Pinokët e fushatës zgjedhore dhe elektorati
Gënjeshtrat që po thonë politikanët në fushatën zgjedhore në Britani mund të kenë një çmim shumë të lartë për të ardhmen e vendit, teksa elektorati voton bazuar mbi iluzion – shpjegon Chris Patten.
Nga Chris Patten, Project Syndicate
Zgjedhjet demokratike nuk mund të përshkruhen si gara për të zbuluar se cilët kandidatë thonë të vërtetën e pazbukuruar. Shumica e politikanëve përpiqen të shmangen duke thënë haptazi gënjeshtra; ata lëkunden poshtë e lartë si boksierë profesionistë kur janë përballë pyetjeve që mund t’i fusin ata në grackat e gënjeshtrave të plota. Por ata pa dallim ekzagjerojnë çfarë kanë për të ofruar, si dhe marrin parasysh rreziqet që do t’i vinin nëse kundërshtarët fitojnë.
Është e kuptueshme se politikanët duhet ta ngrenë lart vizionin e tyre për të ardhmen dhe të ulin atë që të tjerët kanë për të thënë. E gjitha kjo është më e besueshme nëse nuk shkon shumë larg dhe nëse mbart disa ngjashmëri të asaj që të njëjtët politikanë kanë arritur kur kanë qenë në pushtet. Votuesit normalisht i dallojnë Pinokët politikë dhe gjatësinë e hundëve të politikanëve një kilometër larg. Por ata nuk presin as që përfaqësuesit e tyre të zgjedhur të jenë shenjtorë. Ata janë të përgatitur të japin avantazhin e dyshimit (deri më tani tipari më i rëndësishëm që çdo lider politik mund të ketë). Sipas mendimit tim në ditën e zgjedhjeve, kryeministri David Cameron do të shfaqet duke pasur këtë tipar.
Votuesit kanë një instinkt të brendshëm të saktë – zakonisht, megjithëse jo gjithmonë, se partitë e të majtës tradicionale do të taksojnë dhe shpenzojnë më shumë, dhe se ato të së djathtës do të bëjnë të kundërtën. Mënyra sesi votuesit përgjigjen reflekton mënyrën se si ata e perceptojnë historinë së fundmi dhe se çfarë duan për veten dhe familjen në të ardhmen. I përmbahem idesë se ata i kuptojnë këto gjykime drejtë.
Këtë vit, megjithatë, elektorati britanik duhet të navigojë në një sasi më të madhe se e zakonshmja për sa i përket shtirjes elektorale. Teksa votuesit të drejtohen në zgjedhje më 7 maj, zyrtarët e tyre të ardhshëm po i kërkojnë atyre të besojnë tre gënjeshtra të mëdha, secila prej të cilave është e rrezikshme në mënyrën e saj.
Dy gënjeshtrat e para – mashtrime aq të mëdha sa gjatë një fushate zgjedhore – po shiten nga dy pre partive populiste më të suksesshme të vendit: Partia për Pavarësi e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) dhe Partia Nacionaliste Skoceze (SNP).
Ngritja e shpejtë e UKIP është ndërtuar mbi premtimin e një kthimi në një të shkuar të Britanisë siç nuk ishte kurrë: kryesisht e bardhë, e trembur nga Zoti, e qëndrueshme ligjërisht, e kufizuar kulturalisht dhe e përqendruar ngushtësisht në interesat e vet kombëtarë. Është një vizion që shfaqet kryesisht te ata që janë skeptikë për modernitetin dhe janë armiqësor ndaj globalizimit.
Rreziku është se recetat kryesore politike të UKIP – një fund i imigracionit dhe tërheqja nga Bashkimi Europian – janë të papajtueshme me zhvillimin ekonomik. Në mënyrë që Britania të vazhdojë lulëzimin jashtë BE-së, do të duhet ta hapë ekonominë edhe më tej, jo vetëm për tregtinë dhe investimin botëror, por edhe për imigracionin në rritje. Duke pasuar sugjerimin e UKIP për ta izoluar vendin nga bota, kjo do të rezultonte në një varfëri më të madhe te të gjithë punëtorët britanikë.
Edhe SNP-ja, e ka ndërtuar fushatën rreth një baze pandershmërie që, fatkeqësisht, shpjegon një pjesë të mirë të suksesit të vet. Përveç tërheqjes për një rrymë të pakëndshme të anglofobisë skoceze, SNP i premton elektoratit të vet politika të ardhshme që janë shumë më majtas nga çdo gjë që mund të bëjë kandidati kryeministror i Laburistëve, Ed Miliband.
Për t’i bërë gjërat më keq, rritja në shpenzimet e mirëqenies që SNP po premton për votuesit e Skocisë do të duhet të paguhet kryesisht nga taksapaguesit në Angli. Pavarësisht se cila parti – Laburiste apo Konservatore – fiton numrin më të madh të vendeve në parlament, zgjedhësit e saj do të përmbajnë shumë votues anglezë, që nuk do të binin kurrë dakord me prioritetet politike të SNP-së. Aq larg sa shkojnë gënjeshtrat, kjo është e rrezikshme; përsëri kërcënon integritetin kushtetues të Britanisë, vetëm tetë muaj pasi Skocia votoi për të qenë pjesë e Mbretërisë së Bashkuar me një diferencë 10 për qind.
Por gënjeshtra e fundit është më e përhapura – dhe ndoshta më e rrezikshmja nga të gjitha. Retorika e fushatës së politikanëve nacionalë mishëron besimin e gabuar se Mbretëria e Bashkuar mund të ushtrojë të njëjtin kontroll mbi ngjarjet globale sa mundej 50 vite më parë. Për mirë ose keq, kjo thjesht nuk është e vërtetë. Mbretëria e Bashkuar nuk e zotëron të njëjtën influencë ndërkombëtare që kishte dikur; në fakt, britanikët gati nuk shqetësohen për reduktimin e influencës ndërkombëtare të vendit – ose për pasojat që sjell.
Sovraniteti kombëtar po bëhet një koncept gjithnjë e më i pakapshëm. Perspektivat ekonomike të Britanisë varen gjithnjë e më shumë nga ngjarjet përtej brigjeve të saj, qoftë vetëm matanë Kanalit Anglez apo në Kinë ose Kaliforni. Rreziqe mjedisore fryjnë bashkë me erën. Shqetësimet e sigurisë implikojnë gjithnjë e më shumë politika të huaja dhe të brendshme. Një karikaturë politike e kohëve të fundit shfaqte bombardues britanikë që ngriheshin në një mision, ku një pilot i thoshte të tjerëve “Dukej një rrugë e gjatë të bombardoje disa të rinj në Londrën Jugore”.
Zgjidhja e sfidave me të cilat përballemi ne britanikët do të kërkonte së pari pranimin e kontrollit tonë të kufizuar mbi rrënjët e shkaqeve. Vendi është në nevojë të dëshpëruar për politikanë me mendje të pavarur me kurajë për të qenë të sinqertë me votuesit, duke i shpjeguar atyre qartë dhe pastër se Britania nuk mund t’i zgjidhë më problemet e vetme.
Në një botë më të rrezikshme dhe më të ndërlidhur, Britania nuk mund ta përballojë të bëjë vendimet e saj më të rëndësishme kolektive bazuar mbi gënjeshtra dhe iluzione. Elektorati britanik do të hynte më shumë në punë nëse politikanët do të kishin kurajë të servirnin disa të vërteta të parehatshme ose të paktën të kishin integritetin që të mos merreshin me mashtrime të rrezikshme./BIRN