Përse myslimanët europianë i bashkohen ISIS-it?
Shifrat janë alarmante. Komisioneri i Policisë Metropolitane në Londër ka deklaruar kohët e fundit se pesë nënshtetas britanikë i bashkohen ISIS-it çdo javë, duke i shtuar radhët e myslimanëve europianë që besohet se janë me mijëra.
Pavarësisht mosraportimit në media, përseja mbetet ende një mister. Shumica e vlerësimeve fokusohen në rolin e ideologjisë “xhihadiste” dhe “radikalizimit” në motivimin e këtyre rekrutëve. Këta kanë prirjen të thjeshtësojnë dhe zvogëlojnë faktorët kompleksë që prekin komunitetet myslimanë në Europë, së brendshmi dhe së jashtmi. Kam dënuar në mënyrë të përsëritur dhe publikisht aktet e neveritshëm të ISIS, por që të mposhtim terrorizmin, është e detyrueshme që të kuptojmë faktorët që motivojnë myslimanët europianë që e mbështesin atë.
Myslimanët europianë që nisen për të luftuar zakonisht i përkasin brezit të dytë apo të tretë të komuniteteve të imigrantëve nga Lindja e Mesme apo Azia Jugore. Këta breza mund të jenë të dobët, sepse janë në pikën ku mund të humbasin kulturën e paraardhësve të tyre, por ndërkohë nuk janë përthithur plotësisht apo pranuar në vendin ku jetojnë, pavarësisht se janë nënshtetas.
Shumë prej komuniteteve myslimanë në Europë, ndryshe nga SHBA, janë krijuar përmes marrëveshjeve të firmosura mes shtetit pritës dhe shteteve myslimanë respektivë, me qëllim për të siguruar krah pune për të plotësuar mangësitë e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore. Kështu, përshembull, një numër i madh pakistanezësh shkuan në Britani, turqish në Gjermani, dhe marokenësh në Belgjikë. Këta imigrantë dhe pasardhësit e tyre përballen me probleme strukturorë në integrimin e tyre në shoqëri. Ata janë rritur në zona me probleme ekonomike, pa patur qasje në arsimim apo shanse punësimi.
Dhe për ta përkeqësuar edhe më tej këtë situatë fatkeqe, lidershipi fetar në komunitetin mysliman nuk ka arritur të ofrojë udhërrëfim për të rinjtë. Kur ata kanë nevojë të diskutojnë problemet që kanë, të rinjtë e kanë të vështirë, në mos të pamundur, të flasin me imamin e xhamisë lokale. Shumë imamë, që kanë mbërritur së fundmi nga jashtë vendit, kanë shumë pak njohuri apo interes për historinë apo kulturën e Europës. Shpesh herë, ata nuk janë në gjendje të flasin rrjedhshëm anglishten. Kështu që, kur të rinj myslimanë shkojnë tek ata për të folur për problemet socialë që hasin të rinjtë europianë – alkooli, droga, seksi – ata as nuk e kanë idenë se si t’i këshillojnë. Ata nuk janë në gjendje as të ofrojnë një shpjegim të qartë në lidhje me xhihadin. Shkurt, ata janë bërë pothuajse të parëndësishëm për komunitetin mysliman në kontekstin e këtij diskutimi. Edhe prindërit e tyre, me dëshirën për të gjetur veten ekonomikisht në shoqërinë europiane, janë shkëputur fare nga brezi tjetër, siç bëhet e qartë prej tronditjes dhe tmerrit që përjetojnë kur bijtë dhe bijat e tyre akuzohen në çështje që kanë lidhje me terrorizmin.
Ka edhe faktorë te jashtem, që janë njësoj të fuqishëm në motivimin e të rinjve myslimanë për t’iu bashkuar ISIS-it.
