Përse opozita heshti për Bankers?

 

Nga Mero Baze

Opozita shqiptare shmangu një reagim serioz ndaj asaj çfarë po ndodh me banorët e zonës në Marinzë të Patosit, pas shpërthimit të një fontane gazrash dhe ujërash nëntokësore në datën 1 prill. Skandali, i cili vë realisht në pozitë të vështirë qeverinë shqiptare lidhur me përgjegjësitë e saj, u gëlltit prej opozitës, me sa duket për shkak të kompleksit që ata kanë ndaj përgjegjësisë së Sali Berishës në këtë histori.

Një skandal i tillë, i cili nuk është se nxjerr pa lagur dhe qeverinë aktuale, u injorua nga opozita, thjesht për shkak të peshës së madhe politike që ka ende Berisha edhe në vendimarrjen e çështjeve me të cilat duhet të bëjë politikë opozita.

Teksa opozita duhet të fokusohej tek kjo çështje, Berisha sajonte sms nga Shkodra për të gjetur kushërinj dhe të afërm të gjyqtarit Halluni, ndërkohë që kishte harruar të shtonte aty, se motra e Jozefina Topallit është e martuar tek djali i xhaxhait të tij dhe për shkak të Topallit, ky gjyqtar është tek Krimet e Rënda.

Meqë Berisha e shmangu skandalin e Bankers nga axhenda e thashethemve të tij ditore, edhe PD-ja e shmangu.

Po, pse Berisha e shmangu skandalin e Bankers?

E para, se Bankers filloi prodhimin e saj në vitin 2006, pas një kontrate të lidhur për shpim-kërkimin qysh më 2004-ën, pasi në Shqipëri erdhi si lobist i saj, ish- gjenerali që drejtoi luftën e Kosovës, Wesley Clark.

Berisha, i cili i kishte marrëdhëniet me Uashingtonin zyrtar të këqija, kishte nevojë për grupe lobistësh të ndikonin për imazhin e tij. Clark ishte një prej tyre dhe Berisha i hapi rrugë çdo kërkese të kompanisë për të cilën ai loboi, me shpresë se për të do të thuhej një fjalë e mirë në Uashington.

Gjatë qeverisje së tij, Bankers u denoncua dhe nga Wikileaks si një kompani që po shkaktonte tërmete nëntokësore në Shqipëri. Raporti i Wikileaks, raporton për një seri tërmetesh qysh në vitin 2009, të cilat vinin nga shpërthimet nëntokësore.

Edhe kur kjo u bë publike, qeveria nuk mori asnjë masë, por lejoi që situata të monitorohej nga vet Bankers, e cila asnjëherë nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për tërmetet artificiale të shkaktuara nga përdorimi i një teknologjie ekstreme në shfrytëzimin e naftës.

Përtej kësaj, një rreth i afërt i Berishës u lidh me punë si nënkontraktor të Bankersit në shumë procese pune të dorës së dytë, të cilat u përdorën për pagesa nën dorë të familjes dhe rritje artificiale të shpenzimeve që të shmangin taksat ndaj shtetit shqiptar.

Nënkontraktorët e Bankers lulëzuan menjëherë në shumicë, si kompani të afërta me pushtetin dhe filluan të lidhen me biznese të tjera të Familjes deri në Tiranë.

Së dyti, Berisha shmang reagimin edhe personal ndaj maskarës që ndodhi, për të legjitimuar një prej “aksidenteve teknologjike” që ka ndryshuar historinë e tij në pushtet, atë të Gërdecit. Ajo që ndodhi në Marinzë ishte shumë afër, madje më keq se ajo që ndodhi në Gërdec, nëse më 1 prill aty do të kishte shtëpi të hedhura në erë, dhe pse jo ndonjë flakë masive. Në raste të tilla, fontanat kanë hidrokarbure me peshë të vogël molekulare, që kanë shans të madh të marrjes flakë. Zoti na shpëtoi nga një tragjedi, por çuditërisht dhe nga reagimet e Berishës, që nuk mungojnë as për fantazitë e tij tejet të çmendura. Shpresa, se duhet të ndodhë diçka që ai të ketë mundësi të balancojë Gërdecin e të birit dhe Familjes së tij, dominon mbi dëshirën për të bërë opozitë reale, duke lënë ende opozitën dhe Partinë Demokratike peng të së shkuarës së tij kriminale në pushtet.

Kjo është dhe situata më komode e mundshme e qeverisë dhe ministrit përgjegjës. Në rrethana të tjera ata mund të ishin masakruar jo pa shumë të drejtë nga opozita, sidomos kur vjen puna tek kompetenca, me të cilën qeveria flet me gjuhën e Bankersit për gazrat e çliruar në zonë.

Vetë Lulzim Basha u detyrua të thotë diçka nëpër dhëmbë, sikur të ishte ndonjë ekologjist nga ata që kërkojnë qytet me biçikleta si në Holandë.

Pesha e Berishës mbi vendimet politike të opozitës shihet qartë që është vendimtare në vendosje kandidaturash, në përcaktim lidershipi në PD dhe futjen shpesh në beteja sipërfaqësore, pa asnjë rëndësi. Por, ajo që u pa në këtë rast, është se opozita nuk është vetëm duke u diktuar nga Berisha çfarë të bëjë për të ardhmen, por edhe si të sillet me të shkuarën e Berishës dhe pengjet e tij, duke u diskretituar edhe në çështje shumë të ndjeshme për opinionin publik.

Gazeta Tema

SHKARKO APP