Përmbysjet e mëdha në 9 zgjedhje parlamentare dhe tendenca e 25 prillit

Nga Roland Qafoku

Historia e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri nga 1991-shi deri më tani, është e mbushur me ndryshime dhe përmbysje të mëdha, por ato nuk e hoqën kurrë fjalën tranzicion për tri dekada. Fituesit e zgjedhjeve dhe humbësit “u ricikluan” sërish në rimarrjen e pushtetit. Si janë luhatur shifrat e fitoreve dhe pjesëmarrja në proceset zgjedhore. Çfarë pritet në zgjedhjet e 25 prillit, të vitit të ardhshëm.

Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 janë të 10-tat në Shqipërinë e tranzicionit. Edhe këtë herë nuk po i shpëtojmë asaj që kemi thënë rregullisht në të 9-a përballjet elektorale të kalura e, megjithatë, përsërisim: këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në Shqipëri. Kjo tregon se pavarësisht se në 30 vjet kemi dy rotacione të mëdha pushteti të partive të prodhuara nga 9 zgjedhje, Shqipëria ende nuk ka siguruar stabilitet politik. Në këto 3 dekada është çimentuar rregulli i pashkruar: Nga njëra anë ka një padurim për të ardhur në pushtet dhe, nga ana tjetër, ka një këmbëngulje të fortë për të mos e lënë pushtetin. Por si kanë qenë rezultatet e 9 zgjedhjeve të deritanishme dhe çfarë domethënie kanë këto rezultate? Cili është bilanci i këtyre zgjedhjeve në raport me pjesëmarrjen, përqindjen e votave, ndarjen e tyre dhe nga ka anuar pushteti? Cila parti ka fituar më shumë zgjedhje dhe cila parti më pak? Cilët liderë politikë janë kampionë të fitoreve të zgjedhjeve dhe cilët janë humbësit e mëdhenj? Cilët janë ata liderë që humbja në zgjedhje i ka larguar nga politika dhe cilët janë ata që janë kampionë të jetëgjatësisë politike? Sa kryeministra kanë prodhuar këto zgjedhje dhe sa kanë qëndruar ata në detyrë? Dhe duke parë trendin e deritanishëm të këtyre 9 zgjedhjeve, si pritet të jenë zgjedhjet e 10-ta, në 25 prill 2021?

FITUESIT E ZGJEDHJEVE

Bilanci i 9 zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri është shumë simbolik: 1 herë janë fituar nga Partia e Punës së Shqipërisë, 4 herë janë fituar nga Partia Demokratike dhe 4 herë janë fituar nga Partia Socialiste. Kushdo të fitojë në zgjedhjet e 25 prillit, ajo parti do jetë njëkohësisht edhe kampione e fitoreve të betejave politike në 30 vitet e tranzicionit. Dikush mund të thotë që PPSH-ja ishte parardhëse e Partisë Socialiste dhe kështu bilanci socialist është pozitiv, por të mos harrojmë se ajo jo vetëm ishte partia komuniste e 46 viteve në pushtet; ajo jo vetëm kishte kryetar Ramiz Alinë, por PPSH-ja nuk u distancua ndonjëherë nga komunizmi dhe si e tillë nuk ka vend për ta njësuar PPSH-në me PS-në. Ndërkohë vlen të theksojmë se pjesëmarja më e lartë në 9 zgjedhjet parlamentare i takon 22 marsit të vitit 1992, në shifrën 90,35 për qind dhe kjo ka si arsye se ky ishte edhe fundi total i regjimit komunist. Pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje është regjistruar në 28 qershor 2009, me 50,7 për qind të votuesve. Numri më i madh i deputetëve në parlament është ai i vitit 1991, me 250 vende. Më pas vjen parlamenti i dalë nga zgjedhjet e vitit 1997 me 155 vende. Zgjedhjet e tjera kanë pasur numrin 140 vende me të cilin vijon edhe sot.

31 MARS 1991

Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara më 31 mars 1991 u fituan nga Partia e Punës së Shqipërisë, me kryetar Ramiz Alinë. Në proces morën pjesë 1844285 votues ose 85 për qind e votuesve. Në një parlament me 250 vende, Partia e Punës së Shqipërisë bashkë me partitë dhe organizatat aleate 175 vende ose 720948 vota ose 61,3 për qind. Ndërsa Partia Demokratike së bashku me koalicionin opozitar mori 75 vende ose 38,7 për qind të votave.

