Përse po goditet Shpëtim Gjika?
Pa u mbushur 3 muaj nga shpallja si i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës, Shpëtim Gjika përfundon prapa hekurave për akuza të ngjashme me ato që u përball me drejtësinë prej tetorit të vitit 2013.
27 tetorin e dy viteve më parë, një ditë të diele, Prokuroria e Përgjithshme lajmëroi me anë të një deklarate për mediat se ndaj Shpëtim Gjikës kishte nisur procedimi penal për falsifikim dokumentash në lidhje me dy leje ndërtimi. Ashtu si për Gjikën, që do të shprehej i habitur, një akuzë e tillë që ngrihej mbi të vetëm 1 muaj pas uljes së Edi Ramës në karrigen e kryeministrit, ngjalli jo pak dyshime se pas saj fshihej një luftë politike që kishte nisur të paktën 1 vit më parë.
Edi Rama do të distancohej nga kjo ngjarje me shpejtësi: “Ne duam ta shohim Shpëtim Gjikën të çliruar dhe të provojë se s’ka ë bëjë me akuzat. Por ne nuk do bëhemi mburoja politike e asnjë të akuzuari as sot, as kurrë”.
A ishte me të vërtetë nisja e një beteje politike mes njeriut të ulur rishtaz në karrigen më të pushtetshme të Shqipërisë dhe njeriut më të fuqishëm të Vlorës?
Marrëdhënia e tyre padyshim që ishte krisur.
Në asamblenë e PS -së, në janar të vitit 2012, Shpëtim Gjika do të fliste hapur kundër mënyrës që po ndiqte Edi Rama për të zgjedhur drejtuesit e PS në rrethe.
“Po na trajtoni si ushtarë. Keni caktuar në Vlorë të paktën 5 persona që nuk janë fare nga Vlora. Po abuzoni me bazën e partisë. Nuk nuk mund të promovoni figurat tuaja duke përdorur bazën e Vlorës”, -ishte deklarata shpërthyese e Gjikës.
Një vit më vonë, kur palët ishin përpjekur në maksimum të shmangnin përballjet e dukshme, kryeministri Rama, në një takim me kryetarët e Bashkive të zonave bregdetare do të fliste për abuzime me lejet e ndërtimit, sikur po paralajmëronte atë që do të ndodhte në tetor. Hetimet ndaj Gjikës kishin nisur ndërkohë që në muajin mars të po atij viti. “Qytetarët denoncojnë, edhe me fakte, dhe neve na mbetet vetëm për t’i verifikuar. Asgjë nuk fshihet, çdo gjë është e dukshme. Unë s’do t’ia lejoj vetes që kur të vij në Vlorë pas disa vitesh, të më vijë turp nga qytetarët”, do të deklaronte Rama në këtë takim.
Pas akuzave, një tjetër ngjarje do të dëshmonte largësinë e krijuar mes dy figurave të Partisë Socialiste, dikur miq. Protokolli i kryeministrisë që organizonte festimet hoqi nga holli i teatrit Petro Marko disa fotografi që tregonin punën 10 -vjeçare të Bashkisë së Vlorës nën drejtimin e Gjikës dhe u vendosi vepra të piktorëve më të mirë vlonjatë.
Ndërsa Rama, po atë ditë, pas festimeve, në një aktivitet për projektin e Lungomares, duke folur për të ardhmen e qytetit të Vlorës, do të deklaronte: Jam i bindur se pavarësisht gabimeve dhe abuzimeve të bëra, nuk do t’i përsërisim më gabimet…,” një deklaratë kjo që u komentua si kritikë ndaj punës së bërë nga Gjika.
Teksa zhurma e procedimit penal ishte shuar, 4 janarin e vitit 2004 Rama u duk se bëri paqe me kryebashkiakun vlonjat. Dëshmi e paqes në dukje ishte një foto e postuar nga Gjika ku ai shfaqej në bregdet, nën shoqërinë e kryeministrit.
"04 Janar 2014! me Kryeministrin dhe deputetin e Vlorës Edi Rama! Për mua jo vetëm mbarësi, por përgjegjësi dhe angazhim!”, shkruante ai. Me poshte lapsi shkruan se 2014-ta ishte me të vërtetë një vit i mbarë për Gjikën. Ai u lirua nga akuzat. Megjithatë do të kishte një tjetër përplasje në distancë me qeverinë kur mohoi që pallati i vjehrrit të kreut të opozitës të ishte në kundërshtim me ligjin. Ai nuk u pa më në shoqëri private me kreun e qeverisë dhe deputetin e Vlorës. Disa media shkruanin se në hendekun e krijuar mes tyre qëndronte një tjetër deputet i këtij qarku, që synonte prej kohësh të kishte nën kontroll Bashkinë e Vlorës. Tashmë është e sigurtë se ai nuk do të jetë më në garë në zgjedhjet e 21 qershorit.