Përditë drogë dhe vetëm drogë

Vetëm gjatë 48 orëve të fundit, në disa operacione të Policisë së Shtetit janë sekuestruar më shumë se 600 kilogramë kanabis-sativa. Javën e kaluar, në gjithë vendin u raportua për kapjen e mbi 2 tonë hashash i përgatitur gati për tregun europian. Në Itali, ka thuajse çdo ditë raportime për kapjen ngarkesave me hashash që vijnë nga Shqipëria. Rruga e vjetër e gomoneve që dikur përdorej për klandestinë, tashmë është rikthyer me të njëjtin fluks. Vetëm këtë herë nuk janë emigrantë të pashpresë, por miliona euro mall që eksportohen drejt bregut të vendit fqinj. Një nga gazetat italiane shkruante se Shqipëria nuk është më “Vendi i Shqiponjave”, por i hashashit dhe etiketohej si “Kanabistan”. Sasitë rekord që janë kapur në Itali gjatë këtyre muajve janë vetëm fillimi. Duke parë prodhimin e hashashit gjatë këtij viti që është i bollshëm, mediat e vendit fqinj shkruajnë se pritet që drejt brigjeve italiane të nisen sasi të tjera shumë më të mëdha.

Në kufirin me Greqinë është e njëjta situatë. Për shkak të rrugëve tokësore dhe pamundësisë për të kapur çdo person me thasë hashashi, sekuestrimi i çdo ngarkese është gati e pamundur. Policia greke është përqendruar në rrugët automobilistike dhe dogana, ku mundësitë e gjurmimit të trafikantëve janë më të lehta. Edhe këtu thuajse çdo ditë kapen ngarkesa me sasi të mëdha. Aq sa mediat greke po flasin për organizata të fuqishme kriminale me shqiptarë që dominojnë pjesën më të madhe të këtij tregu.

Por nuk është vetëm eksporti i hashashit që e kthen drogën në problem. Edhe shifrat e importit të drogave të forta flasin për rritje të trafikut. Dje në Itali u kapën rreth 19 kilogramë kokainë e ardhur nga Brazili. Destinacioni i saj mësohet se ishte Shqipëria. Raportet e policisë italiane dhe asaj greke e rendisin Shqipërinë në pikë tranziti të drogave të forta, të cilat pasi vijnë nga Azia dhe Amerika Latine më pas kalojnë drejt Europës.

Në operacionet e Policisë Shqiptare ka disa arrestime që flasin për organizata të fuqishme. Dje në Fier ranë në pranga 11 persona, si pjesë e një grupi trafikantësh. Por nuk mungojnë rastet kur droga e mbjellë dhe e bërë gati për shitje është nga fermerë të zakonshëm. Në Kurbin u shpallën në kërkim dy bashkëshortët që kishin rreth 30 kilogramë hashash në dyshekun e dhomës së gjumit.

Këto shifra flasin për grupe të organizuara dhe me lidhje me grupet e vendeve të tjera. Por gjithashtu tregojnë se droga është kthyer në një fenomen që po kriminalizon gjithë shoqërinë, përderisa ka gra dhe minorenë që merrem me kultivimin e saj. Videot e publikuara këto ditë në media tregojnë për raste alarmante, kur fëmijët merren për përpunimin e boçeve të hashashit dhe punojnë me pagë mujore. E tmerrshme se po kthehet në fenomen shoqëror kanabisi.

E gjitha kjo nuk flet për vetëm për paligjshmëri, por për një situatë alarmante dhe urgjencë kombëtare. Sasitë rekord të drogës që kapen dhe numri i të arrestuarve nuk e zgjidhin këtë problem. Të paktën jo në këtë fazë. Çështja nis që në fillesën e këtij biznesi kriminal, tek mbjellja e qindra hektarë tokë hashash që nuk u parandaluan në kohë. Duhet që policia dhe strukturat e specializuara antidrogë duhej që në mbjellje ta shkulnin me të gjitha forcat e shtetit. Tani duket vonë se prodhimi është i mbledhur dhe do të shitet. Policia është në fazën e parandalimit të trafikut të drogës, por sado sukses të kenë operacionet e uniformave blu, një pjesë e madhe e drogës do të arrijë të dalë nga doganat shqiptare drejt vendeve të BE-së. Droga shqiptare pak nga pak nuk do të jetë vetëm një problem i qeverisë tonë, por edhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Sinjalet janë dhënë me kohë. Deklaratat e disa eurodeputetëve, shkrimet e shpeshta në media dhe raportet paraprake të institucioneve ndërkombëtare flasin për një problem serioz të krimit të organizuar dhe hashashit në vend. Nesër, kur të diskutohen hapat e mëtejshëm të vendit për në BE ka shumë gjasa që droga të jetë një kusht i ri për Qeverinë dhe ky do të jetë një kthim disa vite pas i Shqipërisë.

Ka një debat publik në sferat më të larta të qeverisjes për mënyrën sesi duhet të reagojnë institucionet ndaj këtij fenomeni, që tani nuk mund të fshihet dhe të shmanget. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka hedhur idenë e përfshirjes direkte të Ushtrisë në luftën kundër drogës. Dy ministra të kabinetit Rama, Saimir Tahiri dhe Mimi Kodheli i janë përgjigjur jo pa ironi kësaj kërkese. Sipas tyre, ushtria nuk është zgjidhje për këtë problem dhe deklaratat për luftë e drogës nuk bëhet me deklarata nga sallonet e konferencave. Ndërkohë, dje kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka theksuar se çështja e drogës është shumë shqetësuese dhe përgjigja duhet të jetë serioze, duke mbështetur qëndrimin e ministrit Manjani. Po dje, kreu i Kuvendit, Ilir Meta pranoi se në diskutimet me partnerët e vendeve fqinj çështja e drogës shqiptare është kthyer në një shqetësim. Meta kërkoi një bashkërendim të gjithë institucioneve të vendit, Policia, SHISH, Prokuroria. Ndërsa për çështjen e futjes së Ushtrisë, Meta tha se, “çdo institucion që mund të japë kontributin tij duhet të përfshihet dhe këto çështje është mirë të zgjidhen në tryezën  e qeverisë dhe të institucioneve”.

Pavarësisht se ministrat e linjës mund të kenë sërish të njëjtën përgjigje, fakti është se dhe në maxhorancë po pranohet hapur se droga është një problem emergjence kombëtare. Por pse Presidenti i Republikës nuk mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare për këtë fenomen?

 Qamil Xhani

SHKARKO APP