Përse po e injoron bota valën e terrorit në Izrael?

 

Nga Arsen Ostrovsky, The Telegraph

Gjatë javës së fundit, vendi im, Izraeli, duke përfshirë kryeqytetin tonë, Qytetin e Shenjtë të Jerusalemit, u përballën me një valë të paprecedentë terrori palestinez.

Përpara një jave, Eitam dhe Na’ama Henkin u ekzekutuan brutalisht nga një terrorist palestinez pa mëshirë, në veturën e tyre. Katër fëmijët e tyre, Matan, 9, Nitzan, 7, Neta, 4, dhe Itamar, 9 muajsh, që tani janë jetimë, ishin në sedijen e pasme dhe mrekullisht nuk pësuan gjë. Jetët e tyre tani janë shndërruar në mënyrë të pariparueshme.

Pas dy ditësh, dy izraelitë të tjerë u goditën për vdekje në Jerusalem. Një prej burrave të vrarë po mbante fëmijën e tij dyvjeçar në atë moment. U shkatërrua jeta e disa familjeve të tjera.

Përpara dy javësh, Alexander Levlovitz, i cili po kthehej në shtëpi pas mbrëmjes së Rosh Hashanah (Viti i ri hebre), u vra kur të rinjtë palestinezë e goditën me gurë makinën e tij dhe ai e humbi kontrollin.

Gjatë 48 orëve të fundit në Jerusalem, Tel Aviv dhe virtualisht në të gjitha anët e Izraelit, kemi pasur mbi 150 sulme, që përfshijnë therje, të shtëna, goditje me gurë dhe sulme ndaj makinave.

E, megjithatë, komuniteti ndërkombëtar ka heshtur përballë kësaj vale terrori ndaj njerëzve. A vlen më pak gjaku ynë? Nuk paskan rëndësi jetët e hebrenjve?

Le ta themi qartë dhe pa gabime. Po na godasin për një arsye të vetme: sepse jemi hebrenj.

Unë e kuptoj se Europa ka një numër të madh shqetësimesh të tjera, përfshi Shtetin Islamik dhe valën e refugjatëve sirianë, po me ne, ç’do të bëhet? Nuk paskemi rëndësi ne?

Shumë udhëheqës, kryesisht në Europë, tregohen të shpejtë për të dënuar ndërtimet e Izraelit, e megjithatë vonohen për të thënë një fjalë duke i dënuar këto sulme terroriste. E njëjta gjë vlen edhe për grupe të të drejtave të njeriut, si Human Rights Watch dhe Amnesty.

Më pas pashë disa media që i raportuan sulmet, si BBC, dhe pyeta veten se si dreqin mund të shtrembërohen faktet dhe logjika nga një njohje e pasaktë e realitetit dhe të fajësohet Izraeli.

Edhe më acarues janë ata udhëheqës ndërkombëtarë të cilët, vetëm pasi e vërejnë situatën kur Izraeli ka guximin të mbrojë veten, në mënyrë të parashikueshme na bëjnë thirrje të tregojmë “vetëpërmbajtje”. Më falni? Vetëpërmbajtje?

Imagjinoni për një moment nëse njerëzit do të sulmoheshin me vetura, armë dhe thika nga terroristët islamikë në rrugët në qendër të Lodrës, Parisit, Uashingtonit, apo Moskës. Si do të reagonin udhëheqësit e këtyre vendeve?

Ku janë të ashtuquajturit liberalë të ndritur, të cilët vazhdojnë të bëjnë thirrje për Bojkot, Shpronësime dhe Sanksione (BDS) kundër Shtetit Hebre, por që heshtin përballë terrorit palestinez ndaj hebrenjve?

Izraelitët, sikurse të gjithë njerëzit, kanë të drejtë të jetojnë të lirë dhe të sigurt nga terrori. Dhe qeveritë dhe forcat tona të sigurisë e kanë për detyrë të ndërmarrin çfarëdolloj aksioni të nevojshëm për ta garantuar këtë.

Tensioni përreth Izraelit, sidomos në Jerusalem, po rritet ndjeshëm. Në njëfarë mënyre, kjo valë terrori ndihet ndryshe nga ajo e verës së kaluar e raketave nga Hamasi. Të paktën, atëherë kishim sistemin mbrojtës raketor dhe kohë (15 sekonda) për të gjetur një strehë. Është shumë më e rrezikshme dhe personale kur një terrorist vjen të të vrasë me gjakftohtësi.

Shumë komentues dhe ekspertë po i cilësojnë si sulme “ujqërish të vetmuar”. Por sa sulme ujqërish të vetmuar duhen për të përbërë një valë të koordinuar terrori?

Por puna është se këto sulme nuk janë raste të izoluara dhe sporadike. Akte të tilla të një mizorie të pamendueshme janë rezultati direkt i një infrastrukture konstante palestineze të udhëhequr nga Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas, që indoktrinon urrejtje, nxit dhunën dhe gjen justifikime të cilat i shpërndan nëpër të gjithë botën për këto akte.

Vetëm një javë më parë, Abbas bëri një fjalim përvëlues përpara Asamblesë së Përgjithsme plenare të Kombeve të Bashkuara, e gjithë kjo për të marrë një dritë të gjelbërt për këtë valë  të terrorit.

Në një fjalim në televizionin palestinez më 16 shtator, Abbas tha me krenari se “ne e bekojmë çdo pikë gjaku të derdhur për Jeruzalemin. Me ndihmën e Allahut çdo shaheed (martir) do të shkojë në parajsë.” Më pas ai shtoi “Al-Aksa është e jona dhe gjithashtu është e jona edhe Kisha e varrit të Shenjtë. Ata (hebrenjtë) nuk kanë të drejtë t’i përdhosin ato me këmbët e tyre të ndyra”.

Dhe njerëzit vazhdojnë ende të pyesin se nga e marrin motivimin këta terroristë.

Autoriteti palestinez jo vetëm që ka dështuar t’i dënojë këto sulme terrori barbar, por tani në mënyrë të pabesueshme, ai po dënon Izraelin që mbron veten. Abass po i jep padyshim kuptim të ri termit “chutzpah”. A është kjo vërtet shenjë e një udhëheqësi që lufton fort për paqen?

Vetëm kur lidershipi palestinez të heqë dorë plotësisht nga terrorizmi dhe rrënjët e tij dhe t’i dënojë të gjithë ata që përdorin dhunën ndaj Izraelit dhe i urrejnë hebrenjtë, do të ketë shpresë të vërtetë për paqe.

Duke qenë se AP-ja vijon të këmbëngulë që bota ta njohë shtetin Palestinez, dikush mund të pyesë me të drejtë se çfarë lloj shteti duan: një shtet që edukon virtytet e paqes, apo që nxit dhe lavdëron terrorin?

Gjatë një fjalimi mbresëlënës për ekstremizmin islamik në korrik, kryeministri britanik David Cameron e tha qartë se, nëse thua se “dhuna në Londër nuk justifikohet, ndërsa bombat vetëvrasëse në Izrael janë një çështje tjetër, atëherë edhe ti je pjesë e problemit”.

Të gjithë atyre njerëzve që nuk e dënojnë terrorin palestinez, apo gjejnë mënyra për ta shfajësuar, turbulluar apo minimizuar, unë iu them të njëjtën gjë – “atëherë edhe ju jeni gjithashtu pjesë e problemit”.

SHKARKO APP