Përgjegjësitë për “laçianët” e politikës
Nga Mero Baze
Historia e shëmtuar e përfshirjes së një deputeti në përleshje me armë me rivalët e tij në biznes, është një ilustrim i përgjakshëm i pasojave qa ka përfshirja e botës ordinere në politikë. Përjashtimi i Armando Prengës nga Grupi Parlamentar i PS-së është një gjest i duhur, por ai nuk korrigjon problemin e prodhuar nga ky fenomen. Prenga është deputeti i tretë që Partia Socialiste po detyrohet ta largojë nga Grupi Parlamentar pas 23 Qershorit, nëse llogarisim dhe Mark Frrokun, i cili i përket një partie aleate me socialistët. Nëse e shikon më me vëmendje spektrin e të përjashtuarëve ata i përkasin deputetëve të Shkodrës dhe Lezhës, zona ku fuqia politike e Partisë Socialiste është tentuar të kompesohet me fuqi fizike. Sadoqë të shfajësohet sot me reagimet e tij normale dhe pa komplekse për detyrimet ndaj tyre, Edi Rama është përgjegjës jo vetëm i përzgjedhjes personale që ka bërë për listën Shkodër-Lezhë, por dhe për mënyrën sesi e ka menduar se do të përballet me banditët e Berishës në ato zona.
Përgjakja e 23 qershorit, vrasja e komisionerit të LSI-së në Laç dhe akuzat nga policia për përfshirje të Mëhill Fufit në këtë përleshje, ishin sinjali i parë dhe arsyeja e fundit përse të dy palët kishin çuar gladiatorët e tyre në ato zona. Fakti që Rama nuk gjeti zgjidhje tjetër në Lezhë dhe Shkodër përveç kundërvënies me të njëjtin kontigjent Berishës, është një taks që do ta paguajë dhe po e paguan shtrenjtë në këtë mandat qeverisës.
Përgjegjësia e dytë, që e bën më të shëmtuar dhe arsyen përse këta deputetë janë në lista është fakti që pas marrjes së pushtetit, ata kthehen në feudal lokal dhe diktues të kontrollit mbi pasuritë ekonomike. Në qendër të përleshjes nuk është ndonjë arsye politike, por një tender i humbur nga një pale, që e ka pasur gjatë pushtetit të Berishës të drejtën për peshkimin në Lagunë dhe zëvendësimin me një grup të lidhur me deputetin. Edhe sikur tenderi të jetë bërë i rregullt, fakti që ai shkon tek njerëzit më të afërt të deputetit, bën pis gjithë historinë dhe krijon modelin që motivon këta tipa të hyjnë në politikë.
Ky fenomen u shfaq sërish në zgjedhjet lokale në Lezhë dhe Laç ku ndarja nuk u bë politike, por "pragmatiste" siç e zbukurojnë sot komentatorët kapjen e shtetit nga tipa të tillë. Kundër kandidatit të së majtës në Lezhë kanë votuar grupe të ndryshme të së majtës që janë faktorizuar duke qenë në pushtet, ashtu sikundër PD-ja fsheh në mënyrë të turpshme arsyet përse u dorëhoq kandidati i saj në Laç. Kandidati i PD-së në Laç u tërhoq pas presionit fizik të vëllezërve Fufi, për të kandiduar vëllai i deputetit Fufi, që në letra ka mbiemrin Pjetri. Ndërsa Basha flet për dekriminalizim, bën betejë, nga ana tjetër jo vetëm fsheh biografinë e kandiatit që i është imponuar me forcë, por fsheh dhe arsyet përse ia ka mbathur kandidati i tij në garë nga lufta e brendshme e bandave në parti.
Pra, modeli i këtyre tipave që kanë hyrë në politikë në Lezhë dhe Shkodër dhe janë bërë faktorë të rëndësishëm ekonomik, duke kapur pastaj sistemin dhe duke investuar për të qëndruar në politik, është problemi real që kemi me inkriminimin në politik.
