Për faj të dikujt, nuk i japim veresie askujt

Nga Andi Bejtja

Zakonisht, kur fillojnë dalin anekdota, sapo fillojnë të aplikohen të ashtuquajturat reforma qeveritare, tregon se gjërat nuk janë mirë jo vetëm për ata që i vuajnë pasoja e reformave, por edhe për ata që i ndërmarrin këto reforma. Dhe anekdotat dalin gjithmonë në mënyrë të natyrshme.

“Në një dyqan të vogël, hyri dikush me vrull dhe kërkoi i kërkoi lekë të zonjës së dyqanit, ndërkohë që ajo sapo dilte dhe ishte duke mbyllur dyqanin. Teksa personi që mundi të hynte në qepenin e ulur përgjysmë të dyqanit bërtiste lekët, lekët, e zonja e dyqanit fillojë të dridhej dhe të thoshte me gjysmë zëri, nesër do iki nëna ta bëj dhe kasën fiskale dhe ato të tjerat, mos më bë gjë sot më le kohë dy ditë. Ndërkohë, personi në fjalë ia ktheu, o none, nuk jam tatimor, jam hajdut, po më jep ca lekësh ke. Gruaja u çel në fytyrë dhe ia tha; o të keqen nona hajde të puth içik, e të jap ato lekë që kam se më shpëtove, se ju vetëm lekët të merrni, këta jo vetëm të vënë gjobë, po të sekuestrojnë mallin, madje të fusin edhe në burg”.

Kjo anekdotë e re tregon më së miri atë që po ndodh në terren. Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka ndërmarrë disa revolucione të vrullshme, në mbledhjen e të ardhurave dhe zhbërjen e informalitetit, por në një kohë krize globale dhe njëkohësisht krize shqiptare, kur ndërkohë nuk ka hapur rubinete të tjera, përkundrazi ka mbyllur shumë. Në një kohë kur shumë qeveri në rajon, po ulin taksat, po liberalizojnë ekonominë, madje ka vende ku po diskutohen edhe gjëra të tilla si për shembull lejimi i klubeve me muzikë në orët e natës, vetëm e vetëm për të stimuluar sado pak ekonominë, në Shqipëri po ndodh e kundërta dhe për më tepër me forma ushtarake aksioni. Dhe ç’është më e keqja ata që janë më të frikësuar janë të vegjlit.

Teksa aksionet kundra informalitetit janë të pakundërshtueshme në teori, zbatimi i tillë në praktikë dhe gjuha agresive e kryeministrit, ka bërë që biznesi i vogël, mos ta shohë qeverinë si partner, po si armik. Kryeministri harron se teksa ai vetë flet më këtë gjuhë, duke dashur të përçojë një mesazh të fortë, harron si mund ta përkthejë këtë gjuhë një punonjës tatimesh a dikush tjetër në hallkat e burokracisë shtetërore, gjatë ekzekutimit të aksioneve në terren. Kam qenë vetë prezent në disa raste, që për koincidencë i kam qenë prezent dhe këtu dhe jashtë.

Në një restorant të vogël ne qendër të Tiranës, teksa ligjëzbatuesit po kontrollonin sa njerëz ishin të punësuar dhe sa të siguruar, gjetën të vetmin kamerier të lokalit që nuk kishte kartë identiteti dhe për 5 minuta i vunë gjobë pronares të minilokalit, personit që nuk kishte kartën e identitetit. Nuk i lanë kohë kamerierit as të shkonte në shtëpi të merrte kartën, madje e refuzuan brutalisht këtë kërkesë. Ndoshta, edhe për faktin se këta punonjës punojnë vetëm e vetëm për të marrë bonuse nga gjobat që vënë. Dhe, kuptohet nuk mendojnë aspak në mënyrë afatgjatë.

Pas më pak se një jave, e zonja e lokalit e nervozuar, e mbylli lokalin dhe shtetit shqiptar i ikën x lekë drita në vit, x lekë ujë, x lekë sigurime të derdhura shoqërore, etj, etj. Kjo ndodh rëndom kur reformat qeveritare behën në mënyrë revolucionare apo ushtarake. Raste të tilla ka pafund këto ditë anembanë Shqipërisë. Jo të gjithë blejnë kostume 30 euro në Bari dhe i shesin 300 euro pa faturë.

Një situatë tjetër ku duket se kjo lloj reforme e aplikuar në këtë mënyrë, jo vetëm nuk do të funksionojë, por do të paralizojë dhe atë pak të ashtuquajtuar ekonomi që lëviz me sforco shihet tek dyqanet e vogla ushqimore të lagjeve. Është shumë interesante ajo që po ndodh dhe ndoshta ata që i nisën këto reforma në mënyrë kaq të vrullshme duhet të kishin ndaluar gjatë këtu, te këto dyqane të vogla që janë skaneri më i mirë i gjendjes së Shqiptarëve dhe ndoshta vendi më i mirë ku duhet të kalojnë më shumë kohë atyre që u shkon ndërmend të ndërmarrin reforma revolucionare, në një vend ku sipas Bankës Botërore gati gjysma e popullsisë jeton me pak më shumë se 2 dollarë në ditë. Dyqanet e vogla ushqimore, për vite e vite në Shqipëri dhe sidomos jashtë kryeqytetit jepnin ushqime me lista, apo siç thuhet në gjuhën e përditshme veresie. Është një formë që keq apo mire ka bërë të marrin frymë me qindra mijëra familje.

Tashmë ky proces është ndërprerë, pasi i zoti i dyqanit, duhet ta paguajë kuponin tatimor, bashkë me veresien, parapagim. Dhe jo më kot një parullë e vjetër “Për faj të dikujt, nuk i japim më veresie askujt!”, që presupozonnte dikë që nuk kishte paguar lekët e veresies dhe kishte marrë në qafë të tjerët, ka ngelur po e njëjta, po ngjitur me fjalën dikujt është futur në kllapa mbiemri “Rama”. 

SHKARKO APP