Për kë po investon qeveria në Arsimin e Lartë?
Nga Mero Baze
Ligji i ri për Arsimin e Lartë ka ngjallur zemërim dhe dyshime tek sektori publik i Arsimit të Lartë, për shkak të përfshirjes së tyre në një garë me universitetet e tjera, të cilat po ashtu do të duhet të kalojnë në një status publik, duke mos qenë më pronë e askujt.
Tani që tensioni duket sikur është rritur mes atyre që cënohen dhe atyre që garantohen nga ligji, më shumë se kurrë është e nevojshme pyetja: Për kë po investon qeveria shqiptare në Arsimin e Lartë?
Problemi ynë i parë dhe themelor është se ne nuk kemi thuajse asnjë univeristet. Dhe ato që kemi pasur deri në vitin 1990 sidomos degët e Inxhinierisë, Mjekësisë dhe Agronomisë, i kemi degraduar. Shkencat Politike dhe Filologjia janë jashtë çdo standardi univeristar, ndërsa universitetet e huaja thuajse as nuk guxuan të afrohen në këtë treg. Disa studentë të Fakultetit të Shkencave Sociale më kanë sjell një CD të turpshme, ku pedagogia u tregon si shembull të dashurisë së nënës për vajzën, faktin që i ka dhuruar një apartament kur ka mbushur 18 vjeç apo broçkulla diletantësh mbi filozofinë, që të bën jo ta mbyllësh atë Universitet, por mos ta hapësh deri sa të sigurohesh që pedagogë të tillë nuk jetojnë më.
Debati i nxehtë i këtyre ditëve duket sikur të krijon idenë e një komploti ndaj universitetit publik, duke e marrë atë të mirëqenë që është Universitet më i mirë se ai privat. Ky keqkuptim duhet të marrë fund. Nëse investitorët spekulantë të Universiteteve private ia dolën që të futin ca para në treg e të marrin miliona pas, banda e universiteteve publike është kthyer në një turp gjobvënës rektorësh, dekanësh dhe pedagogësh që marrin para, pa futur fare dorën në xhep dhe shesin njëlloj si privatët diploma. Filalet e tyre në rrethe janë një turp i arsimit shqiptar, ndërsa në Tiranë, nuk e dallon dot një degë të Universitetit publik nga ai privat, përsa i përket cilësisë. Për ta kuptuar këtë, mjafton të dëgjosh disa legjenda për disa pedagogë të universiteteve publike që vazhdojnë të ngelin student që nuk mësojnë, për të cilët nuk thuhet më që janë pedagogë të zotë, por thuhet që “nuk i marrin paratë”. Kaq është diferenca mes dy palëve, dhe meqë të dy janë të zhytur në shkatërrimin e arsimit shqiptar, nuk ka pse të mos jenë të barabartë në startin e ri në të cilin i vendos ky ligj, pavarësisht sa i mirë dhe i dobishëm do të rezultojë. E sigurt është se ligji nuk ka ç’prish më në Arsimin e Lartë, në këtë gjendje që e kanë katandisur këta që bëjnë si të irrituar.
Por ajo që më shqetëson mua nuk është se ku do të gjejnë punë ca pedagogë sharlatan dhe a do realizohet plani pesëvjeçar i studentëve, por si duhet të krijojmë një mekanizëm që të ballafaqojmë cilësinë e universiteteve tona.
Së pari, fondi i qeverisë për kërkime shkencore në Universitet, sado i madh të jetë apo i vogël, është i padobishëm nëse nuk prodhon vërtetë kërkime shkencore.
Para viteve 90 universitetet shqiptare kishin revistat e tyre shkencore atashuar pranë Akademisë së Shkencave, që seleksionin një farë standardi të punimeve shkencore. Po ta lexosh sot, e vetmja gjë e vërtetë që ka shkruar Sali Berisha në jetë, është pikërisht një punim shkencor për infarktin e miokardit botuar në revistën shkencore të Fakultetit të Mjekësisë. Mjekët, inxhinierët, apo studentët e artit botonin punime të vërteta shkencore, të verifikueshme, të prekshme dhe të zbatueshme në terren. Farudin Hoxha botonte studime mbi Hidroteknikën, të tjerë pedagogë mbi vendburime të naftës dhe kromit, mjekë të shquar studime mjekësore etj. Sot botohet letërsi politike dhe quhet shkencë.
Në këtë pikë, qeveria duhet të ndryshojë këndvështrimin e saj ndaj ekspertizës në tërësi në vend. Shumë universitete të shquara në botë, që nga Oksfordi, Cambridge dhe Harvard, nuk jetojnë nga lekët që u marrin studentëve, por nga shitja e kërkimeve të tyre shkencore. Universitetet tona shesin vetëm diploma. Është koha që këto universitete të vihen në provë për ekspertizën shkencore. Fjala vjen, qeveria jonë liçenson qindra ekspert të pavarur, që konsiderohen apriori të aftë për të dhënë mendime dhe për të bërë gjëma nëpër gjykata dhe në çdo forum ku kërkohet ekspertiza. Fjala vjen nuk ka rëndësi se çfarë studenti ke qenë dhe çfarë ke bërë në jetë, por po të kesh një diplomë, mund të marrësh çfarë liçense eksperti të duash, me pak mik.