Edi Rama është përgjegjës që i është përgjigjur krimit me krim dhe që ka prodhuar në politikën shqiptare për këtë shkak, modelin e politikanit të fortë që i del zot "katundit" të vet, qoftë dhe me forcë. I ndodhur nën presionin e vjedhjes së votave dhe humbjes në very, ai i ka hapur rrugë një fenomeni, i cili tashmë nuk është më në dorë të tij.
Në vitin 2008, kur ai mori përsipër mbi vete ndryshimet kushtetuese dhe ligjin e ri elektoral, ai kishte si argument kryesor, se përzgjedhja e kandidatëve nga kryetarët mban larg të fortët nga politika dhe shmang presionin e tyre. Sot ai e ka bilancin më të keq të mundshëm në këtë histori, pasi zoti e ka dënuar ta ndëshkojë tek pika e tij më e dobët, duke i dëshmuar përse nuk i duhen ata deputet.
Shqipëria do përballet këtë vjeshtë me Reformën në Drejtësi dhe një nga pikat e forta të saj është mënyra sesi do të implementohet në kushtetutë dhe ligjin elektoral, dekriminalizimi i politikës, për të mos rënë ndesh dhe me të drejtat themelore të njeriut për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur.
Ligji mund të penalizojë në një masë të madhe këtë fenomen të shëmtuar, por nuk duhet të shpresojmë se ai mund të pastrojë politikën. Politika shqiptare pastrohet nga ky fenomen vetëm me vullnet politik të partive të mëdha. Ligji mund të parandalojë përfshirjen e elementëve me rekorde kriminale, pra mund të ndalojë deputetët për shkak të së shkuarës së tyre, por nuk mund të ndalojë personazhe që mund të bëhen të tillë në të ardhmen, për shkak të predispozitave të tyre personale, integritetit të tyre në shoqëri dhe problemeve të formimit intelektual. Këtë mund ta shmangë vetëm një standard i qartë konkurrues për vlerat që do të imponohen në politikë, me qëllim që të mos nxiten gjithë plehrat e Shqipërisë që të bëhen deputet, duke parë të ngjashëm të tyre aty brenda, por të nxiten gjithë vlerat e këtij vendi të futen në politik, duke parë veten e tyre në ato forume.
Kjo përgjegjësi është sa politike dhe personale për karrierën e çdo kujt si Edi Rama në politikën shqiptare.
Deri më tani, socialistët janë detyruar të nxjerrin nga radhët tre deputetë. Nëse dhe Basha do të kishte këtë vullnet, mund ta çonte këtë grup të pavarur deputetësh në pesë apo gjashtë persona. Kështu së paku do kishim një reflektim paraprak të tyre se çfarë nuk do të bëjnë në të ardhmen, para se të na bëjnë sikur na gënjejnë me një ligj për dekriminalizimin. E para gjë që duhet të dekriminalizohet është modeli që ata kanë në kokë për ushtarët e tyre në politikë. Zgjedhjet lokale, treguan se ata nuk janë aq të gatshëm të jenë të lirë prej tyre. Nuk janë të gatshëm as ta demonstrojnë këtë tek pushteti që u japin brenda partive. Edi Rama vazhdon e delegon pushtet tek Koço Kokëdhima, një person problematik, që propagandon përhapjen e kanabisit në Shqipëri, në kundërshtim me Kodin Penal dhe ligjet e vendit dhe ka nxitur një valë të frikshme të përhapjes së tij pas rënies së Lazaratit si kështjellë kriminale politike. Basha nga ana e vet promovon modelin e Palokës, që është në fakt në zemër të problemeve në Qarkun e Lezhës, pasi shumica e deputetëve problematikë të asaj zone nga të dy partitë janë shokë dhe emra të promovuar prej tij. Nga një anë flet për kandidat lokal të inkriminuar të PS-së dhe nga ana tjetër promovon si model suksesi Xhelal Mziun, që ndërkohë është i dënuar nga gjykata si hajdut.
Ne nuk presim që kryeministrat apo kandidatët për kryeministra të bëjnë vendin parajsë ekonomike, as të bëjnë magjira për të shpëtuar vendin nga problemet e mizerjes shumëvjeçare që trashëgon vendi, por llumin në politikë nuk ua kemi borxh.
TEMA