Për dallkaukët që kanë lexuar veç librin e Kuranit, të cilët më mallkojnë e kërcënojnë në emër të Allahut
Unë kam shkruar, duke ironizuar edhe Vatikanin, duke thënë se nuk mund të lëshohen apelet për të ndihmuar të varfërit dhe të uriturit e Botës nga një ndërtesë qe është e veshur me flori nga brenda. Por asnjë i krishterë, apo katolik, nuk më akuzoi…
Nga Mentor Kikia
Një opinion i imi, publikuar në faqen time në fb, mori shumë vëmendje. Dhjetra mijëra lexues(deri sot, të mërkurën, në mesditë rreth 95 mijë) e qindra komente, pa llogaritur riprodhimin e tij në shumë media online(me titujt sipas redaksive e jo pas meje).
Bëhej fjalë për një debat të hershëm, gratë e mbuluara myslimane.
Por unë se trajtova për të ushqyer debatin, pasi mendoj se nuk ka asnjë debat këtu derisa ajo është zgjedhje e gjithkujt.
Thjeshtë iu referova rastit të grave që shkojnë në plazh dhe mbyllen në çadra, apo lahen të veshura e të mbuluara, ndërsa burrat lahen si gjithë të tjerët.
Thjeshtë dhashë mendimin tim, duke thënë se kjo është shkelje e të drejtave të grave, pasi në plazh shkohet për tu freskuar e jo për tu ngujuar në çadra të mbyllura në të gjitha anët, në piskun e vapës. Kaq!
Nuk nxita urrejtje fetare, nuk nxita imoralitet, nuk thashë se gratë me bikini janë më të mira e më të zgjuara, nuk nxita devijacione seksuale, nuk shava gratë e mbuluara dhe lavdërova homoseksualët, nuk përbuza fenë islame, nuk përhapa asnjë lloj fobie apo islamofobie…
Nuk më ka ndodhur kurrë të lexoj të gjitha komentet që bëjnë lexuesit poshkë shkrimeve të mia. Por kësaj radhe i lexova. I lexova dhe u trishtova shumë.
Kaq shumë sharje, mllef, urrejtje për autorin e shkrimit sa s’kisha dëgjuar e lexuar kurrë. Madje kishte dhe nga ata që thurnin mallkime në emër të Allah’ut. Por nuk u trishtova për sharjet, pasi s’më krijojnë ndjesi duke ditur nga vijnë. As për mallikmet, se e di që nuk më zënë. Por u trishtova duke ditur se ata janë bashkëkombas të mitë.
Burra që lëshonin vrer pse i kisha akuzuar se shkelin të drejtat e grave, duke shkruar se “me gratë tona bëjmë çtë duam, e s’të pyesim ty”. Burra që izolimin e grave në çadra apo nën burka, e barazojnë me nderin. Ndërsa ato që vishen me rroba banjoje në plazh apo funde të shkurtra në rrugë, i konsiderojnë prostituta e të përdala.
Burra që mendojnë se vetëm duke qenë nën ferexhe mund të jesh besimtare, e ndershme dhe e devotshme, e jashtë saj, gruaja ka një mijë të liga. Gra që më mallkonin duke thënë se janë të lumtura që janë në ato çadra sepse kjo përputhet me besimin e tyre.
Unë kuptoj besimin e verbër dhe nënshtrimin ndaj tij. Kjo është e drejtë e gjithkujt dhe as i paragjykoj as dua tia di. Por unë nuk kuptoj pse kaq shumë mllef. Pse kaq shumë urrejtje deri në kërcënime me jetë, për mua e familjen time. Kur Allahu nuk mëson kështu. Këta burra, që në emër të Allahut justifikojnë mbylljen e grave të tyre në tëenda se mos ia shikojnë të tjerët, e më akuzojnë mua se i kam paragjykuar, paragjykojnë të gjitha gratë e tjera që nuk mbulohen duke i quajtur të përdala.
Unë kam shkruar, duke ironizuar edhe Vatikanin, duke thënë se nuk mund të lëshohen apelet për të ndihmuar të varfërit dhe të uriturit e Botës nga një ndërtesë qe është e veshur me flori nga brenda. Por asnjë i krishterë, apo katolik, nuk më akuzoi.
Dua ti sqaroj të gjithë ata që kanë menduar se shkruajta kundër myslimanëve, mes të cilëve kam edhe shokët e miqtë e mi më të mirë e më të ngushtë. Nuk do ta bëjë këtë kurrë e për asnjë arsye, pasi besimi është e drejtë e cdo njeriu ndrësa bashkëjetesa fetare është pasuria më e madhe kombëtare e jona.
Ndërsa ata dallkaukë që të vetmin libër që kanë lexuar në jetën e tyre është Kurani, nuk përfaqësojnë myslimanët e Shqipërisë, por rrezikun e degradimit të besimit mysliman.
P.s
Fotoja eshte thjeshte ilustruese