Fjala vjen ndërtohet një hidrocentral dhe oponencën e bën një i liçensuar për mjedisin, që mund të ketë qenë i paguar nën dorë ose i paaftë dhe të bën gjëmën. Ose të ndodh siç është rasti i Devollit, kur meqë liçencën për hidrocentral e jepte Berisha, ekspertizën e mjedisit e merrte dhëndrri. Qeveria duhet të heqë dorë nga këto praktika që kanë shkatërruar standartet e ekspertizës në vend dhe duhet tu kërkojë katedrave ekspertizë profesionale për thuajse çdo gjë që i duhet në këtë vend. Në mungesë të Instituteve Shkencore që financonte dikur qeveria dhe që ishin përgjegjëse për ekspertizën, sot të paktën ta zhvendosim ekspertizën tek universitetet dhe t’i paguajmë ato për punën që bëjnë. Kjo do të fillojë të prodhojë brezin e ri të shkencëtarëve të vërtetë dhe studiuesve që mund të bëjnë diçka në këtë vend. Oponencat strategjike dhe teknike dhe deri tek oponencat për ndërtime apo vlerësime financiare, duhet t’i bëjnë katedrat e specializuara. Kështu, në varësi të aftësisë që këto katedra do të kenë për të bërë ekspertiza, duhet të rivlerësohen në treg dhe të fitojnë autoritetin që u mungon. Sot të gjithë pedagogët punojnë privatisht si ekspertë të papërgjegjshëm dhe përgjegjësia në finale është jetime. Sot çdo student i dobët i tyre mund të quhet ekspert, nëse do të marrë një liçensë. Unë që jam diplomuar për inxhiner gjeolog dhe kam 22 vite gazetar, s’kam asnjë pengesë të bëhem ekspert mjedisi apo ndërtimesh dhe të hedh firmën pa e vrarë shumë mendjen.
Fuqizimi i universiteteve duhet të vijë pikërisht nga produkti i tyre shkencor dhe jo nga sasia e diplomave që shesin dhe studentëve që blejnë në treg. Ky parametër duhet të shërbejë dhe për t’i rankuar ato dhe për t’i nxjerr nga tregu ata që nuk bëjnë.
Të më ndjejnë ata që mund të revoltohen, por unë nuk jam fare i mërzitur nëse numri i atyre që mbarojnë universitet pjestohet disa herë. Në duhet të ndalim pak, të qetësohemi, të marrim frymë dhe të pranojmë që këta që diplomohen nuk janë student, por blerës diplomash dhe kështu po djegim shanset e një brezi të tërë që ka brenda dhe talentet e veta. Ky vend ka nevojë për njerëz që dalin nga universiteti të ditur dhe jo me diploma.
Në prag të vitit 1990, një pedagogu ynë i famshëm për skurplozitetin e tij, V.Kedhi, ishte lëkundur para presionit të miqëve të tij, për të mos ia djegur universitetin një shokut tonë, që nëse ngelej aty duhet të ikte ushtar. Pasi i dha disa shanse në tryezë të përgjigjej, studenti nuk ia doli dot. Atëherë pedagogu u ngrit qetësisht, i mori librezën dhe i vuri 4.
-Mos professor, – i tha ai, se ika ushtar po më vure 4.
-Ik mor djal, – i tha. Ky vend siç është bërë, ka nevojë më shumë për ushtar se për inxhinier. Dhe nuk iu drodh dora. Ia dogji shkollën.
Arsimi i Lartë këtu do të fillojë, kur universitetet të prodhojnë ekspertizë dhe student dhe jo kur të debatojnë pse janë të barabartë në mjerimin e tyre. Qeveritarët duhet të kenë këshilltarë të tyre katedrat shkencore dhe ekspertizën reale dhe jo njerëzit e licensuar turpshëm si ekspertë. Nëse ka diçka për të cilën qeveria duhet të mendojë, është t’i fut universitetet në tregun e shkencës, të punës dhe kërkimeve të vërteta shkencore dhe jo grafomanisë, që konsiderohet gabimisht punë shkencore.
Ndaj qeveria duhet të mendohet mirë për çfarë duhet të investojë në tregun universitar. Nëse ajo investon që të kemi universitete që jetojnë nga djersa e tyre si shkencëtarë, do ta fitojë betejën. Nëse investon, që tregu universitar të mbijetojë nga blerja e studentëve dhe shitja e diplomave, thjesht ka për të përsëritur dështimin.
TEMA