Petrit Vasili: Kryeministri mendon si të përlajë krejt pushtetet
Petrit Vasili foli sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku kritikoi kryeministrin Rama. Ja fjala e plotë e Vasilit:
Unë do të përpiqem që ti përgjigjem ftesës suaj për të qëndruar sa më shumë rendit të ditës së kësaj mbledhje të Kuvendit, edhe pikës përkatëse megjithatë miqësisht do të thosha që pa pasur si asnjëherë në këtë sallë, as specialistë të Sekretariatit përkatës kur mbrohet një ligj, besoj se është një situatë e paverifikuar më parë dhe ky seriozitet I kësaj salle besoj është kompromentuar sa s’ka ku të vejë më. Nuk kemi as ministrin që prezanton ligjin, as Sekretariatin që mban shënime, besoj që procedurialisht jemi në një situatë nga më absurdet. Normalisht nuk pres ndonjë sqarim nga kjo gjë, sepse shoh që për qeverinë ky është një diskutim formal. Është pjesë e të njëjtës padëgjueshmëri dhe arrogancë që nuk është verifikuar në këtë sallë. Ka vitë që hyjmë dhe dalim nga kjo sallë e parlamentit, dhe specialistët nuk janë. Nejse, ne do të respektojmë sallën e parlamentit, do të respektojmë qytetarët. Pa qëndruar në këtë nen sot, meqë ka të bëjë me energjinë, dhe meqë dëgjova disa kolegë të cilët patën disa ekzaltime, të cilat nuk janë edhe korrekte, janë edhe të pandershme në raport me qytetarët, janë të pandershme në raport edhe me veten e tyre sepse kanë të drejtë të gënjejnë veten e tyre sa të duan, por nuk kanë të drejtë të gënjejnë qytetarët. E duke i qëndruar kryesisht besnik asaj ideje që të mos flas me çfarë thotë opozita, megjithëse kemi një qeveri e cila ka një nivel budallallëku që të mos dëgjojë asgjë ç’thotë opozita, së paku tu referohem atyre se çfarë thonë institucionet ndërkombëtare që na asistojnë, që na financojnë, dhe së paku ato për shqiptarët janë një burim informacioni, edhe korrekt, edhe I ndershëm. Për qeverinë jam I bindur që do të jetë e njëjta shurdhtësi, që vjen e rrjedh nga një budallëk dhe arrogancë që është pa shërim. Çfarë thotë Banka Botërore për sektorin e energjisë, përtej ekzaltimeve që dëgjova nga disa kolegë që me çuditën, që ose nuk lexojnë fare, ose kanë marrë atë detyrën që të themi ç’thotë partia dhe të ecim përpara. Banka Botërore thotë që humbjet në rrjet vazhdojnë të jenë 28%, ndërkohë që objektivi I qeverisë ka qenë ulja në 26% në 2016, dhe 22.5% në vitin 2017. Ky është elementi I parë themelor dhe thelbësor I dështimit në energji. Vijojmë më tej, niveli I humbjeve teknike, në 3 vjet të monitorimit të Bankës Botërore, jo të opozitës, rrini të qetë se nuk është e opozitës, se kur e thotë opozita filloni e dridheni të tërë që nga kryeministri, fillon një histeri kolektive. Po të vijmë te Banka Botërore, se te Banka e mbyllin gojën. Nga 15.3% që ka qenë baza kur ka nisur Monitorimi në 3 vjet ka zbritur afërisht në 15% dhe shumë larg objektivave që ka Shqipëria të vendosur nga strategjia, të negociuar dhe me Bankën Botërorë përkatësisht dhe për të marrë financimin. Dhe Banka Botërore rekomandon hartimin e një plani të ri për rimëkëmbjen financiare të sektorit energjetik, pra do të thotë që plani që bëtë dështoi. Nuk jemi për të ekzaltuar, jemi pse jo dhe për të vënë duart në kokë, sepse kemi nisur një reformë, e cila degradoi vetëm për të futur njerëz në burg, ata që s’paguanin energji por që ishin të varfër, sepse të mëdhenjtë dolën publikisht që kishin nga 1 milion euro dhe s’guxonte të shkonte dhe tua kërkonte njeri. Pra ishte një terror për të varfërit dhe një parajsë për të pasurit që mos ta paguajnë. Vijojmë më tej, një tregues tjetër, edhe ky skandaloz, është që Shqipëria sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, të jeni prapë të qetë, këtë nuk e thotë opozita, le të mos shqetësohet askush, është që konsumatorit shqiptar I mungon energjia elektrike 97 orë, më shumë nga të gjithë në Ballkan, dhe është 50 herë më e lart se sa krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Kush di aritmerikë e kupton qëështë edhe më e lartë se Kosova, më e lartë se Maqedonia, nuk bëhet fjalë fare për Bosnjen, dhe për të siguruar këtë energji nuk është kursyer burgu për mijëra vetë, të raportuara gjerësisht dhe mediatikisht, dhe për njerëz, të cilët në kushtet e dëshpërimit, kanë humbur edhe jetën