22 MARS 1992

Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara më 22 mars 1992 u fituan nga Partia Demokratike me kryetar Sali Berishën. Në këtë proces morën pjesë 1825816 votues, ose 90,35 për qind të votuesve të regjistruar prej 2021169 zgjedhësve. Në një parlament me 140 vende, Partia Demokratike bashkë me partitë e tjera në koalicion morën 1046193 vota, ose 57,3 për qind, ose 92 deputetë. Ndërsa partia Socialiste mori 42,7 për qind të votave ose 48 vende. Këto zgjedhje patën rëndësinë historike, sepse për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri fitonte pushtetin një forcë opozitare. Njëkohësisht me fitimin e zgjedhjeve nga Partia Demokratike merrte fund zyrtarisht rrëzimi i sistemit komunist dhe regjimi diktatorial. Shqipëria hyri në normalitetin e saj në një sistem shumëpartiak, të një ekonomie tregu të lirë dhe u kthye në një vend ku zbatoheshin të drejtat e njeriut.

26 MAJ 1996

Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara më 26 maj 1996 u fituan nga Partia Demokratike me kryetar Tritan Shehun. Në këtë proces morën pjesë 1826142 votues, me një pjesamrrje 89,1 për qind. Në një parlament me 140 vende Partia Demoratike bashkë me aleatët mori 914218 vota ose 55,5 për qind të votave, ose 122 vende. Ndërsa Partia Socialiste me aleatët fitoi 335402 vota ose 44,8 për qind të votave, ose 18 vende. Pjesa e mbetur ishte e disa partive të vogla. Këto janë zgjedhjet më të këqija të zhvilluara në këto 30 vjet në Shqipëri. Asnjë justifikim nuk ka tërheqja e komisionerëve të PS-së nga zgjedhjet, por është e papranueshme vjedhja masive e votave nga përfaqësues të Partisë Demokratike. Kulmi i këtij polarizimi dhe tensioni arriti më 28 maj, kur eksponentë të lartë të Partisë Socialiste dhe opozitës u rrahën në sheshin “Skënderbej” nga policia, pse po protestonin kundër vjedhjes së votave. Pamjet filmike të transmetuara nga të gjitha mediat prestigjioze në botë, bënë që faktori ndërkombëtar të lëshonte një lumë kritikash e akuzash ndaj pushtetit të kohës, ndërkohë që kërkesa për përsëritjen e zgejdhjeve në 40 zona nuk u mor parasyh nga PD-ja. Kjo solli një situatë të tillë që OSBE-ja i cilësoi me legjimitet të cunguar.

29 QERSHOR 1997

Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në 29 qershor 1997 u fituan nga Partia Socialiste, me kryetar Fatos Nanon. Në këtë proces morën pjesë 1412929 votues nga 1947235 të regjistruar ose afërsisht 75 për qind e votuesve. Në një parlament me 155 vende PS-ja bashkë me aleatët fitoi 126 vende ose 75,9 për qind të votave. Partia Demokratike bashkë me aleatët fitoi 315677 vota, ose 24,1 për qind të tyre, ose 29 vende në parlament. Duhet theksuar se këto zgjedhje janë zhvilluar në kushte shumë të vështira pas trazirave të marsit të atij viti, kur shteti u rrëzua dhe u pushtua nga turmat dhe bandat e armatosura. Raporti i OSBE/ODIHR-it i cilësoi këto zgjedhje të pranueshme.

24 QERSHOR 2001

Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara më 24 qershor 2001 u fituan nga Partia Socialiste me kryetar Fatos Nanon. Në këtë proces morën pjesë 1339987 votues, ose 58,5 për qind e votuesve. Në një parlament me 140 vende, Partia Socialiste bashkë me aleatët mori 64,1 për qind të votave ose 94 vende në parlament. PD fitoi 494272 vota ose 36,9 për qind të votave, ose 46 vende në parlament.

3 KORRIK 2005

Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara më 3 korrik 2005 u fituan nga Partia Demokratike, me kryetar Sali Berishën. Në këtë proces morën pjesë 1366777 votues ose 51,8 për qind. Në një parlament me 140 vende, PD-ja bashkë me partitë aleate mori në mazhoritar 602066 vota, ose 44,1 për qind, 56 vende në parlament. PS-ja bashkë me partitë aleate mori në mazhoritar 538906. vota ose 39,4 për qind, ose 42 vende në parlament. LSI-ja mori 112449 vota ose 8,2 për qind ose 1 vend në parlament. Pjesa e mbetur u takoi partive të tjera të vogla.

