Pesë me hiç!
Nga Mero Baze
Lulzim Basha ka arritur përsosmërinë të bëj teatër dhe me partinë e tij. Në mbledhjen e fundit të kryesisë së Partisë Demokratike, ai shpalli pesë prioritete të opozitës, të cilat nuk përbëjnë as aksion opozitar , as objektiva dhe as kushte detyruese për kundërshtarin. Dy prej tyre kanë të bëjnë me kërkesa dorëheqjesh, të cilat natyrisht nuk janë në dorë të Bashës dhe mbështeten mbi fakte të dobëta dhe emocione autosugjestionuese opozitare.
Dy të tjera kanë karakter edukativ, siç është rritja e besimit tek zgjedhjet dhe këshilla për situatën ekonomike. Për këtë duhet falenderuar, por ka plotë OJQ që merren me këtë punë. Një pikë është e rëndësishme dhe ka të bëjë me ligjin për dekriminalizimin e deputetëve, të cilin Basha kërkon ta paraqesë më vete në shtator.
Pra ajo që Basha e paraqet me fjalë si situatë të jashtëzakonshme, nuk ka asnjë reflektim në aksionin më shumë se të zakonshëm të tij, i cili rrezikon të bëhet qesharak, pasi dhe akuzat për dorëheqje i ka të mbështetura mbi debate ende të papërfunduara në shtyp e jo më para drejtësisë.
Por, pika kyçe që ka vërtetë rëndësi është qasja që do të ketë opozita me ligjin për dekriminalizimin e politikës. Që ai të ketë një farë vlere dhe të ndikojë paksa në politikën shqiptare, duhet të rakordohet me Reformën në Drejtësi dhe të koalidohet si një pengesë ligjore për depërtimin në politikë të këtyre elementëve. Edhe pse vazhdoj të këmbëngul se vendimtare për dekriminalizimin e politikës nuk është ligji, por vullneti politik i liderëve, pra i Ramës dhe Bashës, ai ka rëndësinë e vet qoftë dhe për të testuar se deri ku e kanë seriozisht liderët politikë integritetin moral dhe atë politik për kandidatët e tyre.
Në këtë pikë, Basha duhet të angazhohet sesi ta përfshijë këtë ligj në parimet kushtetuese dhe jo të bëj sikur e ka "çu nëna me la gojën", duke e çuar në Kuvend si ligj të thjeshtë pa asnjë vlerë dhe në konflikt ndoshta me Kushtetutën.
Duke u futur në ndryshimet kushtetuese korniza ligjore e dekriminalizmit më shumë sesa për të shkuarën, duhet të shërbejë për të mos u përsëritur aq sa mund të pengojë ligjin në të ardhmen ky fenomen. Vetëm kështu politika do të ketë më shumë kohë për tu marrë me të kaluarën dhe spastrimin e saj. Ai është pak a shumë si ngërçi që ka krijuar në shoqërinë shqiptare ligji i hipotekave dhe legalizimit. Të dy këta ligje ushqejnë njëri-tjetrin me probleme për të ardhmen dhe gjithë jetën duhet të merremi me korrigjimin e tyre, nëse nuk bëjmë një ligj që t’i vërë prit problemeve në të ardhmen dhe të merremi vetëm me të shkuarën.
Pra opozita, nëse do ta kishte seriozisht këtë hap, duhet të kërkojë përfshirjen e tij në ndryshimet kushtetuese si pjesë e Reformës për Drejtësi me qëllim që ta bëjë të pamundur të jetë një ligj konjukturial, që ka parasysh disa emra që nuk ka qejf Basha, por që nuk e frenon problemin. Fjala vjen, nëse Basha e quan normal kandidimin e Xhelal Mziut, nuk ka ligj që e rregullon këtë çështje. Nëse e quan normal kandidimin e vëllait të Fufit për kryetar bashkie dhe vet Fufit për deputet, nuk ka ligj që i ndalon ata të jenë aty. Nëse Basha e quan normale që vet nuk është ballafaquar me drejtësinë se ashtu ishte procedura ligjore, nuk ka ligj që shmang të inkriminuarit nga politika. Nëse Basha e quan normale që Fatmir Mehdiu të quhet politikan i padënuar se ka shtyrë gjyqin me avokat, ndërkohë që vartësit e tij janë dënuar, atëherë nuk ka ligj që e shmang atë nga politika.
Në këtë këndvështrim, Basha edhe vet atë që ka si kal betje false prej gati një viti, pra dekriminalizimin, e ka banalizuar si çështje opozitare dhe e ka përfshirë në axhendën e tij të vjeshtës si pikat e një seminari që do ta bëj tek Hotel Tirana.
Pra platforma e tij e pesë pikave kundër qeverisë, është një ilustrim i mungesës së seriozitetit, duke kthyer në beteja fluska sapuni apo emocione opozitare dhe duke injoruar çështje të rëndësishme me të cilat ai mund të realizojë një standard opozitar. Dhe po të mendosh se ky flet për një plan me pesë pika dhe Berisha, Topalli dhe të tjerë të mërzitur prej tij, për një kryengritje, bëhet dhe më e qartë se vendimi i fundit i Bashës është thjeshtë "pesë me hiç", siç e përkufizon zakonisht populli dikë që thotë diçka që nuk thotë asgjë.
TEMA