në burg. Tjetra që është akoma dhe më interesante. Sekretariati i Energjisë në Vjenë ka paditur Shqipërinë në Këshillin e Ministrave të Evropës, jo opozita, sepse ka thyer jo një, por tre detyrime që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit për Energjinë dhe e ka thënë shqip: Shqipëria ka dështuar të transpozojë Nenin 25 të Direktivës mbi Ndarjen Ligjore dhe Funksionale të Operatorit të Shpërndarjes, i cili administrohet nga shteti. Sipas Sekretariatit, jo vetëm që qeveria nuk e miratoi në kohë ligjin, por qeveria dhe OSHEE dështuan në ndarjen praktike të kompanisë, ndërsa vetë kompania nuk miratoi oficerin e etikës, një funksion kyç. Për çfarë ishte një funksion kyç ky? Në parandalimin dhe zbulimin e korrupsionit, siç kërkohet nga Paketa e tretë e Energjisë. Pra, njeriun kyç që do të ndalonte korrupsionin brenda institucionit, nuk e miratoi. Po u ndalua korrupsioni, nuk vilen para. Kur nuk vilen para, ç’na duhet OSHEE-ja sipas qeverisë? Ndarja e Operatorit të Shpërndarjes është një nga elementët kryesorë të liberalizimit të tregut dhe qeveria shqiptare ka qenë e detyruar ta bënte që në vitin 2015.Kështu thotë Sekretariati i Energjisë në padinë që i bën Shqipërisë në Këshillin e Ministrave.Besoj që kolegët i kanë burimet e informacionit.Nuk janë të miat, por të institucioneve evropiane.Dhe duhet qartë që zvarritja e ndarjes së OSHEE-së është shumë e qartë që nuk ka qenë e rastësishme. Sepse në këtë mënyrë po të ndahej, po të zbatohej kjo politikë dhe marrë ky angazhim kaherë, kjo do të kufizonte hapësirat për abuzimet financiare. Prandaj, këto dështime kaq të mëdha të Reformës në Energji e bëjnë shumë të qartë që ekzaltimi jo vetëm është pavend, jo vetëm është mashtrues, por është edhe një thirrje, në bazë të këtyre të dhënave shumë objektive, që qeveria të bëhet së paku më serioze me veten, pastaj për qytetarët kjo nuk diskutohet dhe t’i shmanget një turpi të tillë publik, që qeveria bën të pamundurën t’i izolojë këtu, t’i mbyllë këtu këto lajme, mirëpo ka mundësi informacioni që këto lajme dalin. Këto janë fakte të hidhura.Kjo tregon qartë që kjo Strategji e Energjisë ishte një strategji artificiale, fiktive. Ngjajnë si dy pika uji me këtë historinë që kanë filluar tashmë për ujin, për ta degraduar edhe këtë si një reformë, e cila bëhet vetëm për presione, për të krijuar klientelizma të reja, njëra më e shëmtuar se tjetra dhe për të vazhduar në atë rrugë arrogance për të mos pranuar këto fakte. E thashë edhe njëherë tjetër, shpresoj shumë që të paktën këto t’i dëgjojnë, sepse për t’i pranuar nuk i pranojnë, sidomos kur vinë nga opozita.Këto nuk dëgjojnë as FMN-në, as Bankën Botërore, as Sekretariatin në Vjenë. Kur vjen puna për këto çështjet publike të ditës, artistët nuk i dëgjojnë, sepse Kryeministri i ndan: Këta i përkasin historisë, këta nuk i përkasin historisë, se ky është Aleksandër Moisiu, aktori i madh dhe i ndan kush aktor bën sot dhe kush jo. Sepse këtë gjë e ka marrë përsipër ta bëjë qeveria, se kush aktor bën dhe kush jo, cili duhet të punojë dhe cili jo, kush duhet të marrë rrogë dhe kush jo, kush na kënaq kush na mërzit. Pedagogët gjithashtu.U Përmendën emra të përveçëm. Për turp të Kryeministrit, nuk mund të përmenden emra të përveçëm në sallën e Kuvendit, ndërkohë që, janë përdorur në kohë të tjera, me idenë qesharake që, edhe përsa i takon arsimit të lartë qeveria nuk ka asnjë kompetencë. Ndonjëri që ka qejf letërsinë i kujtohet Kronini që ka atë romanin i famshëm “Dhe yjet rrinë dhe vështrojnë”, edhe Kryeministri rri e sheh se si dështon Reforma në Arsimin e Lartë. Se unë e bëra ligjin, unë e insistova, unë e vura me zor, unë e imponova, unë e votova, por tani merreni ju të tjerët dështimin, sepse unë tani vetëm vështroj dhe kur më pëlqen ndonjë batutë e ndonjë Dekani apo Rektori e bie këtu në sallën e Kuvendit. Kur të mos më pëlqejë, ai është kazan, është i juaji, s’ka qenë e joni e kështu me radhë. Në fund të këtij diskutimi dalim në përfundimin që: rrënimi i seriozitetit qeveritar, përzier me arrogancën janë dy shina ku ecën rrënimi i qeverisjes së vendit dhe debati i sotëm dhe komedia e paradites është një sinjal alarmi për të gjithë për të kuptuar se rrënimi është shumë më i shpejtë se ç’e mendojmë.