28 QERSHOR 2009

Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara më 28 qershor 2009 u fituan nga Partia Demokratike, me kryetar Sali Berishën. Në këtë proces morën pjesë 1566079 zgjedhës ose 50,7 për qind e votuesve. Numri i pjesëmarrësve në listën zgjedhore ishte 3084946. Në një parlament me 140 vende, Partia Demokratike, bashkë me partitë aleate mori 610463 vota, ose 70 vende. Partia Socialiste, bashkë me partitë aleate mori 688748vota ose 66 vende. LSI-ja bashkë me partitë aleate mori 84407, vota ose 4 vende.

23 QERSHOR 2013

Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në 23 qershor 2013 u fituan nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën. Në një parlament me 140 vende, Partia Socialiste, bashkë me partitë aleate, duke përfshirë edhe LSI-në, mori 57,58 për qind të votave ose 82 vende. Nga këto; PS-ja mori 66 vende, LSI-ja 16 vende. Partia Demokratike bashkë me partitë aleate mori 528373 vota, ose 39,79 për qind, 49 deputetë. 4 PDIU, 3 PR, 1 PBDNJ, 1 PKDSH.

25 QERSHOR 2017

Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara më 25 qershor 2017 u fituan nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën. Në këtë proces morën pjesë 1614479 votues nga 3452324 të regjistruar. Në një parlament me 140 vende PS-ja mori 764791 vota, ose 48,34 qind të votave, ose 74 deputetë. PD-ja mori 456481 vota ose 28,85 për qind të votave ose 43 vende në parlament. LSI-ja mori 225975 vota, ose 14,28 për qind, ose 19 deputetë në parlament. PDIU 4,8 për qind, ose 3 deputetë, PSD 0,95 për qind ose 1 deputet. Pjesa e mbetur u takon partive të tjera të vogla.

FITUESIT DHE HUMBËSIT E MËDHENJ TË ZGJEDHJEVE

Liderët që kanë drejtuar partitë fituese janë: Ramiz Alia 1 herë si kryetar i PPSH (31 mars 1991), Sali Berisha 3 herë si kryetar i PD-së (22 mars 1992, 2005, 2009), Fatos Nano 2 herë si kryetar i PS-së (29 qershor 1997, 2005), Edi Rama 2 herë si kryetar i PS-së (2013, 2017), Tritan Shehu 1 herë, si kryetar i PD-së (26 maj 1996). Këto 9 zgjedhje kanë sjellë 9 kryeministra. Prej tyre rekordmenë janë: Edi Rama me dy mandate të fituara dhe me qëndrim në detyrë afër 8 vjet, Sali Berisha dy mandate në 8 vjet, Aleksandër Meksi dy mandate në 5 vjet, Fatos Nano 3 vjet, 3 herë kryeministër, Ilir Meta 2 vjet, Pandeli Majko dy herë, Ylli Bufi 6 muaj dhe Vilson Ahmeti 4 muaj. Ndërkohë ajo që duhet thënë është se fitorja në zgjedhje ka bërë që politikanët që janë bërë liderë falë fitores në zgjedhje janë Fatos Nano, Sali Berisha dhe Edi Rama. Por humbja në zgjedhje ka sjellë edhe ndërprerjen e karrierës dhe të largimit nga partia, por edhe nga politika. Kështu, i pari që u largua nga politika ishte Fatos Nano. Lideri i padiskutueshëm poltik i Partisë Socialiste dhe i së majtës që pas humbjes së zgjedhjve të vitit 2005 nuk është më pjesë e politikës. Një tjetër politikan i larguar nga drejtimi i partisë është Sali Berisha, i cili dha dorëheqjen nga drejtimi i PD-së, megjithatë ai vijon të jetë aktiv me aksiomën se nuk mund të japë dorëheqjen nga Sali Berisha. Deri më sot ka një rast që, edhe pse ka fituar zgjedhjet, drejtimi i partisë nga ana e tij u ndërpre vetëm pas 1 viti. Ky është Tritan Shehu, nën drejtimin e të cilit PD-ja fitoi zgjedhjet e 26 majit 1996, por në mars 1997 qeveria e dalë nga ato zgjedhje dha dorëheqjen, kurse pak më vonë dhe Shehu u largua nga drejtimi i PD-së dhe në vend të tij u zgjodh Sali Berisha. Ylli i ri që pritet të ngjitet në nivelin më të lartë të politikës shqiptare është Lulzim Basha. Nëse PD-ja do t’i fitojë zgjedhjet e 25 prillit 2021, ai do jetë kryeministri i 34-t i Shqipërisë dhe i 10-i i tranzicionit. Por më shumë se kaq do të jetë lideri i ri politik që do të renditet pas Sali Berishës, Fatos Nanos dhe Edi Ramës gjatë tranzicionit.

