Përse e vlerësoj Presidentin Nishani?
Nga Hajro Limaj*
Kur Zoti Nishani u zgjodh Presidenti i Republikës, opozita e atëhershme,e cila sot është në pushtet, jo vetëm e kundërshtoi, por shume ithtarë të saj shkruan e komentuan “djathtizmin” dhe “Berishanizmin” e pa shoq të tij. Në 24 Korrik Zoti Nishani mbushi tre vjet në detyrën e kryetarit të shtetit, vite të cilat për çdo shqiptar të lexueshëm dhe të paanshëm, shqiptar që më shumë se interesat e shtetit dhe të kombit, nuk bëhet fli i partive që venë e vinë është në gjendje të gjykojë vlerat dhe personalitetin e tij. Kur bisedojmë me shokë të këtij niveli këndvështrojmë se vlera më e madhe e presidentit tonë është pastërtia e figurës së tij. Kjo përbën edhe pasurinë e veçantë që ai mban në krahasim me pothuajse të gjithë shtetarët dhe politikanët e vendit të sotëm, të djathtë e të majtë, të cilët jo vetëm janë zhytur në korrupsione galopante e krime të gjithanshme, por janë bërë krejtësisht të pabesueshëm dhe të parespektueshëm nga shtresat e gjera të popullit dhe intelektualët e ndershëm e të përkushtuar.
Zoti Nishani, nga marsi 2007 deri në shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga shtatori 2009 deri në prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit. Pra 5 vjet ishte në detyrën e ministrit. 5 vjet që ai nuk u akuzua nga askush për korrupsione individuale apo familjare, kur disa nga ish-kolegët e tij përbalteshin nga veprimtaritë korruptive apo nga qëndrimet e dyshimta. Këto vlera pasurore të tij për Shqipërinë që është nga shembujt më negativë në rajon dhe Europë përbëjnë një vlerë të veçantë kombëtare, mbasi kombi jonë është ndëshkuar shumë ashpër nga babëzia e pa shoqe e krimit ekonomik dhe korrupsionit masiv. Aq e rëndë është kjo sëmundje sa ministrat, deputetët dhe drejtuesit e tjerë të institucioneve që nuk vijnë nga politika apo biznesi, pra nga një jetë e thjeshtë, për katër vjet pasurohen aq shumë saqë edhe avionë mund të blejnë. Shembujt flasin dhe shikohen për ditë. Aq të rënda janë ato sa varfëria që ka mbërthyer vendin në çdo skaj të tij gulçon duke u shprehur: U qamë nga shiu dhe kemi rënë në breshër. Por atyre që ju punojnë të dy sferat e trurit: i majti dhe i djathti shembullin pozitiv e gjejnë tek Presidenti jonë, z.Nishani. Unë e di dhe e pres që atyre që u punon vetëm sfera e trurit të majte do të më kundërvihen me këtë vlerësim që unë po bëj. Por mua, si intelektual nuk më intereson fare qëndrimi partiak apo militant, mua më intereson atdheu, interesat kombëtare të vendit tim që nga papërgjegjshmëria e gjithënëshme dhe korrupsioni e veprimtaria kriminale e politikanëve dhe qeveritarëve më është plagosur kaq rëndë atdheu, lufta dhe përkushtimi i atdhetarëve për një Shqipëri të pastër, dinjitoze dhe të barabartë. Prandaj unë dhe ata që kanë edukatën dhe kulturën e një shtetari e vlerësojnë presidentin aktual, z. Nishani. Kush e ka ruajtur tjetër figurën e shtetarit, qeveritarit apo politikanë kur kanë pushtet. Pothuajse asnjë, mbasi tek ne korrupsioni dhe krimi ekonomik i autoriteteve shtetërore dhe politike është kthyer sistem. Figura dhe personaliteti i presidentit Nishani ka ardhur në rritje dhe aktualisht ai ka siguruar më shumë pavarësi qoftë nga partia që e solli president, qoftë nga partitë që janë në pushtet. Është afruar më shumë një president i të gjithëve dhe jo vetëm të një pjese.
