Po afrohen javët vendimtare për Merkelin
Kancelarja Merkel u ka premtuar gjermanëve zgjidhjen e krizës së refugjatëve. Rruga që ndjek ajo kalon nga Europa. Javët e ardhshme do të jenë vendimtare. Por fillimin e bëri një takim në Berlin.
Aktualisht numri i refugjatëve në kufirin gjermano-austriak ka rënë. Shifrat janë në “kufirin tre shifror mesatar” ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme në Berlin. Por CSU beson se kjo ka të bëjë më shumë me motin e keq dhe jo me politikën e Merkelit. Të premten Seehofer takon kryeministrin hungarez, Viktor Orban, njërin nga kundërshtarët e Merkelit në Europë.
Paris: Forcim i boshtit gjermano-francez
Të premten kancelarja Merkel udhëton në Paris për të biseduar disa orë me presidentin francez, Francois Hollande, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert in Berlin. Tre tema do të dominojnë në këtë takim. Mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së, luftimi i shkaqeve të braktisjes së vendindjes dhe reduktimi i migracionit ilegal. Edhe bllokimi i refugjatëve në Greqi dhe Ballkan do të jetë pjesë e bisedimeve. Pamjet nga rajoni të mësojnë se sa e rëndësishme është gjetja e veprimit të përbashkët europian, tha Seibert. Mbyllja e njëanshme e kufijve si një strategji nacionale do të rrisë barrën për vendet e tjera.
Bruksel: Samiti BE-Turqi
Të hënën zhvillohet në Bruksel samiti me Turqinë, ku pritet që të bëhet një bilanc i planit të veprimit që u koordinua mes BE-së dhe Turqisë në nëntorin e vitit të kaluar. Qëllimi është ulja “e dukshme dhe afatgjatë” e udhëtimit ilegal në Europë. Për këtë vendet e BE-së i kanë premtuar Turqisë ndihma miliardëshe.
Por edhe një samit tjetër i BE-së zhvillohet më 17 e 18 mars. Këtu do të debatohet gjerësisht për politikën europiane të refugjatëve, e do të synohet gjetja e një kursi të përbashkët. Por edhe rifunksionimi i hapësirës së Shengenit do të jetë në fokus të samitit. Nuk dihet nëse vendet e tjera të BE-së do të pranojnë propozimet e Merkelit dhe Komisionit Europian.
Merkel ka bërë të ditur se në këtë kohë do të bëjë bilancin e masave të marra dhe efektin në reduktimin e migracionit ilegal dhe kontrollimin e valës së refugjatëve. Një javë më parë, më 13 mars në tre lande gjermane zhvillohen zgjedhjet e landeve. Unionin e udhëhequr nga Merkeli e kërcënon rrëziku i humbjes, gjë që lidhet drejtpërdrejt me krizën e refugjatëve.