Personazhet e gënjeshtërt të 20 Shkurtit!

Nga Ben Andoni*

Është bërë tashmë një listë personazhesh manipulues me ditën e 20 Shkurtit 1991. Ka njerëz që të tregojnë saktësisht deri me detaje si kanë ndodhur episodet e ditës, që hodhi poshtë monumentin e Enver Hoxhës. Të tjerë si udhëhoqën. Dhe të tjerë akoma, si e përgatitën rrëzimin e monumentit. Por, imazhi i personazhit tonë, nuk mund të gënjej. Në shpatullat e disa të rinjve, ai dergjet gati pa jetë, i plagosur në pavetëdijë. Fotoja e tij do të bënte xhiron e botës për ngjarjet në Shqipëri të shkurtit 1991. Fatmir Merkoçi, në përvjetorin e kësaj dite, buzëqesh kur pyetet për atë ditë. Është nga ata pak njerëzit, që nuk e ka pranuar nderimin e ish-presidentit Bamir Topi, ndërsa mesazhi i tij në ditën e dekorimit u censurua. “Nuk mund ta pranoj nderimin tuaj dhe dua t’ju jap një mesazh: “Dua t’i përcjell një mesazh politikës shqiptare prej kësaj salle. Ne si popull jemi ndarë nga diktatura që më 20 shkurt 1991, kohë kur politika jonë nuk ka gjetur kurajën civile qytetare, morale, politike e ligjore, që të ndahet nga e kaluara. Për sa kohë që nuk dënohen krimet e komunizmit, për sa kohë që nuk dënohet vetë diktatori, për sa kohë që Ju, nuk i hiqni Titullin “Hero i Popullit” diktatorit, unë e refuzoj këtë dekorim”. Dhe u largova, shton. Lajmi që do jepej në momentin e parë do të censurohej menjëherë më vonë.

Në fakt, lista e protagonistëve të gënjeshtërt të asaj dite është e madhe. Në vitin 1996, u shfaq një qytetar nga Vlora me emrin Piro Kodhima, i cili pretendonte se ia kishte hequr ai bullonat e monumentit. Ai arriti të manipulojë mjaft personalitete. “Arriti të manipulojë dhe Kadarenë, ku ky i fundit i premtoi se do bënte dhe një libër për atë. Manipulimi i tij shkoi deri në zyrën e Presidentit Berisha, ku kërkohej dekorimi i tij, si protagonisti kryesor. Kam kundërshtuar me të madhe këtë rast gjitha forcat e mia. Falë dokumentacionit dhe fotove të bëra nga Ali Begeja, u bë e mundur që ky manipulim të mos bëhej”, tregon Merkoçi. Por lista nuk mbyllet këtu, pasi një tjetër falsifikator me emrin Sajmir Maloku, pretendon sipas tij. “Duke përfituar nga disa media të pa-vëmendshme, ai arriti të bëhet protagonist dhe të arrijë dhe të botojë shkrime, si protagonist i asaj ngjarjeje. Ky manipuloi dhe Presidentin Topi, i cili arriti ta dekorojë këtë dhe disa persona që nuk kanë asnjë farë lidhje me këtë ngjarje si protagonistë. Manipulimi i këtyre shkon dhe më tej, kur arrijnë dhe penetrojnë deri në shkrimet e z. Preç Zogaj”. Në fakt, kohë më vonë, poeti do justifikohej se emrat e tyre i kishte prej protokollit të Presidencës. Lista, sipas juristit, shkon më tej dhe kjo përfshin edhe shumë personazhe të cilët kanë lidhje me administratën dhe strukturën e diktaturës, që në kujtimet e tyre mëtojnë nëpërmjet intervistave ta quajnë rrëzimin e Shtatores së Diktatorit, si vepër të Partisë së Punës dhe Ramiz Alisë. Dhe, e quan si manipulimin më të keq, kur edhe ish-presidenti Topi, u mundua ta dekoronte.

 

Por, si ndodhi

Fatmiri dhe një grup individësh u përpoqën dhe krijuan në ato ditë mbushur me histori Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Vetë Fatmiri do të ishte një ndër

protagonistët e mbajtjes së mitingut në Qytetin “Studenti” të ditës së 20 Shkurtit. Ajo u organizua nga struktura e re e tyre. “Atë natë, më 19 shkurt në emër të B.S,P.SH-së u bë një deklaratë, e cila u dha në lajmet e orës 20-00 në T.V.SH, ku njoftohej se sindikata në mbështetje të grevës studentore ftonte të gjithë punonjësit të mblidheshin”. Por vetëm dy orë më vonë, në lajmet e orës 22.00 u quajt si një grumbullim i paligjshëm. Në këto kushte, Kryetari i sindikatës z. Gëzim Shima dhe Fatmir Merkoçi gjykuan se, nëse do kishte grumbullim të madh të nesërmen, e mira do ishte që njerëzit duhet të përcilleshin drejt bulevardit për të protestuar mu para Komitetit Qendror. Ishin kaq të etur për të protestuar njerëzit dhe ndihmuar, saqë në mëngjesin e 20 shkurtit, sindikalisti Baudin Kurushi, kishte ardhur bashkë me Qendrën e Zërit, e cila u instalua në Katin e Katërt të godinës përballë ngrehinës, ku zhvillohej greva e urisë së studentëve. Nga ajo që mbahet mënd sot, mund të kujtohet se ballkoni i asaj godine u kthye në një tribunë e hapur për të gjithë. Çfarë-do-gjëje që kishte mund të derdhej prej andej pa asnjë lloj censure. Sindikata vendos që ndërsa Shima të kontrollonte e drejtonte njerëzit bashkë me sindikalistët e tjerë, Merkoçi të menaxhojë foltoren. ”Unë u ngjita në atë foltore duke mbajtur dhe njëfarë rregulli për kohëzgjatjen e fjalës së gjithsecilit. Më pas, në dhomë futen dy policë. Ata kërkuan që kjo foltore të mbyllej. Në atë moment kam nisur debatin me ata. Debati u bë i ashpër. Ata kërkuan jo vetëm të mbyllej mitingu,por dhe të merrnin kamerën e operatorit Ilia Terpini, i cili hipur në një tavolinë po xhironte. Pas rezistencës që bëra, njëri nga policët nxori pistoletën duke kërcënuar se do qëllonte. Në këtë moment, marr mikrofonin dhe ja drejtoj Monda Bulkut duke i thënë :-Nxirri njerëzit në Bulevard. Znj. Bulku bën një thirrje ku thotë: – Nëna dhe motra duhet të shkojmë para presidentit. Në këtë moment policia po kërkonte me ngulm kamerën e z. Terpini. Ju them policëve se mitingu u mbyll. Marr mikrofonin dhe lëshoj një thirrje :- Të gjithë në bulevard. Mora kamerën dhe bashkë me z.Terpini zbres poshtë dhe bashkohem me protestuesit. Dua të them se në ato moment bashkë me znj. Bulku ishte dhe znj. Marjeta Larja”.

 

Turma

Kur zbriti poshtë për t’ju bashkuar protestuesve, drejtimi i rrjedhës së turmës kishte marrë instiktivisht drejt Komitetit Qendror.  “Kthehemi tek Liceu Artistik drejt bulevardit. Në hyrje të R.T.SH-së,disa protestues kërkuan të hynin brenda. Duke qenë se po e udhëhiqja këtë demonstratë mu desh të ndërhyja për të mos hyrë në atë institucion. Falë dhe punonjësve të radios,të cilët kishin dalë tek shkallët  u bë e mundur që të mos kishte incidente.

Pranë bulevardit,tek fillimi i Kryeministrisë ishte vendosur një gardh ushtarësh. Në këto moment ndërhyn policia dhe forcat special të cilët fillimisht na goditën dhe më pas përdorën ujin me presion i cili ishte me pisllëqe, gazin lotsjellës si dhe qentë. Në përleshje e sipër arrita të komunikojë me Komandantin e Togës. Ai më deklaroi se: do përdorte çdo mjet për të na penguar që ne të mos kalonim. Pa një replike të shkurtër dha urdhrin:- Toga! Armë mbush! Toga, zjarr! Toga qëlloi, por për fatin tonë, ajo qëlloi në ajër. Pas kësaj, kam replikuar përsëri me komandantin i cili më ripërsëriti qëndrimin e tij duke më sugjeruar se po të donim të kalonim mundeshim vetëm nga drejtimi i INIMA-s. Në këto moment, s’kishim rrugë tjetër pasi tek Liceu policia e kishte bllokuar hyrjen dhe demonstruesit vazhdonin drejtë Rrugës së Elbasanit. Vazhduam rrugën dhe tek Piramida pati disa njerëz që kërkuan të qëllonin me gurë. Aty kam lënë ing. Fred Jankun për të mos lejuar njeri të thyente xhamat”.

 

