Për një dorëheqje të përgjegjshme kundër kaosit të Ramës!
Nga Preç Zogaj
Protesta paqësore e flamingove foli gjatë. Pesë muaj pa pushim. Në ditët e veta më të mira, ajo ekspozoi përmes pjesëmarrjes masive të qytetarëve probleme madhore të demokracisë sonë, si për shembull:
Përjashtimin në shumë aspekte të popullit nga sistemi që formalisht mban emrin demokraci — sundim i popullit.
Personalizimin ekstrem të pushtetit nga kryeministri Edi Rama, tej protagonizmit normal që ia jep posti.
Polarizimin e theksuar ekonomik dhe përkeqësimin e gjendjes për familjet e zakonshme, ku rreth dyzet përqind e tyre janë në rrezik varfërie ose përjashtimi social, sipas INSTAT-it.
Kostot e larta europiane të artikujve ushqimorë dhe shërbimeve bazë, por me pensione dhe rroga shqiptare.
Krizën e alternativës më të madhe opozitare, e perceptuar gjerësisht në publik si e marrë peng nga Sali Berisha për hallet dhe interesat e tij.
Të gjitha këto i pamë të artikuloheshin me denoncime, propozime dhe kërkesa konkrete.
A reflektoi Rama mbi arsyet e thella të protestës me urtësinë e shtetarit më të vjetër të tranzicionit, në kuptimin e kohëzgjatjes në pushtet? Jo.
A i shkoi mendja të ishte në avancë, duke e befasuar për mirë agorën, siç bëjnë politikanët lartpamës, të cilët reagojnë më shpejt dhe madje japin më shumë se u kërkohet kur analizojnë se situata është potencialisht shpërthyese? Jo.
A reagoi ai institucionalisht me fjalë dhe me akte ndaj kërkesave të protestës, ku duke lënë mënjanë atë të dorëheqjes — për të cilën kishte gjithë të drejtën e Zotit ta shihte me qetësi — të tjerat ishin dhe janë të pranueshme? Jo.
Rama u “propozoi” protestuesve paqësorë një garë durimi, ku ai natyrisht do të ishte në pozita komode në zyrë, në veturë, në avion e në shezlong. Bashkë medhe të tigtë, ai u josh dhe u argëtua duke numëruar e filmuar nga ajri protestuesit e pakësuar përgjatë një vere rraskapitëse. Pa i shkuar ndërmend se masa e stërmadhe e qytetarëve shqiptarë ia kishte hedhur topin, kishte folur për aq sa ishte dashur dhe priste përgjigje në llojin e asaj qetësie që mbushet me huje dalëngadalë.
Reagimi i tij ndërkaq, përmes nismave të quajtura “Prania Besnike” dhe “Pasqyrë Albania”, i reduktoi arsyet e thella të protestës sikur ato të kishin të bënin vetëm me dështimin e zyrave të kërkesave dhe ankesave të popullit. Kjo është një qasje tipike e qeverive propagandistike. Në fakt, qëllimi i vërtetë i “Pranisë Besnike” ishte forcimi i unitetit në parti. Kjo u pa qartë në votimin e reformës së kërkuar territoriale, që kaloi si një provë force e kryeministrit me të tijtë dhe si një mesazh force për protestën dhe gjithë “armiqtë” e brendshëm e të jashtëm.
Çfarë ndodhi pas të gjitha këtyre? Ndodhi ajo që ndodh gjithmonë në ballafaqimin midis kërkesave të protestuesve dhe një qeverie që pret të kalojë matanë pa u lagur, duke llogaritur avantazhet e saj në garën e durimit.
Ndodh vjetërimi i opsioneve, kalimi i protestës nga një kërkesë e caktuar te një tjetër më e fortë, nga një qasje e butë te një qasje radikale, nga paqësorja tek paqësorja e kombinuar me akte të dhunshme.
Ndodh ajo që po shohim në Tiranë dhe në rrethe këto ditë. Studentët kanë marrë stafetën në një zgjim të ri dhe në një kryengritje të vrullshme që ndan kohët dhe sfidon stereotipet mendore e ndjesore të kohës që kemi jetuar e jetojmë. Është në natyrën e brezit të ri. Aq më shumë në ditët tona të një plebishiti online paneuropian të studentëve dhe nxënësve në shumicën e vendeve europiane. Kështu e hapin rrugën nisjet e reja. Për fatin e demokracisë.