Përpjekjet e qeverisë dhe ligjërimet e kuvendit për t’i hequr presidentit shumë kompetenca kushtetuese pothuajse kanë dështuar. Kulmi i këtij qëllimi ishin ligjet që kaluan në Kuvend me propozimet e ministres së Mbrojtjes për kompetencat si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura,të cilat me shumë të drejte Gjykata Kushtetuese i rrëzoi dhe ja riktheu Presidentit. Po ashtu qëllimi për ta kthyer presidentin një “noter” për emërimin e ambasadorëve pothuajse dështoi. Presidenti i Republikës është kryetari i Shtetit dhe autoriteti i parë i vendit, brenda dhe jashtë vendit. Ambasadorët janë përfaqësuesit e shtetit dhe pa verifikimin e plotë nga institucionet kushtetuese dhe bindjen e plotë të tij nuk mund të emërohen vetëm se dëshiron ministri i jashtëm dhe kryeministri, të cilët përfliten kaq shumë për emërimet diplomatike që ata kanë në kompetencë, siç janë edhe konsulli i përgjithshëm në Stamboll dhe në Itali. Rritja e kundërshtisë së presidentit ndaj projektligjeve apo propozimeve emëruese ishte shumë e drejtë dhe shumica e tyre u ligjëruan nga Gjykata Kushtetuese. Shteti demokracive funksionale i ka të ndara tre pushtetet, por megjithatë për të kontrolluar dhe mbrojtur kushtetutën, ligjin themeltar të shtetit ka institucionin e presidentit dhe Gjykatën Kushtetuese. Presidenti me kompetencat që i jep kushtetuta ka të drejtën ligjore të mos dekretojë ligje, të cilat nuk plotësojnë të gjitha principet dhe kërkesat e Kushtetutës, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet demokratike. Rikthimi i ligjit në kuvend për ridiskutim ka vlera të mëdha. Thellon mendimin dhe bën reflektimet e nevojshme për ta përsosur ligjin në fjalë. Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Qeveritarët i vërsulen presidentit duke i vendosur lloj- lloj nofkash. Po mirë këta qeveritarë a e pranojnë Kushtetutën që kemi në fuqi. Dhe shembujt e freskët për ligjin e arsimit të lartë dhe të turizmit treguan agresivitetin e qeveritareve, të cilët jo vetëm e kundërshtuan të drejtën që ka presidenti për ta rikthyer për ta diskutuar edhe njëherë ligjet, por u shprehen se pa i diskutuar do ti rivotojnë përsëri ashtu siç janë. E nëse bëhet kështu ato dy ligje do të apelohen në Gjykatën Kushtetuese që kërkon kohë të gjykohen, kur vendi duhet të përshpejtojë reformat. Kjo kulturë politike e qeveritarëve tanë për 25 vjet e ka dëmtuar shumë konsolidimin e shtetit. Në vend të dialogut dhe mirëkuptimit për të zgjidhur të gjitha problemet në interes të zhvillimit të shpejtë të vendit, kanë zgjedhur rrugën e konflikteve të pafundme. Ky qëndrim pothuajse është në të gjithë spektrin politik. Kujtoni vështirësitë që kaloi Z.Moisiu, por që me vendosmëri i përballoi ato.
Zoti Nishani ka dy fëmijë, njëri student dhe tjetri gjimnazist. Kush ua di emrat dhe kush ka guxuar t’u zëri emrin për qëndrime apo sjellje jo ligjore, jo korrekte. Asnjë, sepse babai bën detyrën edhe si prind, por nuk i afron dhe nuk i bën pjesë me detyrën zyrtare, apo me tepër t’u krijoje mundësi të kundraligjshme përfitimesh. Që Presidentin shpesh kanë dashur ta përulin kjo dihet, por veprimi i pahijshëm që në muajin gusht nuk i dhanë në përdorim as vilën qeveritare të Vlorës dhe as atë të Dhërmiut tregon konceptin që mbartin në kokë qeveritarët. Presidenti asnjëherë nuk mund të kërkojë leje se ku do të pushojë, ashtu siç është vepruar kurdoherë. Por ta lësh presidentin e heshtur të shkojë dhe të pushojë jashtë vilave qeveritare, jo vetëm është e turpshme, por krejtësisht e kundraligjshme. Dhe ai heshti. Atëherë a kam unë të drejtë që presidentin ta vlerësoj, bile ta marrë shembull për korrektesën dhe pastërtinë morale që po trashëgon ndaj korrupsionit dhe krimeve ekonomike të qeveritarëve dhe politikanëve që janë kthyer miliarderët e një vendi me popullin më të varfër dhe të vuajtur në Ballkan dhe në Europë? Po, kam të drejtë. Por, fatkeqësisht ithtarët dhe ata që venë e vinë në pushtet nuk u intereson kjo. Ata e kanë kthyer në sistem ta keqpërdorin pushtetin dhe ta keq qeverisin Shqipërinë. Ata mendojnë vetëm për xhepat dhe interesat e tyre dhe jo tonat. Ata të shtypin, të dhunojnë, të heqin nga puna,bile të vrasin. Ky është dallimi midis atyre që punojnë për shtetin dhe popullin dhe atyre që bëjnë sikur punojnë,por vetëm pasurohen nga ai.
*Kolonel ®, Ish atashe Ushtarak në Republikën e Turqisë. “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë”