Përmbytjet dhe një problem që bashkon Jugun me Veriun
Nga Mero Baze
Përmbytjet prej lumenjve të Jugut, të cilat janë një ngjarje e rrallë së paku 50 vitet e fundit, po ngrejnë pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e këtij fenomeni dhe investimet që duhen bërë për ta përballuar atë. Moti i keq pritet të vazhdojë dhe së paku një javë dhe Vjosa, Shkumbini dhe Semani pritet të fryhen sërish duke kaluar kuotat historike të tyre. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe solidariteti janë të nevojshme për të mos i lënë njerëzit në mëshirë të fatit, por përtej kësaj, ky vend duhet të fillojë të mendojë për një kurs të ri të kontrollit mbi territorin, që të mos i lërë njerëzit dhe pasuritë në mëshirë të natyrës.
Nëse i shikon problemet që ka në Jug të Shqipërisë, nuk janë aq dramatike. Qysh kur hyn në Shqipëri e deri në Ultësirën e Myzeqesë, Vjosa ka shkaktuar dëme të ndjeshme, vetëm në Myzeqe. Në rrugëtimin e saj nga kufiri greko-shqiptar deri në fushën e Cakranit, nuk ka dëme që mund të jenë shkaktuar nga faji i njeriut. Ura e Grykës së Këlcyrës që është bërë e pakalueshme për automjetet dhe që ka bllokuar gjithë fshatrat e Krahinës së Malshovës, është e riparueshme lehtë dhe nuk është për faj të askujt. Ajo është ndërtuar nga xhaxhai i Ali Pashë Tepelenës në shekullin e XVII dhe nuk e ka prekur kurrë Vjosa. Po ashtu Drino, ka bërë ritin e tij të përvitshëm të bllokimit të rrugës në Virua dhe pushtimit të nënstacionit të vjetër elektrik, gjë që po ashtu mund të rregullohet. Shkumbini dhe Semani deri në Berat dhe Librazhd, nuk kanë bërë dëme dhe vetëm aty ku janë përballur me ndryshime të forta të territorit kanë dalë nga shtrati.
Situata është kritike në Fushën e Myzeqesë së Vogël për shkak të daljes së Vjosës nga shtrati. E rëndësishme është që të shpëtohen jetë njerëzish, por dëmet do të jenë të pashmangshme.
Problemi i Jugut, që është i njëjtë me atë të Veriut, janë pikërisht ndërtimet e reja dhe jeta e re jashtë kontrollit në deltat e lumenjve dhe prishjet e infrastrukturës së kanaleve dhe sistemit të tokës.
Edhe pse duket mision i pamundur, ajo që duhet të bëhet në të ardhmen, është zhvendosja e banorëve që jetojnë buzë Vjosës në pjesë më të sigurta dhe një strategji për ndërtimin e argjinaturave mbrojtëse ndaj Vjosës, që të mos depërtojë më në fushat përreth. Kjo natyrisht kërkon investime shumë të mëdha, por duhet të fillojë si një strategji që njerëzit të mos përballen me tekat e natyrës.
Situata reale dramatike nuk është në Jug, por në Veri. Edhe pse dikush ka qejf të bëjë humor me spostimin e përmbytjeve në Jug pas ardhjes së Ramës në pushtet, në të vërtetë Veriu është targeti më i rrezikuar nga përmbytjet përsëri. Nëse rreshjet vazhdojnë edhe disa ditë, portat e shkarkimit ndoshta do të duhet të hapen dhe ne do të rishikojmë sërish të njëjtat pamje që na kanë shoqëruar për vite të tëra dhe atje.
Në Veri, problemi i humbjes së kontrollit mbi territorin është shumë më i fortë se në Jug. Aty ka humbur tërësisht kontrolli mbi territorin pas viteve 90 dhe ndërtimet e shtëpive në rreze të shkarkimit të digave dhe në fushën Lezhë-Laç-Milot janë katastrofike. Nëse në Jug ky fenomen ndihet pak në zonën Fier-Vlorë, buzë Vjosës dhe Semanit, në Veri sa herë fryhen lumenjtë gjenden nën pushtetin e ujit zona të tëra si Shkodra, Lezha, Laçi deri në Thumanë. Janë të gjitha ndërtime pas viteve 90, jashtë çdo kriteri, duke zaptuar tokat bujqësore dhe duke shkatërruar infrastrukturën e kanalizimeve dhe hidrovoreve në zonë. Edhe pse kanë filluar të bëhen punë që tentojnë të stabilizojnë situatën, asgjë nuk mund të ndryshohet nëse qeveria nuk ndërmerr një aksion serioz për zhvendosjen pak nga pak të gjithë atyre banorëve drejt vendbanimeve të sigurta, për të rikthyer tokën bujqësore dhe për të shmangur tragjeditë që do të përsëriten çdo vit.
Përmbytjet tona janë dramatike, sepse ato nuk formojnë si dikur këneta apo moçale, por varre masive bagëtish dhe njerëzish që mbeten të rrethuar nga uji, nga papërgjegjshëmria e të ndërtuarit të shtëpive atje ku nuk duhej. Ata janë viktima të politikës sonë që i lejoi të zaptonin toka dhe të ndërtonin aty. Tani edhe pse duket çmenduri, kostoja më e ulët është të mendosh për spostimin e së paku pjesës më të rrezikuar drejt vendeve të sigurta dhe për investime serioze në infrastrukturën dhe sistemimin e kanalizmeve të kësaj zone.
Ajo që po ndodh në Jug nuk është asgjë me atë që mund të ndodh në Veri, disa ditë më vonë nëse rreshjet vazhdojnë. Ka ardhur koha që qeveria ta kthejë në prioritet kombëtar afatgjatë mbrojtjen e territorit nga përmbytjet dhe t’i japë fund me këtë rast kaosit urban që shoqëron zonat e rrezikuara, të cilat janë bërë të rëndësishme pikërisht pse përmbyten.
Sado e vështirë të duket, është një vendim që duhet marrë për të mos u dukur si një vend afrikan, që del jashtë kontrollit me shiun e radhës. Investimet më të mëdha publike duhen orientuar në këtë fushë, e cila duhet shoqëruar doemos dhe me investime të vogla në çdo fshat, në çdo përrua, në çdo lumë malor dhe në çdo breg lumi, përmes ndërtimit të pritave, argjinaturave, pemëve kundër gërryerjes së tokës dhe gjithçka tjetër që shmang daljen jashtë kontrollit të lumenjve.
Përmbytjet në Shqipëri janë të tilla, që nuk mund t’i përballojmë me një kryeministër duke veshur çizmet apo me një opozitë që ruan se çfarë peshku ha kryeministri. Në terren le të dalin ata që dinë të shpëtojnë njerëzit. Politikanët nuk shpëtojnë dot njerëz me varka, por me ligje dhe fonde. Ata duhet ta përballojnë këtë situatë nga zyra e kryeministrit dhe nga parlamenti, ku duhet të merren vendime të mëdha dhe të guximshme për ta transformuar përfundimisht këtë vend të pashpresë që mbytet nga shiu i parë.
Marrë nga gazeta "Tema"