Përralla turke që vuri në gjumë Perëndimin

 

Lëvizja Gulen dhe Erdogani manipuluan zërin e intelektualëve liberalë të Turqisë për të vënë në gjumë Perëndimin dhe Bashkimin Europian për të krijuar terrenin e përshtatshëm për qëllimet e tyre aspak demokratike, shkruan Dani Rodrik, profesor në Princeton.

Në fund të marsit, një rigjykim përfundoi në lirimin e më shumë se 200 oficerëve ushtarakë turq që ishin dënuar për thurjen e një grushti shteti në 2003 kundër qeverisë islamike të sapozgjedhur atëherë. Të pandehurve iu dhanë dënime të gjata pasi përfundoi gjyqi i parë në shtator 2012, edhe pse prova kundër tyre ishte dukshëm e falsifikuar. Në kohën kur rigjykimi përfundoi, shumica e vëzhguesve e kuptoi se procedimet origjinale kishin qenë një mashtrim.

Por, deri vonë, çështja ‘Vareja’ – emërtuar sipas komplotit imagjinar – ishte parë gjerësisht si paralajmëruese e nënshtrimit të vonuar të ushtrisë ngatërrestare të Turqisë ndaj qeverisë së zgjedhur. Intelektualët liberalë dhe vëzhguesit perëndimorë duartrokitën hetimin penal dhe e vlerësuan atë si një nga arritjet më të mëdha të qeverisë së kryeministrit Recep Tayyip Erdogan, që ka qëndruan në pushtet që atëherë. Tani që çështja shfaqet ashtu siç ishte – një përpjekje rrugaçe e qeverisë për të dobësuar rivalët e vet dhe për të konsoliduar mbajtjen e pushtetit – pyetja është përse kaq shumë vëzhgues me qëllim të mirë i bënë analizat kaq gabim.

Vjehrri im u akuzua si organizatori i komplotit Vareja, ndaj gruaja ime dhe unë e gjetëm veten me një punë të dytë si detektivë mjeko-ligjor dhe aktivistë politik. Në pesë vitet e mia të investigimit të kësaj sage të çuditshme, mësova të vlerësoj fuqinë e rrëfimeve. Çfarë u shfaq më efektive për qeverinë nuk ishte forca brutale, por rrëfimet e aktiviteteve të poshtra nga elitat ushtarake dhe laike të Turqisë, që ishin në kontrast me zotimin e supozuar të Erdogan për të themeluar një shtet demokratik (gjoja të nxitur nga islamizmi) përmes një gjyqësori të rikonstruktuar. Ekzagjerime groteske të bazuara në gjysmë të vërteta, këto përralla i dhanë Ergodanit dhe aleatëve të tij vend për të manovrua për ta bërë regjimin politik më shumë,  jo më pak, autoritar.

Një aleat në veçanti ishte vendimtar. Lëvizja Gulen – e përbërë nga ndjekës të imamit turk Fethullah Gulen me bazë në Pensilvani – bëri ngritjen e rëndë politike. Lëvizja Gulen mbikëqyri Varenë dhe gjyqe të ngjashme përmes mbështetësve të saj në polici dhe gjyqësor dhe përdori mediat e saj të gjera për të gdhendur dhe përhapur rrëfimin – të ndërtuar nga histori të panumërta të komploteve ushtarake dhe të tjera krime – mbi të cilat qëndronin këto çështje. Përfaqësuesit e saj në Shtetet e Bashkuara dhe Europë lobuan politikanë perëndimorë dhe liderë opinioni vazhdimisht për të garantuar kredencialet demokratike të Ergodanit.

Njëkohësisht, lëvizja Gulen investoi shumë dhe me dinakëri në kultivimin e intelektualëve turq të orientuar nga perëndimi. Kështu, pavarësisht të shkuarës turpëruese të Gulen për predikime anti-semitike dhe anti-perëndimore, ndjekësit e saj ia dolën ta ngrenë veten në vitet 2000 si një lëvizje e shoqërisë civile që ndante vlerat dhe aspiratat e turqve liberalë.

Gulenistët i dhanë burime dhe rrjete liberalëve të Turqisë, që më pas i dhanë lëvizjes legjitimitet dhe kredibilitet në Perëndim. Kur politikanët, reporterët, specialistët e të drejtave të njeriut amerikanë dhe europianë kërkuan për të dhëna të brendshme mbi Turqinë, ata iu kthyen Gulenistëve liberalë, që i ushqyen ata me rrëfime të sajuara.

