Përse nuk po funksionon PD-ja e Bashës?

Nga Mero Baze

Partia Demokratike po hyn në fushatën e parë zgjedhore qyshkurse Lulzim Basha ka ardhur në krye të saj, me një grumbull problemesh të krijuara nga mosdrejtimi real i partisë. Edhe pse ka përballë një qeveri që i ka dhënë mundësi të bëjë opozitë dhe të ngrejë çështje të mëdha, PD-ja e re e Bashës duket tërësisht e papërgatitur para fushatës, duke dëshmuar se ekipi i ri nuk ka funksionuar.

Stafi i ri i partisë, i krijuar nga struktura e koordinatorëve dhe të zgjedhurëve në kryesinë qendrore, deri më sot jo vetëm që nuk kanë mundur të afirmohen si vlera, por kanë prodhuar një situatë thuajse paniku para fillimit të fushatës, ku opozita ka së paku tri disavantazhe të mëdha.

E para, ka humbur shansin të formojë një koalicion të madh dhe të qëndrueshëm. Koalicioni i sotëm opozitar, ende i paformuar, është më i dobëti dhe më i parëndësishmi që PD-ja ka krijuar, përfshi edhe vitin 1997. Përveçse ka humbur aleatët e 23 Qershorit, PD-ja po humbet dhe aleat besnik të saj, si Partia Republikane, për shkak të pafuqisë së Bashës për të marrë vendimet që duhet të marrë për koalicionin.

Disavantazhi i dytë janë kandidatët e pavarur. Në Tiranë janë dy prej tyre deri tani, që i përkasin së djathtës dhe janë në rrugë për shkak të Lulzim Bashës. Ndërkohë në Shkodër, ku dega e FRD-së thotë se nuk është dakord me idenë e Bamir Topit për të hyrë në aleancë me Edi Ramën, ka entuziazmuar pa shkak demokratët, të cilët nuk kanë fuqi dhe as përpjekje konkrete për të ftuar FRD-në në koalicion me ta. Një kandidat i FRD-së në Shkodër, është njëlloj si një kandidat i pavarur, e ndoshta më keq për PD-në nëse ai do të jetë Fatlum Nurja.

Disavantazhi i tretë, është vonesa bashki më bashki se kush do të jetë kandidati. Ndërsa shumica në pushtet thuajse ka mbaruar punë jozyrtarisht me kandidatët, opozita nuk di kë ka kandidat në asnjë prej 61 Bashkive. Vonesa, e shoqëruar me mungesën e drejtuesve të rinj të PD-së në rrethe, që të japin opsionet e tyre, e ka bërë tërësisht kaotike situatën parazgjedhore dhe ka futur realisht në udhëkryq opozitën.

Në shumë degë kryqëzohen emrat që kërkon Basha me ata që dëshiron Berisha, por nuk ka asnjë emër të propozuar nga koordinatorët e rinj apo të zgjedhurit e rinj të PD-së. Ata janë inekzistent në bazën e PD-së dhe ilustrojnë idenë se janë zgjedhur aty vetëm si shifra që të garantojnë mandatin e Bashës në krye të PD-së, pavarësisht rezultatit katastrofik që mund të marrë në zgjedhje.

Shanset që opozita të fitojë shumë bashki ekzistojnë nga pakënaqësia popullore për qeverinë dhe kostoja e lartë e reformave, sidomos ajo e energjisë dhe territorit, që ka rritur kostot e jetësës dhe shpesh edhe të papunësisë. Kundëpërgjigja e kësaj situate nga opozita, duhet të bëhej me një koalicion të gjerë dhe krijimin e një fryme fitoreje. Opozita po bën të kundërtën. Çdo ditë ajo prodhon lajme që nuk ka kandidat, ose që i ikën një parti nga koalicioni. Kjo situatë ka ardhur nga fakti se strukturat e reja të PD-së nuk kanë funksionuar asnjë ditë, duke qenë një dështim total në politikë dhe se Basha nuk ka mandate të delegojë pushtet për koalicionin. Rasti i Agron Dukës, të cilin e ftoi vet në koalicion dhe pastaj e refuzoi se nuk ia pranoi Berisha, tregon qartë krizën reale të PD-së, e cila komandohet nga Berisha për llogari të Bashës. E vetmja gjë e paqartë mbetet, se për llogari të kujt do jetë humbja?

Gazeta "TEMA"

SHKARKO APP