Përse Bardhyl Kollçaku u emërua shef i shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë?

Nga Roland Qafoku

Unë nuk e di se çfarë ka patur në mendje ministrja Mimi Kodheli që e propozoi. Nuk e di përse kryeministri Edi Rama e pranoi këtë propozim dhe përse presidenti Ilir Meta në cilësinë e komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë dha ok-in dhe e dekretoi.

Unë di të them se personalish mendoj se është një nga emërimet më të goditura që janë bërë vitet e fundit në strukturat e shtetit shqiptar. E njoh Bardhyl Kollçakun që në vitin e parë të shkollës së mesme “Skënderbej” në Tiranë.

Ishte një nxënës ekselent, më I mirë se të gjithë të tjerët dhe që një fitues i rregullt olimpiadash matematike mes shkollave të kryeqytetit. Edhe pse në fund të matures, falë rezultateve të larta kishte mundësi të zgjidhte çdo degë të mundshme civile, ai kishte një pasion për ushtrinë që askush nuk e ka patur. Vijoi karrierën në degën Zbulim në shkollën e bashkuar dhe nuk shkëlqeu vetëm aty. Ishte ekselent edhe në të gjitha shkollat dhe akademitë që bëri në SHBA dhe Evropë.

Një njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të huaja, pro edhe një atlet, gjimnast, mundës dhe i veshur me një displinë spartane, Kollçaku është modeli i një ushtaraku që jo vetëm bëri dhe bën karrierë brilanet, por që e do shumë Shqipërinë. Kur shumica e shqiptarëve vetëm i kërkojnë kësaj Shqipërie duke iu ankuar e deri duke e sharë përse nuk i ka dhënë gjë, duke u bërë viktimë se fajtore është vetëm ajo, Bardhyl Kollçaku ka bërë krejt të kundërtën.

Më shumë se një herë në këtë karrierë ai i ka thënë vetes: Po e jap jetën për Shqipërinë! E pra, rrallë ka shqiptarë të tillë që kur marrin një detyrë shtetërore mendojnë të japin jetën në emër të Shqipërisë. Bardhyl Kollçaku është një model kaq kuptimplotë. Bravo atyre që e zgjodhën në krye të ushtrisë sepse me këtë përzgjedhje kanë nderuar veten dhe jo gjeneral Kollçakun! Por bravo edhe gjeneral Kollçakut që zotëron virtute kaq të larta por njëkohësisht që përfaqëson vendin tonë kaq denjësisht në NATO. Faleminderit që të kisha dje ne studio!

SHKARKO APP