Përse nuk duhet përdorur Bashkia e Tiranës!

Nga Mero Baze

Bashkia e Tiranës shpërndau sot pa dashje në një listë të gjerë personash, se sot e tutje kontaktet me kreun e Partisë Demokratike nuk do të jenë më në adresën e kryetarit të Bashkisë, por në adresën e tij si kryetar i Partisë Demokratike. Dy vjet pasi ka marrë detyrën e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, duket se ka përdorur tërësisht infrastrukturën e Bashkisë së Tiranës për detyrën e tij si kryetar i PD-së. Kjo jo vetëm në aspektin logjistik, por dhe atë politik, duke kthyer në njerëzit më të rëndësishëm në PD, njerëzit që e rrethonin në zyrat e Bashkisë.

Të enjten, në Bashkinë e Tiranës do të hyjë kryetari i ri i saj, Erion Veliaj, duke pasur fatin të jetë kryebashkiaku i gati gjysmës së Shqipërisë dhe fituesi me rezultatin më të thellë në gjithë kohërat në kryeqytet.

Të japësh sot receta se çfarë duhet të bëjë Erion Veliaj për të qenë i suksesshëm është një delir që duhet shmangur, por për të ecur në tokë të sigurt, ai ka plotë gjëra të qarta që nuk duhet t’i bëj. Mbi të gjitha ai duhet të shmangë këtë email që qarkulloi sot, nga zyra e atij që po ikën nga Bashkia.

Simbolika e Lulzim Bashës në Bashkinë e Tiranës, është ndoshta trashëgimia më e hidhur politike që duhet shmangur në Shqipëri. Jo vetëm për faktin që nuk bëri asgjë, por mbi të gjitha për arsyet përse hyri dhe përse nxitoi të dalë nga ajo derë.

Lulzim Basha e mori Bashkinë e Tiranës se donte të mbulonte një histori kriminale që i mbeti në duar, siç ishin vrasjet e 21 Janarit 2011. Për të pastruar atë histori dhe për tu votëbesuar si një politikan jo kriminel, Lulzim Bashës iu desh të bënte një krim të ri electoral, për të mbuluar një krim politik në biografinë e tij. Dhe kjo ishte kryearsyeja përse atij i duhej zyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, pasi iu përgjak karrigia në zyrën e Ministrit të Brendshëm. Erion Veliaj nuk e ka këtë hall. Përkundrazi, ai vjen nga një histori suksesi në karrierën e tij si politike edhe administrative.

Bashkia e Tiranës, ishte për Lulzim Bashën një fazë kalimtare për të bërë karrierë politike në Partinë Demokratike. Dy  vitet e para të Bashkisë, Bashës iu deshën për të harruar 21 Janarin dhe 2 vitet e fundit për të marrë kontrollin mbi Partinë Demokratike.

Njerëzit që ai grumbulloi rreth vetes në Bashki nuk kishin më lidhje me Partinë Demokratike tradicionale, por me një grup klientelistë dhe farefisnor, kryesisht të gruas së tij, që përbën dy vjet më pas dhe zemrën e të zgjedhurëve në Këshillin Kombëtar të PD-së, edhe pse shumica e tyre janë ish-socialist ose familje me lidhje të forta me regjimin e vjetër. Basha ishte i qartë se Bashkia ishte vetëm një arsye për tu ndarë nga biografia e 21 Janarit dhe një fillim për kreun e ri të PD-së.

Email-i që ai shpërndan sot, ëhstë një akt i sinqertë i mënyrës sesi ai ka funksionuar dhe përse e ka përdorur realisht Bashkinë e Tiranës.

Lulzim Basha e përdori po ashtu Bashkinë e Tiranës për biznese tërësisht okulte dhe të ngushtuara tek një rreth i ngushtë njerëzish që nuk janë as PD, por thjesht klient të tij. Zbardhja e lejeve të ndërtimit kalonte nga zyra e Kunatit të tij pasi paguhej nën dorë, ndërsa shumica e kandidatëve biznesmenë në rrethe ishin njerëz të kësaj klientele. Por pavarësisht etjes për para, simboli i banalitetit të tij në krye të Bashkisë së Tiranës do të ngelet historikisht leja që ai i ka dhënë vetes, për të ndërtuar një kat të trembëdhjet mbi taracën e pallatit ku banon, duke banalizuar kështu vizionin e tij, pangopësinë e tij dhe mediokritetin që e shoqëron si individ. Gjest të tillë nuk ka bërë në këtë qytet askush, që nga viti 1920.

Si në asnjë rast tjetër, kjo zyrë bashkie është vënë në funksion të një njeriu për katër vjet, për t’i larë atij njollat e gjakut nga duart dhe për t’i veshur kostumin e kryetarit të ri të partisë. Për katër vite, ajo zyrë nuk kishte më lidhje as me kryeqytetin, as me PD-në dhe as me ndonjë vizion për zhvillim.

Ai nuk do mbahet mend vetëm si kryetari që nuk bëri asgjë për kryeqytetin, por mbi të gjitha si kryetari që përdori kryeqytetin për historinë e tij.

Erion Veliaj e ka të lehtë sot të bëj diferencën me parardhësin e tij, për faktin se Bashkia nuk i duhet për të mbuluar të shkuarën dhe as për t’i hapur rrugën e karrierës politike për të ardhmen. Ai duhet ta shikojë atë zyrë, si gjënë më të rëndësishme që i ka besuar kryeqyteti në jetën e tij, pa kalkuluar sesi do të dalë prej saj. E rëndësishme është që pas katër, tetë a më shumë  vitesh të mos diskutojmë si sot se ku do të shkojë Erioni, por ku ka shkuar Tirana. Është e sigurt se do të dalë më i nderuar se ky që po ikën, pasi të gjithë e kanë të fituar betejën me asgjën, por ai duhet të fitojë betejën me veten, duke lënë gjurmët e tij në kryeqytet. Ky email tregon përse i duhej Tirana Lulzim Bashës, ndërkohë që na duhet dikush që kur të iki, të diskutojmë përse i duhej ai Tiranës.

TEMA

SHKARKO APP