Për “kriminelin” Alfred Peza dhe “engjëjt” e Prokurorisë!
Sa më përket mua personalisht, të gjithën këtë po e përjetoj si një eksperiencë të munguar dhe të radhës, të cilën nuk i’a uroj askujt. Pasi motivi që më ka shoqëruar këto ditë të vështira për Mirelën, Hergin, Almirin dhe nënën time, është një shprehje e Gëtes: “Gjatë gjithë jetës sime, shigjetat e helmit u nisën drejt meje. Por ato kurrë nuk më arritën, sepse unë i përkas një bote tjetër”…
Nga Alfred Peza
Në orën 10.00 të ditës së sotme, isha thirrur në Prokurorinë e Përgjithëshme për tu njohur me përfundimin e hetimeve për pasurinë time, një çështje e cila tashmë është e ditur. Kjo është një procedurë krejt normale dhe rutinore. Ajo që e bëri sërisht të “bujshëm” këtë lajm, ishte diçka krejt tjetër. Fati e desh që Prokuroria të ishte kujdesur që mbërritje ime atje, “të koinçidonte” me takimin e parë mes ministrit të Ri të Brendshëm dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Kështu që kamerat dhe gazetarët e harruan për çfarë kishin shkuar dhe në të drejtën e tyre, zgjodhën që të fokusohen tek unë dhe avokati im, z. Ardian Visha.
Ndryshe nga sa u raportua, më duhet të them se sot nuk kishte asgjë të re, përveçse u vura në dijeni të përfundimit të procedurave të hetimit, akteve dhe shkresave siç ndodh për çdo çështje tjetër, përpara se ato do ti shkojnë për shqyrtim Gjykatës së Lartë.
Por, ndërsa isha brenda ambjenteve të institucionit, njoftohem se në median e një zelltari të shquar ndaj rastit tim, ishte shkruar se unë jam marë sot i pandehur. Një gënjeshtër sa bishti i një komete, si shumë gënjeshtra të tjera të prodhuara gjatë kësaj kohe pa hesap, ndaj personit tim. Çështja ndaj meje mban Numrin 1 dhe është regjistruar zyrtarisht, që në datën 28 shkurt 2017. Kështu që këtu nuk ka asgjë të re, ndaj rrini të qetë, se ka boll lajme të tjera për tu marë këto ditë.
Nuk kam asgjë më shumë për të thënë sot, sesa fjalia e vetme që artikulova në Prokurori: “Nuk dëshiroj të deklaroj (asgjë), për sa kohë çmoj që: çdo shpenzim i kësaj energjie nuk do të prodhonte asnjë rezultat, kundrejt një misioni jashtë detyrimeve ligjore që vijon të ndërmarrë prokurorja e kësaj çështje, ndaj meje”.
Ky ishte fundi i një filmi që unë e kisha parë kohë më përpara se Prokuroria e Përgjithëshme të vihej në lëvizje. Që në datën 13 janar 2017, ditën kur një media fabrikoi këtë lajm, me shpifje të ulëta e krejtësisht të pa bazë ndaj meje, për shkak të detyrës sime si deputet i PS në Kuvendin e Shqipërisë. Një rast ky që do të kemi kohë që ta sqarojmë juridikisht me avokatët e mi, pasi Gjykata e Lartë të thotë fjalën e saj në lidhje me akuzat monstruoze ndaj meje.
Dua të rikujtoj se e gjithë kjo farsë e ndyrë ka filluar të çmontohet, menjëherë pas tërheqjes sime nga kandidimi për deputet në zgjedhjet e 25 qershorit. Pasi Gjykata e Lartë, pak ditë më parë rrëzoi me vendimin unanim të pesë anëtarëve të Kolegjit Penal, kërkesën e Prokurorisë së Përgjithëshme për vendosjen e sekuestros preventive ndaj parave të mia.
Duke i falendëruar të gjithë të afërmit, miqtë dhe dashamirësit e mi, ju them se sot, jam më i qetë se kurrë më parë në jetën time. Sepse jo vetëm ju të gjithë, por edhe ata që më kanë akuzuar mua dhe që kurrë nuk erdhën përballë meje këto katër muaj për të mi thënë ato në sy, e dinë shumë mirë se unë nuk kam bërë asnjë krim. Sepse unë nuk i përkas asaj bote për të cilën më akuzojnë. Ndaj, mezi po pres ditën e gjykimit, kur drejtësia të thotë fjalën e vet.
Sa më përket mua personalisht, të gjithën këtë po e përjetoj si një eksperiencë të munguar dhe të radhës, të cilën nuk i’a uroj askujt. Pasi motivi që më ka shoqëruar këto ditë të vështira për Mirelën, Hergin, Almirin dhe nënën time, është një shprehje e Gëtes: “Gjatë gjithë jetës sime, shigjetat e helmit u nisën drejt meje. Por ato kurrë nuk më arritën, sepse unë i përkas një bote tjetër”.