Për dashurinë fal jetën, për lirinë fal dashurinë
Nga Eluar Gjika
Një ditë, një shoqe m’u drejtua me këto fjalë:
– Eluar, e kam shumë fobi faktin të jem e varur nga një mashkull, e dua kaq shumë pavarësinë time, saqë nuk e konceptoj dot të kem dikë, të cilit duhet t’i jap llogari, të më zërë gjithë krevatin, apo të kaloj gjithë jetën me të!
– Pse e mendon vetëm kështu – ia ktheva! – Pse duhet ta mendosh mashkullin tënd vetëm si objekt llogaridhënie, çështje hapësire dhe dimension kohe… ndoshta kjo ndodh, sepse i ke ndarë disa herë me njerëz të gabuar – ia ktheva…
-Çfarë thua “o gomar”,- ma ktheu, – ju meshkujt në thelb jeni të gjithë njësoj, mendoni njësoj!
Qeshëm të dy dhe unë ia pohova, por pa i thënë të njëjtën gjë, sepse realisht mendoj që ju femrat nuk jeni të gjitha njësoj!
Unë studioj për Shkenca Sociale dhe shoqëria ku unë jetoj përbën jo vetëm interes moral, por natyrshëm më vjen ta ëndërroj, ta dua e të shpresoj që brezat kanë një detyrë universale – të ndryshojnë, të ndryshojnë gjithçka, madje të transformojnë edhe mendimet, sjelljet, idetë, përshtypjet, paragjykimet.
Ekspertët e shkencave sociale thonë se, brezat ndryshojnë çdo 10 vjet. Fjala bie, një 20-vjeçar sot ka të tjera mendime, të tjera ide, të tjera ëndrra, të tjera sjellje, të tjera paragjykime nga ato që unë kam pasur 10 vite më parë (dhe sa mirë them unë)!
Mbase kjo që po shkruaj është një koment i imi edhe për revoltën e Sara Kapos, të cilën e respektoj për mendimin e saj, më shumë akoma që e shpreh lirshëm dhe pa frikën se do ta paragjykojnë. Qoftë edhe për mënyrën “agresive” të të shprehurit.
Unë kam jetuar për ca kohë në Norvegji Sara. Si një i huaj në atë vend të largët e të “çuditshëm” më kanë bërë përshtypje dy gjëra; shtëpitë e tyre të bardha, karakteristike prej druri e dy katëshe DHE NJË ÇIFT I MOSHUAR që jetonte përballë meje. Çdo ditë, sa herë që mundesha dhe fshehurazi, ndiqja ritualin e tyre simpatik. Këtë çift të moshuarish i shihja çdo ditë në verandën dhe sallonin e shtëpisë së tyre. Në veprimet e përditshme, teksa përgatisnin çajin e mëngjesit, gjellën e drekës, ata flisnin, përqafoheshin e herë-herë rrinin në heshtje. Zotëria me pas lexonte dhe zonja merrej me ndonjë punë shtëpie. Fundja si të gjithë të moshuarit e botës mendoja… ndonëse ata nuk më panë asnjëherë madje edhe kur e kërkoja shikimin e tyre nga ana tjetër e shtëpisë pa perde dhe po aq e depërtueshme.
Unë ballkanasi Sara… qeshja me veten dhe mundohesha të hiqja sytë herë pas here nga jeta e tyre e përditshme. Më kujtohej shtëpia ime në Lezhe, ajo me mur betoni, 2 metra e lartë dhe me gjemba, e izoluar hermetikisht që në ‘99 , koha kur është ndërtuar!
Pooooo… e izoluar, pra nga një shoqëri, e cila edhe sot mbjell frikë, fshehje, shmangie, injektim të një steorotipi shoqëror ku koncepti i Lirisë në çdo sferë të saj dhunohet, ose mbrohet me mjete jo DELIKATE. Me këtë dua të them, që këtu biem dakord të dy besoj, sepse edhe ti Sara mesa kam kuptuar nga postimet që bën në rrjetet sociale, urren gjërat sipërfaqësore, hipokrite dhe trysninë e të jetuarit siç bota do.
E përtej gjinisë… UNË JAM SHUMË DAKORD ME TY!
Ne, meshkujt, shoqëria, brezi i ri dhe ata që do të vijnë duhet të mundohemi më shumë, të mundohemi të gjithë që të KRIJOJMË NJË SHOQËRI SA MË TË LIRË… duke e filluar të paktën që nga Perdet e Kuzhinës, por jo e dhomave të gjumit (qesh), se kjo do ishte e tepërt!
Thënë shkurt e shqip, unë Sara të jap të drejtë, por a mos është më mirë që t’i “vrasim” butësisht fenomene të tilla, përndryshe vetëm sa u japim akses dhe ushqejmë më shumë vëmendjen e tyre?!