Petro Zheji fjeti

Nga Lekë Tasi

Petro Zheji vdiq në 15 Mars. Përdora foljen “fjeti” më lart, sepse kështu thuhej dhe vazhdon të thuhet për besimtarët kur ikin nga kjo jetë. Të njëjtin kuptim ka dhe shprehja “ndërroi jetë”, sepse nënkuptohet me të që jeta vazhdon mbas atij momenti. Jo vetëm bisedat e Petros me këdo dhe kurdoherë e shpallnin besimtarinë e tij, por edhe vepra e tij e shkruar vazhdon ta shpallë atë, duke e përkufizuar madje ai vetë kërkimin e tij filozofik si Kristologji, çfarëdo lëmë të shkencës të ketë pasë përfshirë kërkimi i tij. Këtë cilësim e thekson edhe titulli i veprës së tij të fundit, “Roli Mesianik i Shqipes”, libër që doli nga shtypi pak ditë para se Petroja të jepte frymën e mbrame.

Mediat tona e ngrenë lart Petron me epitete të larta, por heshtin rreth këtij tipari themelor të veprës së tij. Pse ndodh? Gazetaria më e kualifikuar, por edhe ajo më pak e tillë, ajo që kërkon sensacionin, kanë në qendër të tyre përcjelljen në publik të thelbit të diçkaje, fenomen, ide, vepër o person; ato priren ta formulojnë shkurt dhe qartë, të diskutojnë rreth tij, e jo ta fshehin me anë termash të përgjithshëm që sjellin zbehjen e subjektit dhe rënien e interesit të lexuesve.

Kush ishte në thelb Petro Zheji? Pse është kaq e panjohur për masën vepra e tij filozofike? Sa peshë specifike kanë përkthimet e tij dhe sa librat e tij origjinale në kontributin tërësor që ai i ka dhënë kulturës sonë? Këtu del çështja e interesit që masa e madhe e lexuesve mund të tregojë për problemet filozofike dhe veçan për debatin edhe më të thellë të gjuhës si fenomen i rastit apo metafizik.

Kjo është e qartë, por kur vijmë tek elita dhe rrethet akademike, pse kjo heshtje? Mos theksi që u vihet përkthimeve, fsheh dëshirën për të eklipsuar librat? Po të kthehemi te mediat, meqë për fat ose për vullnet të mirëfilltë politik nuk kemi revista, ato janë zhdukur, temat e mësipërme duhet të ishin lënda më e kërkuar e një shtypi që synon nivelin europian.

Mos vallë është ndjeshmëria e publikut shkaku që nuk promovohen? E përjashtojmë, sepse privatisht Petroja merrte sinjale simpatie, pavarësisht përkatësisë fetare, madje edhe prej sektorit ateist. Cilido qoftë pozicioni i intelektualit, atij i “hanë duart” për debat. E pra, është pikërisht debati që u shmang kaq kohë, për çdofarë teme, sepse strukturat institucionale janë të mbyllura ndaj tij.

Ai, debati, zëvendësohet rrallëherë me fraza zhvleftësuese që sulmojnë së toku studime serioze (siç është rasti) dhe mitomanira pa rëndësi, duke mos dhënë emra, por me adresim të qartë. Ka edhe një prirje tjetër: i vishen studimit një numër valencash të tepruara, ndofta prej padijes mirëdashëse apo dhe të nxitura, për ta spostuar punën në një terren joshkencor.

Shkurt dhe për të përgjithësuar në planin kombëtar, kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi heshtje të plotë kur në tryezë shtrohen çështje që vënë në diskutim serioz me rrezik përmbysjeje të gjërave ekzistuese, të trashëguara, dhe nga ana tjetër debate mjaft të gjalla por me një kufi të caktuar “hapjeje”, i përfaqësuar ky kufizim prej moderatorit, rrethit të të ftuarve, dhe financimit të aktiviteteve, në mënyrë që ajo që quajtëm “heshtje e plotë” më lart, të ketë një kundërpeshë zhurme, që të lozë rolin e debatit, natyrisht edhe me maja autenticiteti brenda saj, për të pasur e tëra një pamje demokratike të besueshme.

Të ngushëllon fakti që vepra e tij është aty, e botuar mbas kaq peripecish të autorit dhe rreziqesh, ajo është e pranishme përballë kësaj përzierjeje heshtjeje–zhurme e-debati të mefshtë që po gëzojmë prej 20 vjetësh. Del pyetja: Kur do të dalin revistat, kur e kaluara do të japë lejen që ato të dalin, kur do jepet leja që temat përvëluese të preken, që e vërteta e vërtetë të apasionojë një rreth të gjerë intelektualësh të rinj të paduruar?

Sepse ka shoqëria jonë dijetarë që t’i dalin zot edhe opusit të Petro Zhejit, për t’ua bërë të njohur këtyre të rinjve me mjetet e ndryshme të komunikimit, në katedra që fitohen me konkurse e me punime të botuara lirshëm përkundra mungesave të ndryshme penguese, madje edhe në gjuhë të huaja. Pritet vetëm sinjali, nëse do të vijë.

Gazeta "Mapo"

SHKARKO APP