Për vajzat që dorëzohen dhe thonë: Unë doja vete!
Nga Rudina Xhunga
Një vajzë në Vlorë është përdhunuar në grup dhe është hedhur në rrugë. Vajza ka bërë denoncim në polici dhe një ditë më pas, e ka tërhequr, duke thënë se ka shkuar vetë me dëshirën e saj. Një ngjarje e turpshme dhe e neveritshme. Jo vetëm për faktin që kjo vajzë është përdhunuar dhe hedhur në rrugë, por edhe për faktin që kësaj ngjarjeje i shtohet edhe zëri i shoqërisë që mbledh buzët: eh, e kërkoi vetë, e donte dhe ndodhi.
Donte dhe e bëri, thotë shoqëria, nuk të merr njeri me zor. Po, donte dhe shkoi, donte të pinte, donte të hante drekë, donte edhe të shkonte në dhomë pas dreke. Por nuk donte të vdiste. Nuk donte ta shqyenin dhe ta hidhnin në trotuar. Keni vajza ju? Duan vetë ato??? Si mund ta thuash këtë frazë? Duan vetë! Dalin të premte, të shtunë, të diel dhe e kërkojnë vetë. E tmerrshme! E ndyrë! E neveritshme! Po, ato duan vetë të flasin, të dalin, të pinë, të zhvishen, të bëjnë dashuri. Është jeta e tyre, është trupi i tyre. Por nuk duan t’i vrasin!
Dhe vjen pastaj pjesa edhe më e rëndë. Reagimi i sistemit. Vajza është e kërcënuar, por nuk është punonjësi i shtetit, që ka marrë denoncimin dhe pastaj tërheqjen e denoncimit? Po pse more burra, duhet të vijë ministri për çdo rast dhune ndaj gruas, që t’ju dalë frika juaj nga krimi? Po ju a keni vajza? Shqipëria e post ‘90-ës është plot me ngjarje të tilla. Sa vajza u hodhën trotuareve, sa prej tyre nuk folën kurrë, nuk treguan kurrë, nuk harruan kurrë! Për vajzat që tani janë bërë nëna dhe nuk iu ka ikur kurrë gjurma e dhunës nga trupi. Gjurma e dhunës së atij që ka pushtet, pushtetin e armës, të një kohe terrori.
Dhe në emër të atyre kohërave mos guxoni të thoni; vajzat duan vetë. Vajzat nuk duan vetë. Vajzat duan të jetojnë. Ta jetojnë jetën në mënyrën e tyre. Me fustane të shkurtra, me pantallona, si të duan ato. Është trupi i tyre, është jeta e tyre, e vendosin vetë. Por askush nuk do të vdesë, të përdhunohet. Askush nuk do, kur thotë JO.
Njerëzit e mediave në Vlorë që njohin njëri-tjetrin, heshtën dhe nuk e sollën lajmin në mediat e mëdha. Një vajzë foli. Afroviti, gazetare në Vlorë. Vajzë e guximshme. Një televizion lokal, e quajti Prosti. Gazetarja Prosti.
Raste si ky, nuk mund t’ia lëmë vetëm ndërgjegjes së gazetarëve. Nuk mund t’ia lëmë vetëm gjinisë së gazetarëve. Nuk duhet t’ia lëmë as vetëm xhepave të gazetarëve, apo frikës së gazetarëve. Duhet të ketë institucione që vendosin për këtë çështje, mbi emocionet dhe nevojat.
Nuk jemi më në ‘97-ën kur shteti ra dhe ne bashkë me të. Jemi në kohën kur shteti duhet të flasë me ligje, jo me shembuj. Jemi në kohë që vajza të tjera të mos përdhunohen, poshtërohen dhe në fund edhe të dorëzohen duke thënë: Unë doja vetë!