Çfarë i bëri këta intelektualë aleatë të gatshëm të Erdogan dhe Gulenistëve ishte pikëpamja e tyre se kontrolli i institucioneve shtetërore nga ushtria – ‘tutela ushtarake’ – ishte kërcënimi më i madh për demokracinë në Turqi. Për liberalët e Turqisë, dobësimi i influencës politike të ushtrisë u bë një qëllim më vete. Kjo i lejoi ata të mbikëqyrnin (ose minimizojnë) listën në rritje të shkeljeve të të drejtave dhe manipulimeve gjyqësore. Dhe lejoi Gulenistët t’ia hedhin atyre – për shembull, duke u siguruar që rrjedhjet dëmtuese nga ushtria (shumica dërrmuese e të cilave ishin të sajuara) të publikoheshin së pari në botimet liberale.

Qeveria e Erdogan miratoi legjislacionin që i jepte besim narratives false. Komisioni Europian pa me miratim në një varg iniciativash – një kod i ri penal që përshtaste ‘standardet moderne europiane’, programe trajnimi mbi Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, misione ekspertimi nga Bashkimi Europian, dhe ndryshime kushtetuese në dukje garantuese të pavarësisë më të madhe gjyqësore.

Fatkeqësisht, si në ekonomitë në zhvillim, imitimi i rregullimeve dhe institucioneve të shtetit të përparuar rrallë prodhon rezultatet e dëshiruara. Forma nuk garanton funksionin. Por mund të ndihmojë në errësimin e realitetit.

Kështu ishte me reformat ‘proeuropiane’ të qeverisë së Erdoganit, që kryesisht shërbyen për të provuar mbulim politik për forcimin e kapjes së Gulenistëve ndaj gjyqësorit. Të mashtruar nga pamja, Komisioni Europian vazhdoi të besojë, vit pas viti, se gjyqet ushtarake sa për shou ishin një mundësi për të forcuar sundimin e ligjit.

Deri së fundmi, ushtria konsiderohej gjerësisht si institucioni më i fuqishëm dhe më i bashkuar i shoqërisë turke. Gjeneralët nuk kishin qenë kurrë të turpshëm rreth ndërhyrjes në politikë kur ata e ndjenin të nevojshme.

Por një përrallë e stisur mirë mund të jetë më e keqe se shpata. Çështja Vareja dhe akuza të tjera, false siç ishin, ngujuan ushtrinë. Nën sulmin intensiv të medias pro-qeveritare, Shtabi i Përgjithshëm nuk ia doli të bëjë as përpjekjen më të vogël publike në favor të oficerëve të akuzuar, madje duke refuzuar publikimin e një raporti të brendshëm që nuk linte dyshim se të pandehurit ishin futur në kurth. Kryesia nuk donte të dukej sikur po ndihmonte puçistët. Sapo përralla ishte sajuar, edhe shënjestrat e saj e hëngrën.

Vëzhguesit perëndimorë dhe pjesa më e madhe e librealëve vendas nuk hoqën dorë nga Erdogani derisa ndodhën taktikat me dorë të rëndë të qeverisë së tij gjatë protestave për parkun Gezi në Stamboll në verën e 2013. Më pas ai u nda keq me lëvizjen Gulen pasi ndihmësit e saj në gjyqësor nisën një hetim për korrupsion kundër tij dhe rrethit të tij të brendshëm.

Pa aleatët e tij Gulenistë, mesazhi i Erdoganit është bërë ekskluzivisht i orientuar te një audiencë e brendshme dhe karakterizon kryesisht doza të rënda të simbolizmit populist-fetar-nacionalist. Ndërkohë, Gulenistët, gjithnjë në kërkim të mbizotërimit, e kanë paraqitur veten te audienca perëndimore si viktimat e Erdoganit në vend të bashkëpunëtorëve të tij.

Rrëfimet false me kalimin e kohës u bënë të paqëndrueshme (me internetin dhe median sociale që nguti demaskimin e tyre). Por, si në Turqi, një përrallë e rrëzuar mund të lërë shumë mbetje. Dhe, në vend që të ndihmojnë në qartësimin e rrënojave, Erdogan dhe Gulenistët shfaqen të vendosur për ta përdorur atë për të ndërtuar ngrehinat e tyre të reja të gënjeshtrave, duke e shtuar sfidën e bashkërendimit politik të së ardhmes.

*Project Syndicate-BIRN

SHKARKO APP