KRYEMNISTRAT QË KANË ZGJEDHUR FITEUSIT E ZGJEDHJEVE

Nëntë zgjedhjet parlamentare të zhvilluara deri më sot kanë sjellë 9 kryeministra. Por, në fakt, disa prej tyre me dy mandate dhe disa prej tyre edhe disa herë. Rekordmenë të marrjes së postit si kryeministër, më shumë është Fatos Nano. Ai ka qenë tri herë kryeministër i dalë nga zgjedhjet e vitit 1991, 1997 dhe 2001. Megjithatë, Fatos Nano nuk është kampion i jetëgjatësisë në detyrë. Pas Nanos janë Aleksandër Meksi, Sali Berisha dhe Edi Rama që janë zgjedhur dy herë kryeministra pas ditës së zgjedhjeve. Sali Beriaha dhe Edi Rama janë kryeministrat më jetëgjatë të tranzicionit, me 8 vjet në detyrë. Të dy janë përkatësisht në vend të katërt dhe të pestë për kohëzgjatje në të gjithë historinë 108-vjeçare të shtetit shqiptar. Kujtojmë se rekordmenët janë: Në vend të parë Mehmet Shehu është rekordmen i kohëzgjatjes në detyrë me 27 vjet, 4 muaj e 29 ditë pa asnjë ndërprerje. Në vend të dytë është Enver Hoxha, 9 vjet, 9 muaj e 26 ditë dhe në vend të tretë Adil Çarçani 9 vjet, 6 muaj e 1 ditë. Nëse PS-ja fiton një mandat të tretë, do të kemi një përmbysje të tillë që Edi Rama të kalojë në vend të dytë pas Mehmet Shehut për kohëzgjatje si kryeministër në të gjithë historinë e shtetit shqiptar.

Po cilët janë kryeministrat që u prodhuan nga zgjedhjet parlamentare të tranzicionit? Zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991 prodhuan 3 kryeministra: Fatos Nanon, Ylli Bufin dhe Vilson Ahmetin. Zgjedhjet e 22 marsit 1992 sollën si kryeministër Aleksandër Meksin. Zgjedhjet e 26 majit 1996 prodhuan dy kryeministra: Aleksandër Meksin dhe Bashkim Finon. Zgjedhjet e qershorit 1997 prodhuan tre kryeministra: Fatos Nanon, Pandeli Majkon dhe Ilir Metën. Zgjedhjet e 24 qershorit 2001 prodhuan 3 kryeministra: Ilir Metën, Pandeli Majkon, Fatos Nanon. Zgjedhjet e 3 korrikut 2005 prodhuan si kryeministër Sali Berishën. Zgjedhjet e 2009 prodhuan si kryeministër Sali Berishën. Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 prodhuan si kryeministër Edi Ramën. Zgjedhjet e 25 qershorit 2017 prodhuan si kryeminsitër Edi Ramën.

KRYEMINISRAT E ZGJEDHJEVE FITUESE

Zgjedhjet 31 mars 1991 kanë sjellë 3 kryeministra: Fatos Nano, Ylli Bufi, Vilson Ahmeti

Zgjedhjet e 22 marsit 1992 Aleksandër Meksi

Zgjedhjet e 26 majit 1996 Aleksandër Meksi, Bashkim Fino

Zgjedhjet e 29 qershorit 1997 Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Metën

Zgjedhjet e 24 qershorit 2001 Ilir Meta, Pandeli Majko, Fatos Nano

Zgjedhjet e 3 korrikut 2005 Sali Berisha

Zgjedhjet e 29 qershorit 2009 Sali Berisha

Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 Edi Rama

Zgjedhjet e 25 qershorit 2017 Edi Rama

Marrë nga /Fjala.al/

SHKARKO APP