Studentët dhe nxënësit shqiptarë në protestë janë hëm vazhdim, hëm avancim i protestës së flamingove. Ata janë kupa e mbushur që vjen e derdhet. Dhe kjo jo vetëm si një reagim vendimtar ndaj vështirësive të mëdha ekonomike të shumë prej tyre. Do të ishte gabim të mendohej se kjo është kryengritja vetëm e atyre me të ardhura të pakta në familje. Është edhe e atyre “me lekë”. Të gjithë bashkë e kanë me indiferencën e qeverisë ndaj kërkesave të mëparshme, e kanë me korrupsionin, papërgjegjshmërinë dhe kalbëzimin.
E kanë, mbi të gjitha, me establishmentin shumëvjeçar, me të njëjtët emra dhe të njëjtat fytyra liderësh të pashkulshëm që u dalin përpara ngado që kthejnë sytë si Big Brother-i i Xhorxh Oruellit, qëkurse kanë qenë në kopsht, në fillore, në nëntëvjeçare, në shkollën e mesme e në universitet — gjithë jetën, sikurse prindërve të tyre, madje edhe gjyshërve të tyre. Këta liderë janë personifikime të kohës së ngrirë dhe të një demokracie moçalore pa dialektikë që nuk rrjedh; janë pasqyra e kazermave partiake ku sundojnë me dorë të hekurt.
Duke i treguar me gisht dhe duke u kërkuar largimin, rinia shqiptare e kohës sonë, dhe veçanërisht ajo studentore, ka nxjerrë në pah dhe ka shtruar për zgjidhje një problem endemik të shtetformimit dhe shtetfunksionimit në Shqipëri: atë të ciklit të liderëve. Në rendin demokratik, kryeministrat në vendin tonë nuk duhet të mbajnë më shumë se dy mandate, shumë-shumë tre. Më tej shëmtohen. Nuk kam parasysh pamjen e jashtme. Shëmtohen në kuptimin e daljes nga historia duke qëndruar ende në politikë, në krye. Pra, në inversin e rendit të natyrshëm, që është dalja e politikanit nga politika për t’i lënë radhën historisë të flasë me gjykimin e saj pa hatër.
Përmbysja e këtij rendi, si një grishje demoniake e një kategorie politikanësh të prerjes absolute, sjell reperkusione të mëdha në operacionet e tyre dhe në qeverisjen e vendit. Përfundon gjithmonë keq për ta, por dëmin ndërkohë e bëjnë.
Në kushtet kur liderët e kësaj prerjeje uzurpojnë partitë e shndërruara në kazerma politike, shkelin çdo normë të garës së lirë brenda tyre dhe kapen me thonj e me duar pas karriges — edhe kur korrupsioni i tyre dhe i bashkëpunëtorëve të tyre e bën baltë — zgjidhja e vetme mbetet kufizimi me ligj i mandateve të kryeministrit.
E di se mund të ketë ndërhyrje të vendeve dashakeqe apo armike në protestat studentore-popullore. Ka pasur gjithmonë. Do të vijojë të ketë. Mirë është të denoncohen me emër nga policia. Armiqtë e Shqipërisë dhe të demokracisë shqiptare nuk mund të vendosin për Shqipërinë.
Ama shumica dërrmuese e protestuesve në Tiranë dhe në rrethe janë të rinj e të reja, qytetarë shqiptarë të ndershëm të çdo moshe. Protesta është e tyre. Pastrimi i saj nga të infiltruarit me axhenda antishqiptare është detyrë e policisë dhe e SHISH-it. Nuk mund të lejohet që stratagemat antishqiptare të na bëjnë aq keq sa të na bllokojnë demokracinë e drejtpërdrejtë.
Vetëprojektimi i Ramës për një mandat të pestë, me rekordet e krimit në pushtet dhe pushtetit në krim (tashmë me mjaft prej tyre në aulat e hetimit dhe të drejtësisë), është një provokim i madh për studentët, protestuesit dhe shumicën e qytetarëve. Ai nuk e shtyn dot as këtë mandat në situatën ku ndodhet. Ai duhet të konsiderojë një largim të përgjegjshëm kundër kaosit, siç i ka hije dhe siç e ka për detyrë qytetare e kombëtare si një personalitet që ka drejtuar qeverinë për më shumë se trembëdhjetë vite. Ai duhet ta udhëheqë zgjidhjen në funksion të stabilitetit dhe perspektivës së zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Skemat janë disa. I ka provuar Shqipëria me Fatos Nanon, Sali Berishën dhe prapë me Fatos Nanon disa herë. Qoftë me zgjedhjen e një kryeministri të ri nga shumica që merr përsipër të çojë vendin në zgjedhje të përgjithshme me një ligj të ri elektoral; qoftë me krijimin e një qeverie ekspertësh që merr përsipër të njëjtën gjë, duke u lënë kohë subjekteve të reja të dala nga protesta dhe post-protesta që të organizohen.

