Përse opozita, po heq dorë nga “dekriminalizimi”?
Nga Mero Baze
Nëse disa muaj më parë askush nuk e mori seriozisht nga shumica, nismën e opozitës për tu kthyer në Kuvend në emër të një fushate për Dekriminalizimin e Kuvendit, tani është opozita ajo që duket se është penduar për këtë gjë. Historia e konflikit të deputetit Doshi me dy drejtuesit e shumicës parlamentare, që janë dhe Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit, do të ishte një rast i artë për opozitën të merrte seriozisht nismën e saj politike.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, u shprehën njëzëri dhe me detaje për fokusin e punës së këtij Komisioni pas shpërthimit të konfliktit. SHBA përshëndeti largimin e Tom Doshit nga Partia Socialiste dhe i bëri thirrje dhe opozitës të veprojë në këtë mënyrë, ndërkohë që inkurajoi drejtësinë të veprojë. Me tone më diplomatike, Bashkimi Europian, përsëriti të njëjtën gjë dhe u fokusua tek nisma parlamentare e dekriminalizimit.
Të vetmit kundërshtarë të qëndrimeve ndërkombëtare kundër Tom Doshit, fare papritur u bënë opozitarët. Ata jo vetëm që injoruan këto qëndrime dhe i shmangën nga debati publik, por duket se kanë hequr dorë dhe janë bërë pishman edhe për nismën e dekriminalizmit, pasi për ta në rend të ditës ka dalë mbrojtja e deputetit Tom Doshi.
Në të vërtetë, edhe pse e dimë që nisma nuk u ndërmor kundër përbërjes problematike të Kuvendit, por si alibi për të shpëtuar nderin e kthimit kokëulur në Kuvend, nisma pati efektet e veta. Fjala vjen, një nga arsyet përse zoti Doshi filloi të komunikojë me opozitën, madje dhe të vërë në dispozicion këtë filmin “Atenatori”, është dhe një lloj bezdie që kishte nga ky Komision.
Nisma për Dekriminalizimin e Kuvendit, nuk është një nismë ligjore, por një aksion politik, që demonstron vullentin që ke për të qenë në anën e profileve politike me rekorde kriminale ose jo. Unë nuk e di kush janë ata 19 emra që opozita kishte vënë në listë, por di që ka pasur një retorikë të fortë politike kundër zotit Doshi. Nëse tani opozita mendon se Doshi është viktimë dhe kriminel është Edi Rama dhe Ilir Meta, atëherë ata mund ta bëjnë këtë gjë në Komision, duke mbrojtur Doshin dhe duke i bërë gjyq politik Metës dhe Ramës. Kjo është e drejta e tyre, ashtu siç është e drejta e shumicës t’i bëjë gjyq Berishës për rekordet kriminale të djalit të tij në Gërdec, vrasjet e 21 Janarit, rekordet korruptive të Bashës tek Rruga e Kombit, gjyqet e zhvilluara ndaj Bashës dhe Mediut, rekordet kriminale të Ristanit etj. Komisioni është rruga e duhur për të bërë politikë dhe për fat, opozita është në krye të këtij Komisioni.
Problemi i vetëm që shihet tani dhe ndjehet në ajër, është se opozita ndihet si e penduar që është nxituar të ngrejë këtë Komision dhe po bëhet avokate e atyre që kishte listuar si viktima në axhendën e këtij Komisioni.
Bylykbashi është sot politikani më në siklet, pasi i duhet të pyes orë e minutë, cili nga lista duhet përmendur dhe kush jo.
Sikletin e shton akoma më shumë, qëndrimi i qartë dhe i detajuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë shprehur specifikisht për rastin Doshi, duke e përsëritur qëndrimin e tyre dhe duke i bërë thirrje PD-së të bëjë të njëjtën gjë për vete. Pra SHBA dhe Bashkimi Europian e kanë marrë seriozisht nismën e Dekriminalizimit dhe ata kanë përpara listën që duhet të spastrojë PD-ja dhe PS-ja. Nëse PS po merr lavdërime dhe mbështetje të hapur për çfarë po bën, opozita në vend ta shpall këtë si fitore të saj, që detyroi shumicën të mbajë qëndrim ndaj listës që ajo kishte nisur të gjykonte, është bërë papritur pishman për gjithçka dhe është kthyer në avokate të listës. Kështu të ndodh, kur nuk beson vet atë që bën. Të vetmit që e besuan nismën e opozitës ishin ata që prekeshin nga ajo listë. Dhe ata po bëhen me opozitën, para se opozita të bëhet me ta.
Gazeta "Tema"