Për grevën e studentëve

Nga Çlirim Gjata –

Sot bëhen 29 vjet nga dita kur studentët hynë në grevë urie. Pallati i kulturës i Qytetit Studenti(kështu quhej atëherë, nuk e di sot),kati i dytë, dy sallat, holli lidhës dhe dy apo tre zyra të vogla më duket.

Kur hymë në grevë nuk e menduam si heroizëm. Të paktën atëherë nuk e mendoja kështu dhe as që më shkonte mëndja jo mua, por besoj se pakujt, se ne po bënim heroizëm. Thjeshtë hymë në grevë dhe kaq. E kam përmendur edhe diku tjetër. Në atë kohë ne ishim fëmijë, pavarësisht se studentë. Me përjashtim të pedagogëve. Ndonjëri, që nuk e mendoi kështu, nuk po bënte grevë por llogari.

Pak a shumë të tillë ishim shumica prej nesh kur hymë në grevë. Nga ajo ngjarje ka shumë kujtime, ka nga ato, që nuk i ka përmendur askush. Edhe për grevën e urisë janë shkruar shumë libra dhë qindra artikuj e intervista këto 29 vite. Nuk ka mbetur gjë pa u thënë. Por, është thënë në kontekstin politik dhe historik. Dhe jo shumë në atë njerzor.

Brënda holleve të grevës u krijua një art që nuk kam për ta harruar kurrë dhe nuk mund të përsëritet. Si puna e memeve të protestës së studentëve vitin e kaluar, por që në atë kohë ne nuk e dinim çfarë ishin memet. Sikur të ruheshin ato holle në atë gjëndje, që i lamë kur dolëm nga greva. Kjo po, që do të ishte histori. Fotografi të përqudnuara të E. Hoxhës; piktura dhe vizatime, parulla dhe shprehje, që tallnin regjimin, apo figurat e tij; lojra me parullat dhe propagandën e sistemit; poezi të ndaluara; një fantazi e shfrenuar, liri e artit të protestës në ekstrem. Historia e këtij vëndi nuk besoj se do të krijojë më, një ekspozitë tillë. Fatkeqsi që humbi.

Është shkruar shumë për vlerat e asaj greve, historinë që bëri, pasojat politike, heroiken e saj dhe nuk ka mbetur ndonjë kushedi se çfarë për të thënë. Më vonë duke analizuar atë kohë, kam krijuar bindjen se, greva më shumë se heroike, politike, historike apo ku ta di unë se çfarë tjetër, pati vlera të mëdha njerzore. Ne ishim të gjithë bashkë, solidarë kundër një të keqeje legjendare për vëndin tonë.

Nga kjo pikpamje pa e kuptuar dhe pavarësisht përmasave, ne ishim si studentët e Budapestit të `56, të Pragës të `68, të Prishtinës të `89, apo Berlinit kur rrëzuan murin. Pra ne ishim Europianë pa e ditur. Kjo esencë kishte qëndruar në shpirtin e shqiptarëve për shumë gjatë në kohë dhe shpërtheu me ne. Ai regjim, që s`la gjë pa bërë këtë nuk e vrau dot. Ndaj e përsëris, se ajo grevë pati vlera të mëdha njerzore.

Kanë kaluar gati 30 vjet. Nuk e di ku është më ky shpirt. E që atëherë, ne ushqehemi shumë më mirë; vishemi ku e ku më mirë; kemi banesa ndryshe(as nuk ëndërroheshin); kemi makina; udhëtojmë jashtë shtetit, pa viza pooo. Por, kam frikë se duke fituar gjithë këto pak nga pak, mos kemi shitur po kështu pak nga pak edhe shpirtin.

Për një gjë jam i sigurtë. Nuk do ta kishim bërë dot atë grevë, pa disa ngjarje përgatitore do ti quaja, që historia i paralajmëron përpara se të plasë e madhja. Siç edhe ndodhën përgjatë atij viti.

Protesta e Shkodrës e janarit `90 për rrëzimin e bustit të Stalinit, me pasoja të tmerrshme për protestuesit. E pra ajo ishte e para. Pastaj ajo e Tiranës, që mori emrin e heshtur. Protestat e Kavajës, ngjarjet e 2 korrikut të ambasadave, e deri te dhjetori `90 ku u themelua demokracia shqiptare. Mendoj se duhen parë të gjitha së bashku të pashkëputura nga njëra tjetra. Ndaj dhe meritojnë të njëjtën memorie.

Greva jonë atëherë, kulmoi me rrëzimin dhe zvarritjen e monumentit të diktatorit Hoxha. Çfarë ironi e fatit?! Sot duhet rrëzuar me të njëjtin shpirt proteste trashëgimtari i atij që e ndërtoi monumentin. Historia jonë.

SHKARKO APP