

Tani beteja e PD-së nuk është mes atij që kërkon ndryshimin dhe atij që kërkon legjitimimin e keqqeverisjes 30- vjeçare, por është mes atij që kërkon të vijë në pushtet duke shitur vetë kumbarin dhe kumbarit që po tenton t’i marrë mbrapsht pasurinë që ta dhurojë diku tjetër.

Vetë Berisha nuk ka asgjë parimore në qëndrimin e tij. Ai është krijuesi i Lulzim Bashës, e evidentoi atë si ministrin e Transporteve që ndërtoi rrugën e Kombit, si ministrin e Jashtëm që na futi Shqipërinë në NATO, si ministrin e Brendshëm që hoqi vizat dhe si kandidatin që mundi Ramën në Bashki.

Më pas si trashëgimtarin e partisë, si pronarin me prokurë që mund të përjashtonte kë të donte, mund të injoronte forumet dhe të merrte vendime personale, mund të humbte zgjedhjet dhe të mos mbante përgjegjësi.

Sot PD vuan një kryetar që nuk qëndron për asnjë kauzë, ndërsa Berisha vuan vrasjen gjakftohtë dhe hileqare, që vetë e mësoi ta bënte. Sot Basha ka humbur edhe babain politik edhe mbështetësit fanatikë, ndërsa PD është zhytur në një luftë personale të dy kryetarëve më jetëgjatë. Një luftë pa princip, që ka përcarë kupolën e partisë dhe me siguri edhe bazën e saj.

Një luftë që në fund nuk do të sjellë një Parti Demokratike të ndryshuar, por një fitues të drobitur nga beteja që nuk do të jetë kurrë në gjendje të ofrojë shpresë, të nxisë një kauzë, të qëndrojë për një parim. Mënyra se si po zhvillohet beteja e fundit e Berishës, do të jetë në fund vetëm një larje hesapesh personale, që do ta nxjerrë PD si parti të Bashës, ose parti të Berishës, por jo një Parti Demokratike. Pronë personale e njërit prej të dyve, mbrojtëse e interesave të njërit prej të dyve, por jo një bashkim vullnetar për të dhënë një alternativë për vendin.

Me shumë mundësi kjo do të jetë lufta e fundit e PD. Lufta me veten, kundër gjysmës së saj. Në fund të luftës do të duhet një opozitë e re.

SHKARKO APP