Për Kozetën

Kozetën dhe Sokolin i njoh, paralelisht dhe pavarësisht njëri-tjetrit. Ndërsa për Sokolin është shkruar shumë, për Nënën e tij, me “N” të madhe, është ndaluar fare pak. Fati dhe rrethanat kanë sjellë që me Kozetën të kem patur disa pikëpjekje familjare. Herë si nxënëse e xhaxhait tim, shkrimtarit Gjergj Zheji, herë si admiruese e babait tim, Petros, dhe herë si mike e shtrenjtë e nënës sime, Besës.

Kozeta ishte dhe sigurisht është një njeri rrezatues dhe me një mirësi individuale si pakkush mund ta ketë. Më kujtohet në dhjetorin e vitit 2009, kur ime më pati një thyerje të rëndë. Ajo  ndenji pranë saj dhe meje, në të ftohtin e sallës së urgjencës së spitalit ushtarak, për shumë orë me radhë, në pritje të radiografisë dhe shtrimit në një dhomë sa më të mirë. Duke i dhënë kurajë dhe ndihmë mikes së saj që vuante, mbështjellë me një batanije leshi të ashpër, plaçkë e Luftës së Dytë Botërore. Pavarësisht se ishte nënë ministri. I një ministri të rëndësishëm. Por ajo ishte gjithmonë ajo dhe vetëm ajo.

Kozeta. Një njeri thellësisht i vuajtur,të cilat në vend që ta shtypnin dhe deformonin, duket se kishin gdhendur tiparet dhe  fizionominë e një Fisnikeje.

Mund të listoja këtu mjaft raste personale, ku unë, pa asnjë lidhje interesi nga ana e saj, isha thjesht dhe vetëm përfituesi. Dhe, nëse një njeri si ajo, kish dhe uroj të ketë edhe sot kaq ngrohtësi dhe pozitivitet për mua, tepër larg në renditjen e pemës së hierarkisë afektive, mund të përfytyrohet Njeriu dhe Njerëzorja brenda lëvozhgës  së njeriut Kozeta. Por ka edhe mjaft raste të të bërit mirë pa interes, të njohura për të. Si një impuls burimor i një shpirti të mirë. Që ecën në rrjedhën e vet, pa bërë shumë pyetje dhe pa pritur shpërblesë.

I them të gjitha këto, sepse në këtë shoqërinë tonë të tharë dhe pa pothuajse asnjë lloj lëngu njerëzor, modeli i Kozetës, si Nënë dhe si nëna e Sokol Olldashit, është një pikë referimi. Ndoshta për një rreth të ngushtë.

Por për një Rreth me Kode.

Mjafton të lexosh librat apo shënimet e saja autobiografike nga ferri i internimeve, nga ku, urrejtja që do të duhej të lindte nga vuajtjet e padrejta, ka lindur si me magji dhe si për absurd, shumë më shumë dashuri njerëzore.

I tronditur nga vdekja e Sokolit, si një vdekje e panatyrshme, jashtë çdo radhe dhe plot hije dyshimesh të pakthjelluara, nuk pata forcën shpirtërore që ta ngushëlloja nga afër Kozetën. Për këtë humnerë që u hap në shpirtin e saj kaq herë të sprovuar.

E ngushëllova në heshtje dhe në distancë. Duke besuar që ajo, edhe këtë mënyrë timen, që shumëkush mund ta mbiquante si absurde, do ta mirëkuptonte në një lloj forme. Sepse, ndonëse mund të isha absurd në këtë sjelljen time ndoshta të pakuptimtë për shumëkënd, por gjithsesi, besoj e sinqertë. Dhe plot siklet për hipokritët e shumtë që takohen në kësi rastesh. Absurd dhe i sinqertë, shumë më tepër se ngushëllonjësit e shumtë, shumica të pasinqertë, që në ditët e sotme janë bërë një specie shumë popullore në Shqipëri. Sepse mjerisht, ky vend ka qenë dhe vijon të mbetet një tokë shumë pjellore për vdekje të famshme, të zymta për origjinën e tyre dhe me zgjatime enigmash që hedhin shtat si ca hije, që e mbushin këtë shoqëri me vrer, pasiguri dhe buzëqeshje hienash.

 

E pra, nuk u habita aspak, ndonëse u gëzova sa më s’ka, kur gjeta mbi tryezën e zyrës sime një ftesë:

Me Sokolin

Dhe vendosa të shkruaj këto radhë që kisha kohë që i bluaja brenda vetes.

Për Kozetën. Si për një nga pak ishujt e mirë të këtij vendi, dhe për detin e së keqes që na rrethon dhe për “elitën” shqiptare që nuk po lind dhe për ambicien me të tepërt dhe pa fije morali, që shëmton kaq shumë dhe si një operacion plastik i dështuar edhe fytyrat më të bukura natyrale dhe biologjike.

Uroj të kesh forcë Kozeta! Si Nënë, si intelektuale dhe si Ishull!

“Mapo”

SHKARKO APP