Bulevardi

E megjithatë turma ia arriti që të dilte në Bulevardin e madh, por tek ura tashmë e priste një gardh tjetër ushtarësh. Kështuqë, të gjithë drejtohen drejt Sheshit “Skënderbej”. Butaforia e atij momenti është e jashtëzakonshme dhe i ngjan filmave lindorë të desidencës. Fatmir Merkoçi përfundon tek monumenti i Skënderbeut, ku vrojton se ç’duhet të bëjë. Sheshi është i zbrazët dhe i rrethuar me qindra forca policie e speciale. Një djalë i ngjitet mjetit blindues, që bën lëvizje rrethore në shesh. Një grup të rinjsh, që janë me Merkoçin shkëputen dhe i afrohen monumentit në segmentin më të shkurtër nga Banka, ku dikur gjendej Stacioni i Autobusit të Kombinatit. Dhe, vetëm pas pesë apo gjashtë tentativash e përleshjesh me policinë, grupi që tani numëron 30-40 vetë arritën t’i afrohen pranë piedestalit. Butaforia ngjishet më shumë. Policia godet, kurse një helikopter patrullon. Snajperat janë të vendosur në çdo tarracë dhe presin urdhër. “Pasi hipa mbi piedestal, shpalosa dhe flamurin kombëtar Pa Yll, të cilin e kisha me vete. Gjatë gjithë kohës, Forcat Speciale vazhdonin të qëllonin me armë. Ndoshta dhe i identifikuar gjatë kësaj kohe, nga Policia e Sigurimi, qëllohem dhe plagosem. Bie poshtë piedestalit nga ana e Muzeut. Në këtë moment, policia përdori përsëri dhunë barbare mbi mua. Unë rashë në koma. Njerëzit, që ishin aty pranë, më morën për të vdekur. Më ngritën në krah dhe më drejtuan drejtë një IFA, e cila ishte aty pasi solli policët me qent’ e tyre. Ky është momenti kur policia u step. Njerëzit u irrituan kur panë një të vdekur, dhe e pushtuan përfundimisht piedestalin. Unë përfundova në spital. Falë ndërhyrjes së të ndjerit Arjan Xhumari, që më solli në jetë, si protagonist dhe udhëheqës i asaj demonstrate gjej rastin ta falënderoj dhe t’i jem mirënjohës popullit të Tiranës që tregoi qytetarin më të lartë”.

 

Protagonistët dhe zhgënjimi

Njerëzit që kontribuan më së shumti në përmbysjen e diktaturës, nuk ju dha më mundësia të tregonin aftësitë e tyre, rrëfen burri. Përkundrazi, shumëcili nga ata, u detyrua të braktisë vendin. Kasta politike u rrudh në një pakicë njerëzish, të cilët tashmë i lidh interesi personal, klanor apo familjar.  Kjo kastë politike tashmë ka marrë në dorë edhe monopolin ekonomik. Ajo kërkon jo në pak raste të manipulojë apo të blejë dhe historinë. “Nuk janë të pakta mohimi apo lënia në ‘harresë’ e protagonistëve të ngjarjeve të mëdha. Po ju jap një rast personal. Në Muzeun Kombëtar u arkivuan dy fotot e mia, ku jam plagosur në 20 shkurt. E çuditshme është se ato foto jo vetëm që nuk ekspozohen më, por ka shumë mundësi që dhe të mos ekzistojnë më aty. A nuk është mosmirënjohje ndaj një akti apo ngjarjeje kjo. Raste të tilla mundet të gjesh shumë”.

Fatmiri është jo vetëm drejtues, por edhe një nga shumë njerëzit aty, që menduan se gjërat do të ndryshonin. Unë, falë origjinës dhe vuajtjes së familjes time, jam ngritur me vetëdije të plotë. I përkas atyre familjeve që u burgosën që më janar të 1945-ës. Idealet ishin të qarta. E duam Shqipërinë si e gjithë Europa! Kjo do të thoshte se të gjithë e kërkonin që të shembej sistemi diktatorial dhe të ndërtohej një rend, ku Shqipëria të kishte zhvillim ekonomik dhe politik si shtetet e tjera, na thotë. Fatkeqësisht ndodhi e kundërta dhe Fatmiri dhe kolegët e tij është bindur sot se nën moton: Ta shkulim komunizmin nga rrënjët, u prish gjithçka, që populli vetë i kishte ndërtuar. Dhe, Shqipëria u shkatërrua krejtësisht dhe sot kemi dhe një monopol politik.

Politika jonë ka bërë që vlera dhe kontributi të mos vlerësohet dhe idealet të humbasin dita-ditës. Kjo është arsyeja që vlera intelektuale, kontributi në shoqëri nuk llogaritet më. “Kjo përcillet dhe tek shoqëria jonë, e cila është tejet e politizuar. Kemi një shoqëri e cila pa frikë mundet ta quajmë shoqëri ushtarake. Një shoqëri, e cila nuk prodhon vlerë, por vetëm tifozllëk politik. Kjo ndodh se grupimet politike janë në konkurrencë monopolesh dhe nuk kanë parësore alternativën të cilën e japin vetëm ata njerëz që gjenerojnë vlera. Sot kemi të bëjmë me grupime interesash”.

Unë, jam i zhgënjyer ashtu si shumë kolegë të mi sepse sot, “Shqipëria nuk ka kurrfarë reputacioni politik, pasi i mungon baza ekonomike. Në këto kushte them se kemi të bëjmë me vlera të venitura”, e përfundon ai ligjëratën e vet, duke pritur personazhe të tjerë hipotetikë, që gatiten të flasin për 20 Shkurtin 1991.

*JAVA

SHKARKO APP