Më domethënësi prej këtyre është Islamofobia e përgjithshme që ka ardhur në rritje të vazhdueshme qysh prej 11 shtatorit 2001. Kjo garanton që të rinjtë europianë rriten në një mjedis ku u duhet të jenë vazhdimisht në vetëmbrojtje. Media vë në lojë fenë e Islamit, Zotin e tyre, Profetin, Librin e Shenjtë, dhe zakonet. Më keq akoma, komentatorët e kanë shndërruar në praktikë që t’u atribuojnë zakone joislamikë Islamit – si vrasjet për nder apo sakatimin e gjenitaleve të femrave. Islamofobia i shtyn të rinjtë, të cilët mund të jenë tashmë të zemëruar prej gjendjes s ëtyre sociale të shkaktuar prej problemeve që përmenda më sipër, larg prej shoqërisë dhe e ushqen më shumë ndjenjën e tyre të armiqësimit. Të ndier tashmë pezull mes kulturave të ndryshme, ata mund të bien pre e atyre që mbrojnë luftimet në Lindjen e Mesme, apo idenë që, larg prej problemeve të tyre në Europë, ekziston një “Shtet Islamik” që premton një jetë më të mirë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, lëvizjet e ekstremit të djathtë që janë në rritje bëjnë më shumë presion, që nga “First in the UK” në Britani, tek “Agimi i Artë” në Greqi. Këta grupe vënë në shënjestër imigrantët, por fokusohen sidomos tek myslimanët. Ata janë shpesh herë të dhunshëm dhe i kanë sfiduar myslimanët në xhamitë dhe shtëpitë e tyre. Ata janë një burim konstant ankthi, frike dhe zemërimi në komunitetet myslimanë.
Ndërkohë që dënojmë ISIS-in, ne duhet të pranojmë se shumë të rinj myslimanë që i bashkohen janë gjithashtu subjekte të atij që e quajmë “faktori Hemingueji”. Në fundin e viteve ’30, Ernest Hemingueji, ashtu si shumë amerikanë, u gjend në SPanjë duke luftuar kundër qeverisë fashiste të Frankos. “Për kë bien këmbanat” është ndoshta rrëfimi letrar më i famshëm i atij konflikti. Për t’i rezistuar Frankos, rebelët u angazhuan në disa veprimtari që sot i kemi dëgjuar të ndodhin në Lindjen e Mesme – atentate vetëvrasës me bomba, vrasje pa dallim, hedhje në erë e urave, si dhe akte sadizmi. Amerikanët si Hemingueji dhe europianët si Oruelli nxiteshin nga ndjesia e të luftuarit për më të dobëtin, të luftuarit për një “kauzë”. Po kështu, shumë myslimanë sot shohin se çfarë ka bërë Assadi në Siri – më shumë se 200 mijë të vrarë dhe miliona të dëbuar – si dhe indiferencën dhe mosveprimin e Perëndimit. Ata kanë humbur besimin në qeveritë e tyre.
Kjo nuk është hera e parë që “faktori Hemingueji” është vërejtur mes myslimanëve të Europës. Në vitet ’80, europianët udhëtuan në Afganistan për të luftuar kundër sovjetikëve. Në vitet ’90, të rinj nga vende si Britania udhëtuan në Bosnje, pasi shihnin gjenocidin e myslimanëve dhe atë që e perceptonin si indiferencën e qëllimshme të Europës. Shumë myslimanë shkuan të ofrojnë shërbime shëndetësorë dhe socialë ndërkohë që të tjerë morën pjesë në luftime, në një formë apo një tjetër.
Një kombinim i këtyre faktorëve shpjegon përse kaq shumë të rinj myslimanë sot janë të përgatitur për sakrificën e fundit.
Atëherë, çfarë duhet bërë? Ka një rol kyç që duhet ta luajnë qeveritë europiane. Ata mund të ofrojnë nisma specifike me qëllim zbutjen e frikërave të myslimanëve, t’i përfshijnë ata në programe të ndryshëm, si dhe t’u ofrojnë shanse për punësim. Ndërkohë që garantojnë ruajtjen e ligjit dhe rendit, qeveritë duhet të shfrytëzojnë çdo shans për të respektuar dhe nderuar komunitetin e madh mysliman. Qeveritë nuk duhet të harrojnë asnjëherë që këta janë qytetarë me të drejta të plota. Edhe qeveritë europiane duhet të punojnë në bashkëpunim me udhëheqësit myslimanë në komunitetet lokalë, për të ndërtuar besim.
Ky problem nuk mund të zgjidhet pa marë në konsideratë të gjithë faktorët e përmendur më sipër. Zgjidhjet janë kohëgjata dhe gjithëpërfshirëse, por është e detyrueshme që udhëheqësit e komuniteteve myslimanë dhe qeveritë europiane të fillojnë të hartojnë mënyra për ta zgjidhur bashkë problemin.
* Ambasadori Akbar Ahmed, Kryetar i Studimeve Islamike në Universitetin Amerikan, po kryen një studim në terren për librin e ardhshëm: “Udhëtim në Europë: Islami, Imigrimi dhe Perandoria”