Përse duhet të kemi një Supershumicë?
Nga Artur Zheji
Fushata ka hyrë në ethet e fundit. Ecejaket e shefave të politikës janë shpeshtuar dhe janë përshpejtuar. Ndoshta për pasojë, makineria e administratës ka ngadalësuar si rrjedhojë ritmet e veta. Duket sikur me 21 qershorin e ardhshëm do të bëhet një betejë e madhe, e cila do të sjellë edhe përmbysje të mëdha.
Politika qendrore duket sikur kërkon gjithmonë e më shumë t’u mbivendoset pushteteve lokale dhe të krijojë mbas reformës territoriale, një përqendrim edhe më të madh pushteti dhe vendimmarrjeje, në gjithmonë e më pak duar.
Sigurisht, palët kanë se çfarë fitojnë dhe kanë se çfarë humbasin mbas pak ditësh. Ethet janë të mëdha dhe të shprehura hapur dhe vende-vende me arrogancë. Shumica kërkon dukshëm një fitore të madhe dhe me çdo kusht. Pakica, në mbrojtje, kërkon edhe ajo ta ndalë këtë mësymje që vjen nga gjithkah. Ndjehet qartë që në këtë raund, Shumica kërkon përmes një fitoreje dërmuese ta çojë Pakicën në një gjendje nokauti, ta mbështesë pas murit Opozitën dhe mundësisht t’i heqë nga duart dhe nga administrimi çdo bashki dhe çdo “kështjellë”.
Nëse ky skenar apo kjo “strategji luftarake” do të kurorëzohet me fitore, do të kishim një hartë të re elektorale dhe administrative, të bojatisur më së shumti, me ngjyrat e ndezura të Shumicës qeverisëse.
Çfarë do të ndodhte në thelb, nëse do të kishte një rezultat të tillë? Çfarë do të ndodhte pra, nëse me këtë mobilizim të jashtëzakonshëm të Ramës dhe Metës, do të kishte një përskuqje politike të kësaj harte?
Do të kishim de facto një përqendrim të tejskajshëm pushteti dhe pushtetesh, të cilat, pushtetet pra, përtej fjalëve, do të ishin, në një formë ose tjetër, përjashtuese për një pjesë të konsiderueshme të shqiptarëve. Sepse kryebashkiakët, mbasi mbaron fushata dhe korren votat, nuk janë më ata esnafët që nuk do të bëjnë fare dallim ndërmjet të vetëve dhe atyre që nuk i kanë votuar. E pra, si rrjedhojë, do të prodhohej polarizim nga njëra anë dhe përjashtim nga ana tjetër.
Duke përllogaritur edhe krizën ekonomike që nuk duket se do të shkulet edhe aq shpejt, përgjegjësitë menaxheriale që do të merrte mbi supe Shumica, do të ishin pak të themi të disafishta. Duke parë performancën relative të administratës së majtë në pushtet, me fare pak maja dhe me shumë ultësira, për të mos thënë gropa, kjo mbingarkesë duket një zgjedhje jo dhe aq inteligjente. Dëshira për të marrë sa më shumë vota dhe sa më shumë pushtet përmes këtyre votave, ndoshta e ka topitur inteligjencën që këshillon një rishpërndarje të mençur përgjegjësish dhe bonusesh, në një mënyrë më proporcionale, ndërmjet Shumicës dhe Pakicës.
Pushtetet e tejshumta dhe të sforcuara që kishte dikur ish-presidenti Berisha në vitin 1996, janë një leksion shumë elokuent politik. Italianët kanë një fjalë të urtë, shumë domethënëse: “Chi troppo vuole, nulla stringe!” (Kush kërkon shumë, mund të mbetet duarbosh!)
Moderacioni dhe sensi i masës, ndonëse nuk të ngopin sa duhet me adrenalinë, janë padyshim më të shëndetshme dhe më të frytshme në politikë. Aq më tepër në një vend si i yni.
MAPO