Përse Cipras nuk është një anti-shqiptar?
Nga Mero Baze
Ka një zhgënjim të shpejt nga deklaratat e para të kreut të SYRIZA-s në Greqi, lidhur me raportet shqiptaro-greke. Shumë shqiptarë janë turbulluar nga deklaratat e tij të ashpra, për një veto të nevojshme greke për futjen e Shqipërisë në NATO dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarë të Bashkimit Europian. Edhe entuziastët e tij më të mëdhenj, që e adhurojnë në Tiranë apo jashtë saj duken të tronditur, pasi po u duket se idhulli i tyre po u del anti-shqiptar.
Nuk është tamam kështu.
Aleksis Cipras nuk është një anti-shqiptar. Ai nuk i përket rracës së nacionalistëve etnik apo sektarëve fetarë të manastireve që kërkojnë në sillogjet e tyre Vorio-Epirin apo Skënderbeun të jetë grekë. Ai është më keq se kaq. Ai është një izolacionist grek, që vjen nga mentaliteti i Luftës së Ftohtë dhe armiqve të jashtëm. Një ideologji, që është doktrinë e fraksioneve komuniste që ai ka bashkuar. Për ta kuptuar dhe për të mos e keqkuptuar Cipras, duhet të ktheheni pas në kohë dhe të shikoni ç’kanë bërë komunistët shqiptarë në raport me Greqinë. Për të Greqia nuk ka një shtet armik nga pikëpamja etnike, por një shtet armik nga pikëpamja ideologjike. Enver Hoxha ka mbajtur ato fjalimet vulgare ekstreme kundër grekëve, kur në pushtet aty, ishin gjeneralët e Papadhopullit, që ai u quante monarko-fashist.
Por ai nuk mendonte kështu për ish-idhtarët e Partisë Komuniste Greke pas Luftës së Dytë Botërore. Ai u përzie në punët e brendshme të Greqisë, duke u kthyer në një satelit rusë që furnizonte me armë komunistët grekë të Niko Bellojanit, duke transportuar armët nga Porti i Durrësit ku ishte strehuar Bellojani deri në malet e Gramozit. Kjo na kushtoi dhe përplasjen me grekët, në ato që quhen “provokacionet greke“ të vitit 1949, që në të vërtetë ishin solidaritet i komunistëve shqiptarë me ata grekë, përmes ndihmës sovjetike.
Është kjo arsyeja, që edhe Cipras nuk duhet trajtuar si anti-shqiptar, por si një lider politik që urren vendet që hyjnë në NATO, në BE dhe që nuk kanë ideologji zyrtare atë të partisë së tij. Ai tashmë e ka mendjen tek simotra e tij në Spanjë, tek ata që do ta mbështesin në Itali dhe tek vendosja e “rendit të ri botëror”, e tipit Internacionale, që do shpëtojë “popullin nga barra e borxheve dhe taksave”.
Ndj Cipras nuk mund të gjykohet si anti-shqiptar, por si një fqinj i rrezikshëm që nuk duhet ngatërruar me Greqinë. Idetë e tij utopike dhe 40 hapat e parë të premtuar, përfshijnë edhe nxjerrjen e Greqisë nga NATO, ndaj nuk kemi arsye ta marrim inat si shqiptarë, që ka kërkuar të vendos veton për të hyrë në NATO Shqipëria. Tani e tutje çdo votë që do të duhet nga Greqia në rrugën tonë drejt Perëndimit do të jetë negative, jo se na urren si shqiptarë, por nuk na do që të jemi pjesë e Perëndimit, të cilin ai vet e urren.
Problemi më i madh që Cipras do të sjellë për ne, nuk është fjalori i tij izolacionist, por katrahura ku mund të zhysë Greqinë, pasojat e së cilës do të bien drejtpërdrejt mbi ekonominë tone, edhe kështu të mbaruar. Qëndrimet e tij të para, janë si një njeri që nuk i ka dalë ende rakia e fushatës dhe ai vazhdon të flasë për shtetëzime bankash, për kisha që do strehojnë të pastrehët, për dalje nga NATO, për anullim privatizimesh, për mbështetje ndaj Rusisë, për mos shlyerje borxhi dhe paturpësisht edhe për financime të reja nga Banka Qendrore Europiane për investimet publike në Greqi. Madje, cinizmi i tij shkoi deri aty sa ta niste punën si Kryeministër duke shkuar tek varret e disa grekëve të vrarë nga ushtria gjermane, që e pushtoi pa luftë Greqinë dhe tu kërkojë gjermanëve dëmshpërblimet e 75 viteve më parë, ndërkohë që nuk do tu kthejë gjermanëve borxhet e disa viteve më parë. Nëse ktheni kokën pas mund tu kujtohet lideri ynë historik Enver Hoxha, i cili pasi i mori Kinës 2 miliardë dollarë, kur u prish me ta për arsye ideologjike, nuk ua njohu borxhin dhe u tha s’kam për t’ua dhënë kurrë. Por në fakt shteti shqiptar tashmë ua ka njohur jo vetëm atyre, por gjithkujt që komunizimi i kishte marrë borxh në emër të ideologjisë.
Për këto arsye, Cipras nuk duhet gjykuar si grek që urren shqiptarët, por si një komunist grek që urren kapitalizmin dhe demokracinë. Në këtë mes ai nuk mund të përjashtojë ndëshkimet as për Shqipërinë. Por jo se është anti-shqiptar. Këta që ëndërrojnë një Cipras në Tiranë, po qe se ia arrijnë, kanë për të parë se ai do të na dojë shumë herë më tepër se çdo pjesën tjetër të Greqisë jo komuniste. Natyrisht nuk na do as në NATO, as në BE, as në Perëndim, por në Internacionalen e re të tij. Atje ku kemi qenë!
Marrë nga Gazeta "Tema"