Përpjekje për t’i treguar Merkelit, çfarë ka humbur!
Nga Mero Baze
Çdo histori e përjetuar si e lavdishme, kur tenton të përsëritet bëhet qesharake. Kjo i ka ndodhur sot Sali Berishës. Vizita e kancelares Merkel dhe turi i saj politik në Ballkan, duke u përpjekur të merret vesh “me çunat e saj”, ka rikthyer tek Sali Berisha delirin e një lideri të rëndësishëm të botës, të cilin e derdhi pa kursyer asgjë në seancën parlamentare. Nga një zë që i vinte nga subkoshienca e tij si lider “rajonal”, ai filloi të fliste në parlament, për tu treguar të tjerëve se çfarë ka humbur Merkeli që nuk ka dëgjuar në Tiranë. Fillimisht dënoi rëndë Vladimir Putinin, duke e quajtur Hitler të Europës. Po të ishte Merkeli në sallë me të, me siguri do hiqte kufjet, do shikonte e çuditur nga ai dhe do bënte atë “Nein” e saj të famshëm, edhe pse nuk ka pikë respekti për Putinin.
Pastaj foli për Srebrenicën dhe maskarën që ngjau atje, 20 vjet më parë. Kërkoi një ditë ngushëllimesh për popullin boshnjak të masakaruar nga serbët. Nëse rikthehemi 20 vjet më pas, në Korrik të vitit 1995, problemi kryesor që kishte Shqipëria e Sali Berishës me koalicionin ndërkombëtar kundër serbëve, ishte thjesht se Berisha thyente embragon dhe i jepte naftë ushtrisë së Milloshevicit që bëri masakrën në Srebrenicë. Por 20 vjet më pas, ai nuk e ka mendjen fare tek masakra, siç nuk e ka pasur as kur ndodhi, por tek ideja sesi duhet të flasë një lider rajonal dhe çfarë ka humbur sërish Merkeli në këtë pikë të vizitës së saj. Përfytyro, ajo ka takuar Edi Ramën që i ka treguar piktura dhe sallën e hartave.
Po ashtu foli dhe për problemet e brendshme politike, që vizioi i tij kap si lider për të qenë në lartësinë e Merkelit. Gati-gati sa nuk tha që Merkeli, ishte e shqetësuar nga humbja e Grida Dumës në Durrës.
Interesante është se për të vetmen gjë që Merkeli foli më shumë sesa duhej, reformën në drejtësi, Berisha jo vetëm që nuk u shpreh, por e injoroi dhe si pjesë e axhendës së Merkelit.
Prototipi i politikanit të Sali Berishës, është një problem derisa të jetë gjallë, pasi për të, koha për tu kthyer dhe rikthyer është gjithmonë në dispozicion. Ata nuk kanë asnjë raport real me mjedisin që i rrethon dhe jetojnë në delirin e tyre të rikthimit plot lavdi e madhështi. Është kjo arsyeja që e bën Sali Berishën një delirant qesharak, i cili në përpjekje për t’i kujtuar Merkelit çfarë ka humbur pa takuar në Tiranë, i jep asaj leksione për Putinin dhe Srebrenicën, çështje për të cilat vendi i saj, është një referencë botërore.
Ideja e Berishës, se duke u bërë sa më global, bëhet shumë më i rëndësishëm si lider rajonal, është tashmë e vetmja ide argëtuese që ai ka për veten dhe të tjerët. Dhe është një ide që e kaplon kur është tërësisht i vetmuar dhe i injoruar. Në këtë gjendje e mbaj mend në vitin 1999, kur NATO nisi betejën për çlirimin e Kosovës dhe liderët perëndimor vinin çdo ditë në Tiranë për të takuar Pandeli Majkon. Berisha ishte i vetmuar, i izoluar dhe pa shpresa për ringjallje dhe pikërisht në këtë gjendje depresive, këdo që takonte i jepte ide sesi mund të çlirohej Kosova me sulme nga toka, me raketa supi apo mina surprizë. Deliri se ai duhet të pyetej për diçka, e bënte atë qesharak deri në çmenduri.
Është e njëjta situatë.
Ideja se Merkeli erdhi këtu për të marrë mendje nga shqiptarët sesi t’ia bëj Putinit, si t’ia bëj Srebrenicës, si t’ia bëj Gazpromit, si t’ia bëj mbërritjes antiraketore të Varshavës etj broçkulla si këto, tregojnë sesi e ka përjetuar Berisha pushtetin dhe pse nuk ka funksionuar kurrë me zonjën Merkel kur ai ishte Kryeminisitër.
Merkel vjen në Shqipëri, Serbi dhe Bosnjë për gjëra konkrete, përmirësimi i të cilave forcon paqen në rajon dhe rrit rëndësinë e rajonit për Europën. Ajo i kërkoi Tiranës të bëjë reformën në drejtësi për t’ia lehtësuar qëndrimin ndaj negociatave nga ana gjermane, i kërkoi Vuçiçii të bëjë një marrëveshje pajtuese me Prishtinën dhe do të japë të njëjtat mesazhe në Bosnjë për raportet serbo-boshnjake. “Çunat” e saj në Ballkan, i dinë mirë detyrat dhe për fat nuk kanë delirin t’i japin ide asaj sesi të sillet me historinë, apo Rusinë.
Përpjekja e Berishës, për ta bërë këtë nga salla e Kuvendit, një ditë pas ikjes së saj dhe me një mimikë ku nuk e ndan dot vrerosjen nga injorimi i Merkel, tregon çfarë është deliri i tij dhe çfarë ka nevojë vërtetë Shqipëria. Sipas Merkelit ka nevojë thjeshtë për një reformë në drejtësi, për t’i dhënë fund pandëshkeushmërisë. Dhe kjo gjë kaq e thjeshtë e nxjerr Berishën nga faza dhe fillon e flet si të dënojmë Putinin, serbët e masakrave dhe çfarë duhet t’i thoshim kancelares Merkel. Është shumë e thjeshtë zoti Berisha! Problemi i këtij vendi, i shumicës dhe opozitës vazhdon të vërtitet rreth teje. Dhe jemi të dënuar ta zgjidhim këtë problem. Me Putinin, Srebrenicën, ngrohjen globale, Gazpromin etj, mund të merret Merkel.
TEMA